Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, më 26 gusht 2026, përfundoi operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, nga të cilët gra e fëmijë.
Operacioni është kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.
Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse.
Kthimi i tyre në atdhe përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi, por jo përgjegjësinë institucionale ndaj tyre.
Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme falënderon institucionet dhe strukturat shqiptare të angazhuara në këtë proces, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, që mundësuan përfundimin e procedurave dhe tranzitin e sigurt të shtetasve.
Realizimi i operacionit dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të veprimit të bashkërenduar në përmbushjen e përgjegjësive të shtetit ndaj qytetarëve të tij.
Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë punën si për ndjekjen e plotë të procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit, ashtu edhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, sa herë që krijohen kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt.
- “Shajeni Ramën sa të doni, por shteti duhet ruajtur”, analisti krahason opozitën shqiptare me Le Pen në Francë - 20/10/2026
- Paralajmërimi i Trump: Nëse Europa dorëzohet përballë emigracionit, SHBA do të largohet! - 20/10/2026
- Të maskuarit e vandalizuan, deputeti Shalsi për monumentin e ‘Lahutës së Malcis’: Si lufton për të ardhmen, kur s’njeh krenaritë e vendit? - 20/10/2026