15.5 C
Tirana
10 / 12 / 2024

Një rrëfim distopik për shpellat njerëzore!

Nga Albert Gjoka

Letërsia bashkëkohore shqipe, sidomos prodhimtaria që vjen nga autorë të rinj, është pasuruar ndjeshëm vitet e fundit me vepra të cilat eksperimetojnë me guxim duke ndjekur metodat krijuese të letërsisë postmoderniste, distopike, fantastiko-shkencore etj. Ndonëse janë ende jashtë fokusit të kritikës së specializuar, krijime të tilla e sfidojnë lexuesin që nuk është ende i mirëedukuar me estetikat e modeleve të tilla krijuese. Pa marrë parasysh pengesat që do të ketë vepra e tyre, disa autorë kanë sprovuar, duke sjellë krijime të cilat mund të kenë një horizont pritje të papritur në receptimin me lexuesit. 

Mes krijuesve të rinj është edhe R. C. Anaider, e cila ka botuar së fundi romanin “Shpellat”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Mediaprint”. Me pasion të thekshëm për letërsinë dhe artet figurative, e detyruar për t’u ngujuar në “guvën” e saj gjatë periudhës së pandemisë, brenda tre muajve përfundoi së shkruari romanin e saj. Ky libër e ka kaluar tashmë një filtër vlerësimi profesional nga një juri e ngritur nga “Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”, e cila e listoi romanin mes dhjetë prurjeve më të mira që u paraqitën në një garë letrare në qershor të vitit 2020. 

“Shpellat” është një roman që i komunikohet lexuesit falë talentit krijues të autores; falë kulturës dhe interesit të gjallë që ajo ka për letërsinë moderne dhe postmoderne ruse dhe botërore; falë botës së saj shpirtërore që e shpalos edhe përmes artit figurativ, por edhe përmes një fuqie reflektuese për gjendjen postmoderne të individit të epokës tonë: Në këtë të fundit, spikat fokusi që ajo i ka vendosur individit dhe sistemeve në botën post-covid, ku tashmë gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht, sidomos në raportin me tjetrin dhe bashkësinë njerëzore së cilës i përkasim.

Ky roman që mikson teknikat e distopikes, postmodernes dhe fanta-shkencës sjell historinë e personazhit me emrin Silueta C, një vajzë jetime e cila ka lindur nga pasione rastësore qeniesh njerëzore të papërgjegjshme. Në të rrëfehet e gjithë trajektorja e personazhit në betejën për të mbijetuar, duke lëvizur nëpër disa shpella, si: Shpella e Kalasë, Shpella e Tullumbaces, Shpella e Kutive të Kartonit, Shpella e Ballove me Maska, për të vijuar tek Shpella e Urave, Shpella e Humbur, Shpella e Panjohur, por pa arritur që të realizojë ëndërrën e saj për të shkuar tek Shpella e Çokollatave, ku e pret i dashuri i saj. 

Në këto rrugëtime të mistershme, vajza rritet teksa sheh prindër që dhunojnë barbarisht anëtarët e familjes së tyre, krimba që ushqehen me fëmijë, njerëz që zhbëjnë dashurinë njerëzore për hir të egoizmit të tyre, mbretër – tiranë që sundojnë në shpellat e tyre sipas tekave dhe pasioneve, sistemeve që e zhbëjnë individin dhe së fundi, epidemi që kolapsojnë shoqëri, tamam siç na ndodhi ne të gjithëve me pandeminë në mars të vitit 2020.

Mes fantastikes dhe reales, ky rrëfim të ngul në çdo rresht, duke modeluar mbretëri shpellash që janë po aq mizore sa edhe mbretëritë njerëzore, të cilat kanë të vetmin synim për ta kthyer individin në një numër (si tek romani “Ne” i autorit Jevgeni Zamjatin), apo për ta prodhuar qenien njerëzore si të ishte produkt në seri (të ngjashëm me romani “Më e mira e botëve” e Aldous Huxley). I gjithë romani sendërtohet në përpjekjet e Silueta C për t’u mbijetuar sistemeve, të cilat ndërtohen nga mbretërit për të ndëshkuar banorët e tij; për t’i skllavëruar; për t’i trajtuar si qënie të pavlera; apo, edhe për të ndërtuar sisteme, të cilat nuk mund t’i garantojnë individit sovranitet dhe integritet. 

Shpellat janë zonat e errëta ku ne njerëzit vendosim të pranojmë rregullat sy-mbyllur dhe, që për shkak të imponimit të bindjeve dhe diktatit, jemi të pafuqishëm për të reflektuar rreth guvës në të cilën jetojnë apo rreth ligjeve që sunduesit na imponojnë. Ndodhemi tamam si në shpellën e Platonit, ku njeriu është i verbuar nga drita sapo del prej shpellës dhe e ka të vështirë që të orientohet për disa minuta.  

Të gjithë kapitujt e romanit sjellin mënyrën sesi ndërtohen shpellat, – disa realitetet distopike; me anën e tyre më të shëmtuar të shfaqjes së sistemeve shoqërore, të cilat dhunojnë dhe asgjësojnë vazhdimisht individin. 

Periudha e pandemisë na riktheu shpellat dhe shërbeu si një shtysë për për të kuptuar sesi i kemi ndërtuar ndër shekuj sistemet tona shoqërore; – sesi funksionojnë vlerat dhe bindjet tona, – sesi e shohim dhe e perceptojmë tjetrin, dhe sesi po ndodh tëhuajësimi ekstrem i Tjetrit, – njëherësh si pamundësi për ta njohur më mirë edhe veten tonë. Këtu gjendet edhe drama e madhe njerëzore e gjendjes tonë postmoderne që po e përjetojmë prej dy vitesh, të cilët e ka boshtëzuar thellësisht autorja në këtë rrëfim të pazakontë. 

Ky libër është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe lehtësisht të kuptueshme, me elemente të rrëfimit fantastiko-shkencorë, duke përdorur edhe teknika të përrallës apo të zhanrit mister; por me mesazhe të cilat e vënë lexuesin përballë reflektimit dhe padurimin për t’a zbuluar shpellën-destinacion të personazhit Silueta C. Teksa ndalesh, sidomos në tre kapitujt e fundit, reflekton mbi raportet tona njerëzore, të cilat janë zhbërë që me shfaqjen e pandemisë, e cila na riktheu në shpellë, na distancoi si kurrë më parë nga bashkësia njerëzore. Përkundër kësaj, dashuria njerëzore është e vetmja zgjidhje për personazhin e këtij romani. 

“Shpellat” është një roman që del përtej kontekstit dhe mund të receptohet lehtësisht nga lexues të çdo mjedisi apo vendi. Këtu është vlera e autores e cila ka aftësinë përgjithësuese për të na përcjellë mënyrën sesi njeriu i ndërton sistemet dhe sesi sistemet pamundësojnë shpalosjen e vlerave të individit si qenie me dinjitet. 

Kjo prurje letrare vjen me ndrojten për t’iu komunikuar lexuesit që ka shije të përpunuara estetike; me sfidën për të thyer paragjykimet që ekzistojnë ndaj krijuese të rinj dhe me guximin për të lëvruar letërsinë distopike, – gjë e pazakontë në letrat shqipe të kohës tonë. 

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x