Kujt ia merrte mendja që në një nga eventet më të rëndësishme të modës, në pasarelë do të shihnim gruan e bosit meksikan të drogës, Joaquin El Chapo Guzman.
Një vit pas lirimit nga burgu, ku vuajti dënimin për shpërndarje të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe transaksione biznesi me trafikant të huaj narkotikësh, Emma Coronel Aispuro, një ish-mbretëreshë bukurie, u shfaq në Javën e Modës në Milano.
Ajo sfiloi për April Black Diamond, me bazë në Los Angeles, që prezantoi në javën e modës koleksionin e ri. Emma u shfaq me një fustan të bardhë nusërie, me gurë, kombinuar me bizhuteri të rënda, një paraqitje ku e kaluara e saj e errët u rishikua si një e ardhme e re dhe e ndritur.
“Shfaqja jonë e radhës nuk fokusohet ekskluzivisht te fustanet, por te historitë që i sjellin ato në jetë”, tha stilistja e April Black Diamond.
Në një botë ku moda shpesh feston bukurinë e jashtme, ne jemi të përkushtuar të tregojmë një rrëfim më të thellë dhe më të fuqishëm. Besoj se të gjithë meritojnë një shans të dytë dhe moda është platforma e përsosur për të nxjerrë në pah transformimin dhe forcën”, u shpreh stilistja.
“Kjo është arsyeja pse mora vendimin e guximshëm për të punësuar si modele kryesore një grua të jashtëzakonshme, e cila, pavarësisht nga një e kaluar e shënuar nga polemika, ka zgjedhur të rishkruajë të ardhmen e saj. Ajo nuk është vetëm një model për veshjet tona, ajo është një shembull i forcës, guximit dhe shpresës. Udhëtimi i saj nga një e kaluar e trazuar në një të ardhme premtuese mishëron mesazhin që dua të përcjell me këtë koleksion: nuk është kurrë vonë për të ndryshuar jetën tuaj dhe çdo grua meriton mundësinë të ecë me krenari dhe besim, pavarësisht se nga vjen”, ishte mesazhi i stilistes.
Joaquin El Chapo Guzman dhe Emma Coronel Aispuro u martuan kur ajo ishte adoleshente. Bosi i drogës, El Chapo u dënua me burgim të përjetshëm pesë vite më parë, ndërsa më pas, gjykata dënoi edhe Emman për përfshirjen e saj në kartelin Sinaloa, por edhe për ndihmën e dhënë të shoqit në 2015 për t’u arratisur nga burgu. Për të u vendos 2 vite e gjysmë burg, por duke bashkëpunuar me DEA, rifitoi lirinë më herët.
- Papa Françesku shenjtëron adoleshentin italian si apostull kibernetik/ Ishte vetëm 15 vjeç kur vdiq nga leucemia - 21/11/2024
- Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës padit për shpifje deputetin Gazment Bardhi - 21/11/2024
- VIDEO/ Vermoshi dhe Thethi “vishen” me të bardha, dëbora mbulon zonat malore - 21/11/2024