Nga Ylli Manjani
Ka një lloj morali publik që në Shqipëri është bërë modë. Morali i gishtit. Ai që tregon gjithmonë shtëpinë e tjetrit, por nuk flet kurrë për oborrin e vet.
Po të shohësh statistikat e Censusit dhe t’i krahasosh me të dhënat zyrtare për ndërtimet me dhe pa leje, del një paradoks që meriton diskutim serioz: një pjesë shumë e madhe e familjeve shqiptare zotërojnë më shumë se një banesë. Mesatarisht del rreth dy banesa për familje. Ka familje me një, ka familje me tre apo katër, por fotografia e përgjithshme është kjo.
Nuk është e vështirë ta besosh. Mjafton të udhëtosh nëpër Shqipëri. Zonat informale janë mbushur me ndërtime shumëkatëshe. Shumë prej atyre që ndërtuan aty nuk e braktisën shtëpinë e fshatit apo të qytetit nga u larguan. Thjesht shtuan një të dytë. Pastaj erdhi vala e ndërtimeve, apartamenteve të shitura me shumicë, derisa tregu u mbush.
Dhe këtu lind pyetja.
Si është e mundur që kemi kaq shumë familje me dy banesa dhe, në të njëjtën kohë, kemi mijëra përfitues të ndihmës ekonomike?
A mund të konsiderohesh zyrtarisht i varfër kur je pronar i dy shtëpive, njëra prej tyre edhe dy ose tre kate? Me çfarë standardi justifikohet që taksat e qytetarëve të financojnë asistencë sociale për dikë që zotëron një pasuri të tillë?
Këto nuk janë pyetje cinike. Janë pyetje për drejtësinë sociale.
Sepse kur shteti nuk arrin të dallojë varfërinë nga pasuria, nuk prodhon solidaritet. Prodhon farsë.
Dhe farsa bëhet edhe më e rëndë kur hyn në skenë morali fallco.
“Të varfrit” me nga dy shtëpi fillojnë të bëjnë rolin e prokurorit moral. Pyesin të tjerët: “Pse ke dy shtëpi?”, “Pse ke vilë?”, “Ku i gjete lekët për vilën?”
Pyetje të ligjshme. Por ato vlejnë për këdo.
Atëherë lind një pyetje tjetër, po aq e ligjshme: Po ti, me çfarë i bëre dy shtëpitë? Me çfarë e ngrite vilën shumëkatëshe ndërkohë që figuron përfitues i ndihmës sociale?
Mos më thuaj se bleve shtëpi me rrogën e pa marrë prej muajsh se pronari i medias ska lekë të të paguajë! Nuk ta pranoj dot as llogjikën se ke hapur një portal dhe u bëre pasanik me pisllëqet që shkruan aty, apo edhe me të vërtetat apo gjysëm të vërtetat që godet dynjanë.
Mos më thuaj se pasuria jote si politikan jo në qeveri qenka më e drejtë se e atij tjetrit, që në të njëjtat kushte si ty ka një vilë apo shtëpi më modeste.
Please no!
Nëse kërkon transparencë për pasurinë e tjetrit, transparenca fillon nga pasuria jote.
Ky standard duhet të vlejë për të gjithë. Për politikanin, biznesmenin, gazetarin, komentuesin publik dhe qytetarin e zakonshëm. Askush nuk fiton imunitet moral vetëm sepse bërtet më fort.
Nuk mund të ndërtohet një etikë ku vila e dikujt është provë korrupsioni, ndërsa vila jote është “hall social”. Nuk mund të ketë dy kode morale, një për ata që i tregojmë me gisht dhe një tjetër për ata që mbajnë gishtin ngritur.
Populli e ka thënë shumë më thjesht: Kur t’i hash pulën tjetrit, lidhe tënden në magje.
Ose rregulli vlen për të gjithë, ose nuk vlen për askënd.
Nëse posedimi i një vile është arsye për të kërkuar shpjegime, atëherë shpjegime duhet të japë kushdo që zotëron një vilë. Nëse nuk është arsye, atëherë le të pushojë hipokrizia që e përdor pronën vetëm si armë kundër kundërshtarit.
Morali nuk matet me volumin e akuzës, por me barazinë e standardit.
Padyshim edhe morali i ligjeve dhe i politikës që buron nga ky falsitet social, është i gabuar. Se të njëjtat pyetje i vlejnë edhe për prokurorin apo gjykatësin që vendos në bazë të këtij morali kolektiv fals.
Falsiteti që vjen nga informaliteti kolektiv nuk bën dot drejtësi. Falsiteti prodhon betëm shkumë ndai viktimës së piketuar dhe hakmarrje nga shkuma e jargëve kolektive.
Një shoqëri ku një pjesë figuron e varfër në letra, jeton në vila në realitet dhe njëkohësisht u jep leksione morali të tjerëve, nuk është thjesht e padrejtë. Është një shoqëri që ka filluar ta ngatërrojë solidaritetin me privilegjin dhe hipokrizinë me virtytin.
Ky është, ndoshta, falsiteti më i neveritshëm nga të gjithë.
- Morali fallso… - 16/09/2026
- Seanca në Hagë, trupi gjykues: Nuk kishte krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së - 16/09/2026
- “Ky proces nuk ka të bëjë me pastërtinë e luftës çlirimtare”- Gjyqtari Smith lexon verdiktin për ish-krerët e UÇK-së: S’ka të bëjë me pavarësinë e Kosovës! - 16/09/2026