Aksioni i Bashkisë së Tiranës për të transformuar infrastrukturën rrugore në çdo lagje ka nisur nga Njësia 5, në Rr. “Ndreko Rino”. Kryebashkiaku Erion Veliaj iu bashkua punëtorëve gjatë një inspektimi në orët e vona të natës, kur intensiteti i punës është më i lartë për shkak të qakullimit të kufizuar të makinave. Ai tha se ky është një operacion operacion për çdo aks rrugor ku nuk është ndërhyrë ende nga bashkia.
“Do të jetë operacioni më i madh në Tiranë që nga 2015-ta. Nuk do lëmë asnjë rrugë pa asfaltuar. Sigurisht, ndodhi një traumë e madhe me atë që shkaktuan bursat, me rritjen e çmimit të naftës, pastaj çelikut e betonit, prandaj kemi vendosur që buxhetin e parealizuar të bashkisë t’a çojmë për ndërhyrje në nivel kapilar në Tiranë. Njerëzit nuk e kalojnë tërë kohën te sheshi “Skënderbej”; mund të shkojnë aty për një koncert apo aktivitet, por shumicën e kohës jetojnë në lagjen e tyre. Ndaj, po ndërhyjmë në të gjitha lagjet e Tiranës, me të njëjtën cilësi siç po punohet këtu, në rrugën paralele me “Rrugën e Kosovarëve”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se këto ndërhyrje pritet të rrisin vlerën e pronës në çdo lagje e komunitet në kryeqytet.
“Fakti që shoh se reklamohen biznese deri në katin e tretë të pallateve, duke filluar nga një supermarket, te një sallon bukurie apo klinikë dentare, do të thotë se vlera e pronës është rritur. Me ndërhyrjen në infrastrukturë në nivel kapilar, i bëjmë shërbimin më të madh qytetit. Tiranës i është rritur vlera. Fakti që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, nuk do të thotë se duhet të jetë vetëm qendra e Tiranës, por duhet të jetë çdo nivel i qytetit. Fakti që sot çmimi ka arritur në 2000 – 2500 euro, nuk është vetëm vlera e atij që ka ndërtuar, është edhe vlera e investimit poshtë. Kur ka ndriçim LED, kur ka akses në rrugën kryesore, kur ti për 100 metër je në autostradën që lidh Tiranën me Unazën e Madhe, do të thotë se çdo punë që bëjmë ia ka rritur vlerën e shtëpisë secilit respektivisht,” deklaroi kryebashkiaku.
Punimet po kryhen në funksion të projektit për ndërtimin e segmentit rrugor dhe pedonales nga sheshi “Federik Shopen” deri në kryqëzimin me “Rrugën e Kosovarëve”.