Për herë të parë në shqip shkrimtarja më e lexuar në Europë
Shkrimtarja franceze Tatiana de Rosnay ka befasuar lexuesit me stilin e saj të përsosur, të rrjedhshëm, me ngjarje befasuese dhe emocionuese njëherësh. Autore e 15 romaneve, gazetare, skenariste, kritike letrare ajo ka arritur të jetë një nga shkrimtaret më të vlerësuara franceze. Në fillim në Francë, më pas edhe në Europë e kudo në botë, ajo ka arritur të klasifikohet si një nga pesë shkrimtarët më të lexuar në Europë. Librat e saj janë përkthyer në rreth 40 vende dhe ajo është në listën e romancierëve francezë më të lexuar jashtë vendit, veçanërisht në Hollandë dhe SHBA.
Romanet e Tatiana de Rosnay, që janë të frymëzuara nga ngjarje apo momente reale të historisë, e përfshijnë lexuesin në botë të ndryshme dhe të larmishme, duke u ofruar atyre emocione dhe reflektim.
Për herë të parë kjo shkrimtare vjen në shqip nga Shtëpia Botuese Mediaprint dhe e përkthyer nga Adriana Koxha, e cila ka sjellë sprova të tjera të autorëve të famshëm francezë. Në një prononcim të saj, ajo na rrëfen se, ky libër do t’i befasojë lexuesit jo vetëm me historinë e bukur dhe emocionuese, por edhe për stilin e veçantë të autores si krijuese. Autorja zhbiron shpirtin njerëzor dhe na fton në një vend të mbyllur, sa të errët aq edhe të ndriçuar.
Në këtë roman Tatiana de Rosnay ndërthur fatet, të shkuarën dhe të tashmen, për të ravijëzuar më pas kohën kur plagët e brendshme më në fund shërohen. Ajo përshkruan me sinqeritet dhe delikatesë, dy portrete të grave krejtësisht të kundërta, duke ndarë me ne pasionin e tyre për shkrimtarin Émil Zola.
… Një nënë beqare njëzet e tetëvjeçare, Kandisë Luradur, e tronditur nga vdekja së fundmi e babait të saj, bën një jetë të vakët. Një mbrëmje dimri me shi në Paris, ajo është dëshmitare e një aksidenti trafiku. Një grua është rrëzuar dhe plagosur rëndë. E tronditur, Kandisa e ndihmon atë, më pas i shkon në spital. Pak nga pak, lind miqësia midis dy grave. Deri në ditën kur Dominika i kërkon Kandisës të shkojë në shtëpinë e saj për t’i marrë disa sende personale. Nga ai çast, gjithçka do të ndryshojë…
Përse Kandisa dëshiron të rrëmojë në intimitetin e një ekzistence, për të cilën ajo në fund të fundit nuk di asgjë? Dhe kush është Dominikë Markizani, elegante, rreth të pesëdhjetave, kaq e vetmuar dhe enigmatike? Përse e zbulon thesarin e saj, një shënim të ëmbël të gjetur në banesën e tij në 66 rue Saint-Lazare, vendi ku jetonte Zhana, e dashura e shkrimtarit Emil Zola? Një letër dashurie e shkruar nga dora e Émile Zola. Në këtë moment, lexuesi është zhytur plotësisht në historinë e këtij autori të pamasë dhe pret me padurim të dijë më shumë.
Titulli i librit është i veçantë, “Nesër do bëhemi më mirë”, janë fjalët e fundit të shkrimtarit Émile Zola i cili është personazh në këtë histori.
Duke lexuar, do të mësoni pak më shumë edhe për historinë personale të shkrimtarit, i cili ndërroi jetë më shumë se një shekull më parë.
- “Lavatriçja e korrupsionit”, Flamur Noka sulmon Grida Dumën pas intervistës me Karçanajn - 16/05/2026
- Integrimi në BE, Berisha: Shqipëria nuk i plotëson kriteret. Jemi vend shumë i rrezikshëm - 16/05/2026
- KiE aprovon modelin e Italisë për emigrantët, Meloni: “Gjadri” merr mbështetjen e 46 vendeve - 16/05/2026