Frrok Çupi
Në sfond, tek nisi të flasë, kishte selinë e Qeverisë, e ndërtuar që në periudhën e Fashizmit. Përballë selinë e Kuvendit, ish selia e Byrosë Politike të Partisë së Punës. Megjithëse në mes objektesh ‘kulti’ të sigurisë maksimale, murgesha katolike dukej dhe lëvizte si e trembur.
Në Bulevard, prej tetë ditësh, zhvillohej një protestë politike. Protesta që u thërrit si ‘qytetare’ ka brenda disa fraksione, që nga grupet e dhunës, grupet e haresë, grupet që i ndalojnë tjetrit të thotë fjalën e tij, ekstravagantët, ziliqarët dhe pritmëtarët për përfitim ‘kur të marrin pushtetin’.
Prej këtyre grupimeve që zhyten e dalin mbi ujë si gogla plastike, murgesha katolike nuk kishte pse trembej. As nga siguria e bulevardit. Madje as nga vetë Vatikani, për të cilin, me sa duket, nuk donte t’ia dinte shumë. Sipas Etikës së Shërbimit Katolik, një murgeshë, normalisht, nuk mund të përfshihet në politikë, në asnjë angazhim aktiv. Murgesha i përkushtohet misionit shpirtëror, ajo ruan misionin e saj fetar dhe unitetin e besimtarëve.
Për këtë urdhër, murgesha nuk do t’ia dijë; punë e saj.
Është tjetër gjë për disa gra dhe vajza të tjera, të mbuluara me burka, që morën fjalën herë pas here, besoj mjaft më të çlirëta. Ato ishin disa, murgesha katolike një e vetme në skenën e bulevardit.
Nuk kaloi shumë kohë, vetëm dy ditë pas ngjitjes në skenë politike të murgeshës katolike, kur Irani, Republikë Islamike, sulmoi shtetin shqiptar dhe u deklarua si mbështetës i protestës së nisur prej dhjetë ditësh në bulevardin e Tiranës. Qeveria shqiptare e kishte paralajmëruar ndërhyrjen e Republikës Islamike të Iranit në nxitjen dhe mbështetjen e protestës në Tiranë. Shteti shqiptar ka vuajtur mjaft, dy vitet e fundit, nga sulmet kibernetike të Iranit. Është mbrojtur vetëm në sajë të mbështetjes së aleatëve perëndimorë të Shqipërisë, SHBA, BE.
Shteti shqiptar e ka përzënë nga vendi ambasadorin e Iranit dhe i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Vendimi është përkrahur si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.
Por ja ku jemi, jo thjesht një murgeshë e trembur, as vetëm një thërritje ‘urgjente’ e një murgeshe katolike për të ‘prishur synin e keq’ në bulevard
Në Tiranë tani po luhet loja e rëndë, lufta mes Lindjes dhe Perëndimit. Këtu janë gjetur njerëz të gatshëm që ta zhvillojnë këtë luftë të largët në tokën e tyre, por jo se kjo vjen në dobi të shqiptarëve. Veçanërisht, sikur larg qoftë, këtu të fitojë luftën Republika Islamike e Iranit, ose edhe një segment tjetër që nuk është Perëndim.
Dikush thotë se barrën e kanë Edi Rama dhe Donald Trump. Barra, demek, pse u morën me Bordin e Paqes, që cenon direkt ‘folenë e grerëzave’, Iranin, i shpallur si sponsor i vetë terrorizmit Islamik. Po atëherë, vallë, duhet që të dalin disa shqiptarë që të sulmojnë ‘mikun e Amerikës, shtetin shqiptar’, me këtë rast. Që të marrin hak?
Dikush tjetër thotë se ‘tani Trump ndodhet në pozita të dobëta’ për shkak të luftës me Iranin. Në kohën kur ‘ti mik nuk je mirë, unë nuk jam me ty’. Aq më tepër që linjat Islamizuese të ardhura nga Irani prej vitesh në Shqipëri, tani e ndiejnë veten si më mirë, duke pasur Iranin në mbështetje. Me këtë rast këta shpresojnë se do ta kthejnë Tiranën në Teheran: ‘Ti në burg, ai në burg, ata ose ato në burg, të gjithë në burg!’. Ky është etydi.
Sulmi alias jatullah kundër hebrenjve, që nga Bulevardi në Tiranë, është lajmi më i zi për kombin shqiptar. Dëgjova një protestues nga Shkodra, doli në podium dhe tha se ‘boll ua krehëm bishtin hebrenjve në vitet dyzet, tani të na shikojnë se nuk jemi ata’. Mu dridhen gjunjët. Po i hyjnë në themel vlerës kombëtare, kodeve tona, shpirtit të kombit tonë për ta bërë zero, ose për ta bërë… Iran.
Le pastaj për vetë prosperitetin e vendit tonë që do të rritet vetëm përmes mbështetjes së Perëndimit dhe investimeve prej SHBA dhe BE. Këtë e fshijnë këta nga letra e fjalimeve. Asnjë minutë e gjithë këtyre ditëve në protestë, nuk është thënë asnjë fjalë për ‘SHBA, për Evropë, për Perëndim, për Qytetërimin Kristiian.
Lufta këtu vazhdon jo me ne, por mes Lindjes dhe Perëndimit. Pa diskutim.
Murgesha katolike që u shfaq në politikën e Bulevardit, nuk mundi të ndryshojë asgjë.