Sali Berisha, ka dalë në konferencën e përjavshme me gazetarët, teksa ka folur për protestën e 6 dhjetorit, dita kur në kryeqytetin shqiptar mblidhen liderët më të mëdhenj të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor.
Sipas Berishës, protestat në samite apo takime ndërkombëtare, përveç vendeve totalitare, janë gjërat më normale në vendet e lira.
Ai shkon dhe më tej duke u shprehur se ndodh shpesh që liderët e BE madje t’i qëllojnë me vezë dhe bojë.
“Më 6 dhjetor, në Tiranë zhvillohet samiti i vendeve anëtare të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. Protestat në samite dhe takime ndërkombëtare, përveçse në vendet diktatoriale, janë gjëja më normale, janë pothuajse ligj.
Kudo ku ka takime liderësh, ka protesta për kauzat. Qytetarët jo rrallë kanë kaluar në këto protesta edhe në mosbindje të thellë civile. Kjo ka ndodhur në Athinë, Xhenoa, Paris, Dublina, Uashington etj.
Pak javë më parë, amerikanët protestuan në Nju Jork gjatë samitit të OKB. Në Bruksel u zhvilluan protesta pak muaj më parë kur mbahej samiti me Afrikën i BE. Askush nuk i pengoi, askush nuk i ofendoi si agjentë të Kremlinit siç bën Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla.
Amerikanët protestojnë kur ka samite, francezët protestojnë kur ka samite, evropiano-perëndimorët i qëllojnë me vezë dhe bojë kur ka samite. Por kjo nuk ndodh kurrë në Korenë e Veriut, në Kubë, Egjipt, Arabi Saudite apo gjetkë. Atje protestat janë të paligjshme dhe qytetarët nuk protestojnë dot. Në Moskë nuk lejohen protestat.”