Gatimet tradicionale, prodhimet e zonës, vallja e kënga mokrare, e mbi të gjithë dollitë, shoqëruan edicionin e 3-të të “Mokra N’Fest” zhvilluar këtë fundjavë në Pogradec. Një festë popullore organizuar nga bashkia që bën bashkë mokrarët e jo vetëm.
Fokusi kryesor i kësaj feste është promovimi i monumenteve të kulturës dhe natyrës së kësaj krahine, ndaj këtë vit është zhvilluar pranë urës së gurit në Golik, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, një nga destinacionet që vlen për tu vizituar, pasi jep mundësi të mëdha edhe për sportet ujore e motorike.
Festa e Mokrës nxjerr në pah edhe traditat e zonës si dhe punën e artizaneve e të amvisave, të cilat ekspozojnë dhe tregtojnë prodhimet që i nxjerrin nga puna e tyre e përditshme në fshat.
Sportet ujore në lumin Shkumbin deri edhe tek pikturat në natyre ishin një pjesë tjetër interesante e këtij edicioni. Mundësi këto, që zona i ofron për turizëm disa stinor.
Në këtë aktivitet u prezantua edhe një ekspozitë më foto që shfaqeshin për herë të parë, të gjetura në arkivat austriakë nga Ledian Zeqollari, foto këto të periudhave të luftës së parë dhe dytë botërore.
Dy edicionet e para të kësaj feste u mbajtën në Varret monumentale Ilire, ndërsa rrugëtimi i saj do të vijojë vit pas viti, në çdo monument të zonës.
Mokra dhe mokrarët treguan edhe njëherë se dinë si të mirëpresin.