Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj zgjedhjeve për Dumën Shtetërore të Rusisë, të zhvilluara nga 18 deri më 20 shtator, duke deklaruar se nuk i njeh votimet e zhvilluara në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se zgjedhjet dëshmojnë, sipas BE-së, “erozionin e vazhdueshëm dhe në thellim të demokracisë” në Rusi.
BE-ja dënoi organizimin e zgjedhjeve në Krime dhe Sevastopol, si dhe në pjesët e rajoneve Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson që ndodhen nën kontrollin rus.
Sipas bllokut evropian, zhvillimi i këtyre votimeve bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, si dhe me sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Bashkimi Evropian përsërit se nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë mbajtjen e këtyre të ashtuquajturave ‘zgjedhje’ në territoret e pushtuara përkohësisht të Ukrainës dhe as rezultatet e tyre”, thuhet në deklaratë.
BE-ja paralajmëroi gjithashtu masa ndëshkuese ndaj personave që kanë marrë pjesë në organizimin e votimeve ose kanë kandiduar në territoret e pushtuara ukrainase. Sanksione pritet të ketë edhe ndaj individëve që, sipas BE-së, kanë cenuar mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda Rusisë.
Në deklaratë kritikohet edhe procesi zgjedhor brenda Rusisë. BE-ja përmendi përjashtimin e kandidatëve të partisë Yabloko nga lista federale, kufizimin e aksesit në informacion të pavarur dhe përdorimin e burimeve administrative dhe gjyqësore kundër forcave opozitare.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Brukseli është mungesa e vëzhguesve të OSBE-së, pasi Rusia nuk i ftoi ata për të monitoruar zgjedhjet. Sipas BE-së, kjo pengoi një vlerësim të pavarur dhe të paanshëm të procesit zgjedhor.
Në përfundim, BE-ja i bëri thirrje Rusisë të respektojë kufijtë dhe sovranitetin e Ukrainës, të pranojë një “armëpushim të plotë, të menjëhershëm dhe pa kushte” dhe të tërheqë forcat dhe pajisjet e saj ushtarake nga territori ukrainas.
- Kreu i delegacionit të PE: Shqipëria po bën hapa spektakolarë në negociatat me Bashkimin Evropian - 21/09/2026
- Këshillat e vjehrrit miliarder që mund ta ndihmojnë Brooklyn Beckham të ndërtojë një pasuri më të madhe se ajo e prindërve - 21/09/2026
- BE-ja s’i njeh zgjedhjet ruse në territoret e pushtuara të Ukrainës, paralajmëron sanksione - 21/09/2026