27.9 C
Tirana
30 / 09 / 2026

Rama tregon ndryshimet në Kodin Penal: Nën 5 vite s’ka arrest me burg, telefonat e të akuzuarve do hapen vetëm me vendim gjykate

Kryeministri Edi Rama prezantoi ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, të cilat prekin masat e sigurisë, paraburgimin, sekuestrimin dhe kontrollin e telefonave dhe pajisjeve elektronike, përgjimet, marrjen në pyetje, privatësinë dhe informimin e personit nën hetim.

Një prej ndryshimeve kryesore lidhet me kufizimin e përdorimit të arrestit me burg. Rama deklaroi se gjykata duhet ta nisë vlerësimin nga liria dhe masat më të buta dhe jo nga paraburgimi.

“Procedimi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë, jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të nisë nga arresti në shtëpi. Për veprat me dënim 3 vjet, nuk do të caktohen masa shtrënguese. Nën 5 vjet s’do të ketë arrest me burg”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, me ndryshimet e propozuara nuk do të mjaftojë vetëm natyra e veprës penale për të justifikuar një masë sigurie.

“Natyra e veprës nuk do të mjaftojë më. Rreziku duhet të jetë konkret dhe aktual. Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm”, tha Rama.

Ai deklaroi gjithashtu se kontrolli mbi nevojën për vazhdimin e masës së sigurisë do të jetë periodik.

“Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të caktojë gjendjen pasurore. Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës ekzistojnë”, u shpreh kryeministri.

Rama e konsideroi përdorimin e gjerë të paraburgimit një nga problemet që synon të adresojë paketa.

“Paraburgimi, që sipas Kushtetutës duhet të jetë masa e fundit, në Shqipëri është qendra. Kjo paketë është përgjigje konkrete ndaj problemit real. Paketa vjen si arkitekturë e vetme e koherente”, deklaroi ai.

Telefonat dhe pajisjet elektronike, kontroll vetëm me vendim gjykate

Ndryshimet e propozuara prekin edhe mënyrën e sekuestrimit dhe kontrollit të telefonave, kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike.

Rama tha se sekuestrimi i një pajisjeje nga policia apo prokuroria nuk do të nënkuptojë automatikisht të drejtën për të kontrolluar të gjithë përmbajtjen e saj.

“Ndryshimi i katërt vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën teknologjike. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë për të parë dhe lexuar gjithçka. Për ta hapur duhet vendim i gjykatës”, tha Rama.

Sipas tij, edhe kur ndërhyrja bëhet për shkak të urgjencës, ajo duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor.

“Në rast të urgjencës të përcaktuar nga ligji, veprimi vlerësohet nga gjykata. Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet”, deklaroi ai.

Përgjimet dhe jeta private

Rama tha se të njëjtat garanci do të aplikohen edhe për përgjimet, duke kufizuar përdorimin e materialeve që nuk kanë lidhje me objektin e hetimit.

“E njëjta gjë në lidhje me përgjimet. Duhet të shikohen vetëm ato që kanë lidhje me hetimet. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të përdoret si instrument presioni apo për ushqim për mediat”, deklaroi Rama.

Sipas ndryshimeve të prezantuara, në procesverbal duhet të përfshihen materialet që lidhen me hetimin, përfshirë edhe ato që mund të jenë në favor të personit nën hetim.

Marrjet në pyetje regjistrohen me zë dhe figurë

Një tjetër ndryshim lidhet me dokumentimin e marrjes në pyetje dhe veprimeve kryesore procedurale.

“Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri, duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se deklarimet e siguruara nëpërmjet presionit ose dhunës nuk duhet të kenë vlerë procedurale.

“Shkruhet se deklarimet e marra me sjellje, me presion apo dhunë, nuk vlejnë”, deklaroi ai.

Personi duhet të njoftohet se është nën hetim

Paketa prek edhe informimin e personit ndaj të cilit është regjistruar një procedim penal.

“Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim. Hetimet e fshehura në kohë nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se prokuroria duhet të bëjë një vlerësim të provave përpara se çështja të dërgohet në gjykatë.

“Në gjyq do të shkojnë çështje që kanë perspektivë reale. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe mbrojtjen”, u shpreh ai.

“Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi”

Rama tha se një tjetër objektiv i ndryshimeve është forcimi i prezumimit të pafajësisë edhe jashtë procesit gjyqësor.

“Ndryshimi i gjashtë ka rëndësi sepse nxjerr prezumimin e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit. Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi”, deklaroi kryeministri.

Një pjesë tjetër e ndryshimeve të prezantuara nga Rama lidhet me mënyrën e marrjes në pyetje, kontrollin e telefonave dhe pajisjeve elektronike, përgjimet dhe mbrojtjen e jetës private gjatë hetimeve.

Sipas kryeministrit, marrja në pyetje dhe veprimet kryesore procedurale do të dokumentohen me zë dhe figurë, ndërsa deklarimet e marra nën presion apo dhunë nuk do të kenë vlerë.

 “10 vite më parë, në vitin 2016, Kuvendi i Shqipërisë ktheu në akt aspiratën më të guximshme të programit tonë për një rilindje shqiptare. Ndryshuam Kushtetutën dhe ligjëruam çlirimin e drejtësisë nga pushteti politik”, tha Rama.

Ai e cilësoi reformën si një proces që ndryshoi sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Reforma në Drejtësi e shembi ngrehinën e vjetër të pushtetit gjyqësor. Ajo ngriti një superstrukturë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi kryeministri.

Por Rama pranoi se gjatë këtyre 10 viteve janë shfaqur edhe probleme.

“Sot, pas 10 vitesh, kemi parë, dëgjuar dhe mësuar shumë. Kemi parë forcën e reformës, por edhe dobësitë nga përballja me realitetin. Kemi parë edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”, tha ai.

Pavarësisht këtyre problemeve, Rama tha se bilanci i reformës mbetet pozitiv.

“Barra për Reformën në Drejtësi ia ka vlejtur qiranë. Dhjetë vjet shembën kultin 100-vjeçar të pandëshkueshmërisë”, deklaroi Rama.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x