19.5 C
Tirana
23 / 04 / 2026

Ndahet nga jeta “Rilindasi i fundit” dhe “Nderi i Kombit” REXHEP QOSJA. Familja: U varros sot! Amaneti i tij ishte…

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, akademiku i njohur, Rexhep Qosja.

Familja ka zbuluar detaje teksa shprehet se po sot është zhvilluar edhe ceremonia e varrimit, në heshtje të plotë, sipas dëshirës së vetë Qoses.

Familja e tij gjithashtu shprehet se nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, thuhet në njoftimin e publikuar nga nipi, Valjet Rexhepi.

Kush ishte Rexhep Qosja

Rexhep Qosja (25 qershor 1936 – 23 prill 2026) ishte një nga figurat më të rëndësishme të mendimit intelektual shqiptar, i njohur si historian i letërsisë, kritik letrar, shkrimtar, publicist, akademik dhe veprimtar politik.

I lindur në Vuthaj, ai kreu shkollimin fillor në vendlindje dhe më pas u formua akademikisht në Prishtinë dhe Beograd, ku përfundoi studimet dhe doktoroi në fushën e letërsisë shqipe me një punim për poetin Asdreni.

Qosja ka pasur një karrierë të gjatë akademike dhe shkencore në Kosovë, duke punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe në Universitetin e Prishtinës, ku ka mbajtur poste të rëndësishme si studiues, profesor dhe drejtues institucionesh shkencore. Ai ka qenë gjithashtu drejtor i Institutit Albanologjik dhe një nga figurat kryesore të albanologjisë moderne.

Në aspektin letrar, ai është autor i mbi 30 veprave që përfshijnë studime shkencore, kritikë letrare, romane, tregime dhe publicistikë. Veprat e tij trajtojnë historinë e letërsisë shqipe, kulturën dhe çështjet kombëtare shqiptare, duke e bërë atë një nga autorët më me ndikim në fushën e albanologjisë.

Disa nga veprat e tij:

-Episode letrare, 1967

-Dialog me shkrimtarë, 1968

-Antologjia e lirikës shqipe, 1970

-Kontinuitete, 1972

-Asdreni – jeta dhe vepra, 1972

-Panteoni i rralluar, 1973

-Vdekja më vjen prej syve të tillë, 1974

-Shkrimtarë dhe periudha, 1975

-Anatomia e kulturës, 1976

Mite të zhveshura, 1978

-Prej tipologjisë deri te periodizimi, 1979

Morfologjia e një fushate, 1980

Nocione të reja albanologjike, 1983

-Historia e letërsisë shqipe I, II 1984

-Antologjia historike e letërsisë shqipe, 1985

-Historia e letërsisë shqipe III, 1986

-Porosia e madhe, 1986

-Populli i ndaluar, 1990

-Strategjia e bashkimit kombëtar, 1992

-Çështja shqiptare: historia dhe politika, 1994

-Ligjërime paravajtëse, 1996

-Fjalor demokratik, 1997

-Paqja e përgjakshme: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, 1999

Një dashuri dhe shtatë faje, roman, 2001

-I ringjalluri i penduar, tregim satirik, 2002

-Ideologjia e shpërbërjes, 2006

-Realiteti i shpërfillur, 2006

Nata është dita jonë, 2007

-Shqipëria dhe Kosova – Si janë dhe si do të duhej të jenë, 2013

Të fshehtat e treguara, roman, 2020

Pas viteve ’90, Qosja u shqua edhe si një zë kritik ndaj elitës politike dhe kulturore shqiptare, ndërsa ka qenë aktiv edhe në debatet publike për çështjen kombëtare shqiptare.

Për kontributin e tij, ai është nderuar me disa çmime brenda dhe jashtë vendit, përfshirë titullin “Nderi i Kombit” nga ish-Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, si dhe çmime të tjera letrare e shkencore.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x