26.5 C
Tirana
10 / 10 / 2024

‘Nga sfida e re në kërcim tek ofertat për të braktisur Shqipërinë’, rrëfehet kampionia Luiza Gega

Ky ka qenë pa dyshim viti i saj. Luiza Gega na ka bërë të gjithëve krenarë teksa është shpallur Kampione e Europës.

Tashmë një sfidë e re gjendet përpara saj, ku te “Dance with Me” do të provojë veten edhe në kërcim. Në këtë intervistë për “Panorama Plus”, Luiza rrëfen pritje që iu bë nga Kryeministri si dhe gjithë zhurmën mediatike që pasoi.

Si asnjëherë më parë, ajo zbulon edhe raportet me meshkujt, sidomos pas triumfit të fundit. Luiza Gega, pa dyshim krenaria e vendit tonë.

Cilat ishin emocionet në momentin që u shpallët fituese, mendimi i parë që ju erdhi?

Shumë faleminderit. Kam pasur shumë emocione atë ditë, por mendimi që erdhi në atë moment ishte: Zot i Madh, ia dola dhe kjo ishte arsyeja pse unë ulem dhe bashkoj duart dhe kthej sytë nga qielli.

Është diskutuar shumë pritja juaj në Tiranë, në sytë tuaj si ishte, si u ndjetë?

Për sa i përket pritjes jam ndjerë e vlerësuar dhe që Kryeministri më vlerësoj me çmimin “Ylli i madh i Mirënjohjes Publike”, që shumë pak veta janë vlerësuar me çmim të tillë.

Të shumtë kanë qenë edhe komentet se jeni përdorur nga politika, e ka ndjerë një fakt të tillë Luiza?

Jo, nuk jam ndjerë e përdorur. Shiko, në të gjithë botën po ta shikoni sportistët kur arrijnë medalje të mëdha priten si heronj dhe unë thjesht kam qenë shumë e lumtur që kjo gjë po ndodh më në fund dhe te ne. Mendoj që gjithmonë do të ketë njerëz që ngatërrojnë bindjet e tyre politike me një vlerësim që duhet t’i bëhet një sportisti nga kushdo parti që është në pushtet.

Sa e shpërblyer ndiheni pas këtij triumfi të madh?

Varet se çfarë kuptoni me shpërblim në qoftë se e keni për shpërblimin që unë kam marrë nga lodhja që bëj ndër vite me një medalje të tillë, ‘PO’ e mora atë shpërblim. Në qoftë se e keni për shpërblim monetar, unë e kam thënë që prej dy vitesh shpërblimet janë vërtet të mira dhe të motivojnë për t’u përpjekur më fort për t’i arritur ato, por duhet të kuptoni që pas këtyre shpërblimeve janë dhe shumë kosto që janë bërë, për grumbullime gjatë gjithë shumë viteve që t’i të arrish tek ato shpërblime.

E keni menduar ndonjëherë që të bëheni pjesë e sportit të një shteti tjetër?

Në fakt, jo, edhe pse oferta kam pasur, unë këtë sport po e bëj sepse e dua vërtet shumë dhe se gjithmonë garimi me ngjyrat kuq e zi më jepte shumë emocion dhe një nga arsyet pse kam punuar fort për medalje të mëdha është që t’i ndjeja më shumë këto emocione me ato ngjyra. Kjo ishte arsyeja e parë. Arsyeja e dytë është që gjithmonë mundohem të shikoj larg dhe gjithmonë kam besuar që gjërat ndryshojnë gjatë dhe në vendin tonë dhe të them të drejtën, vitet e fundit e kam ndjerë ndryshimin për sa i përket mbështetjes që po na bëhet ne sportistëve apo vëmendjes që kemi tani.

Ndërkohë, pas këtij triumfi, dukeni edhe më mediatike, mendon se do të venitet me kohën?

Po, është e vërtetë që kam shumë vëmendje këtë kohë, por vëmendjen më të madhe dhe emocionet më të mëdha që i ndjej janë urimet e njerëzve që më ndalojnë në rrugë dhe që thonë kemi qarë bashkë me ty, apo që na duhej një emocion i tillë dhe po e shijoj shumë këtë gjë. Për sa i përket vëmendjes mediatike, e kuptoj pjesën që unë tani jam dhe ndoshta lajm dhe mediat patjetër që e duan këtë, nuk jam natyrë që më pëlqen vëmendja apo që kjo që bëj e bëj për vëmendje, por thjesht gjërat lidhen bashkë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por mendoj që të gjithë kemi kohën tonë, momentin tonë dhe duhet ta shijojmë kurdo që vjen.

Luiza në sfidën e kërcimit, si të erdhi ftesa?

Mora një telefonatë nga produksioni që shprehën dëshirën të më kishin aty, fillimisht nuk pranova refuzova pa menduar fare sepse kurrë se kam provuar veten në diçka tjetër përveç kësaj që bëj, qoftë edhe për qejf. Por ka pasur shumë këmbngulje nga ato për ditë të tëra që dëshironin vërtet shumë të isha pjesë sepse njerëzit kishin dëshirë të më shikonin ndryshe, të afërmit e mi dhe familja ime më shtynte që ta provoja si eksperiencë duke qenë se unë jam dhe periudhë jashtë sezonit të garave ato i fillojmë në shkurt. Reflektova dhe ndoshta duhet t’i jap vetës një periudhë argëtimi, këtë po bëj dhe po e shijoj vërtet.

E famshme, e suksesshme, një krenari kombëtare, a është shtuar numri i meshkujve që ju shkruajnë?

Yyyy, namiii, ahahha, unë mendoj ende s’po gjej kohë për t’u relaksuar për vete, sepse vërtet ka qenë periudhë shumë dinamike për mua. Ka plot njerëz që më shkruajnë, sidomos në rrjetet sociale, por as që nuk kam kohë t’i shikoj.

Në sferën personale, cilat janë kërkesat e Luizës për veten?

Nuk kam një kërkesë ekzakte, por di që do të jenë njerëz që kanë të përbashkëta me mua, qoftë ambicia për gjërat, puna, vullneti, vendosmëria. Nuk më pëlqejnë qoftë edhe të rrethohem nga njerëz dembelë, që s’kanë ambicie për gjërat, vullnet e të gjitha ato që përmenda. Gjithsesi, mendoj që ka plot në të dyja rastet./ Panoramaplus.al

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x