8.5 C
Tirana
17 / 01 / 2026

MOHIKANI I FUNDIT – MUMTAZ DHRAMI

Nga Josif Papagjoni

…Duke parë monodramën “Nënë Tereza” me interpretimin e mikes sime të ngushtë dhe shoqes së kursit të aktrimit, Justina Aliaj, bri meje ishte ulur Mumtaz Dhrami. Përherë e kisha parë thuajse në të gjitha premierat e Teatrit Kombëtar. Një i dashuruar pas artit. Shkrepa një foto me të dhe aty për aty vendosa të shkruaja disa fjalë për këtë mohikan të fundit prej brezit të artistëve të lavdishëm të “gurit” para viteve ‘90: Odise Paskalit, Janaq Paços, Shaban Hadërit, Kristaq Ramës, Thoma Dhamos, Perikli Çulit, Hektor Dules etj. Qysh student mua më ngazëllente ky njeri i daltës, me trupin e shkurtër e të mbledhur. Ishte pedagog i skulpturës, por i kudogjendshëm. I shpenguar. I zhdërvjelltë si rrallë të tjerë. Nuk rrinte rehat në një vend. I thjeshtë sa s’kishte më. Dhe shumë, po shumë ama, komunikues me studentët. I barabartë me ta. Ishte nga të paktët pedagogë që ndiqte aty, në një sallë të ish Institutit të Lartë të Arteve, kati i tretë, në vitet 1971-1972, ku qe vendosur një televizor. Shikonte tok me ne filma të trasmetuar nga RAI. I lejonin atëherë. Qe një “pranverë” e vogël liberalizimi. Dhe kur në ekran dilte ndonjë imazh erotik, paksa i nxehtë, një piktor, që përkthente nga italishtja dhe “komandonte” televizorin, e hiqte duke e ndërruar shpejt stacionin. Të gjithë ne klithnim në kor “mos e hiq, mos e hiq!”. Ai drejtonte sytë nga Mumtazi dhe ai i thoshte: “Mbaje aty ku ishte!”. Ja, ky ishte Mumtazi, një pedagog i shpenguar, liberal, gazmor. Madje kujtoj se kur bënim zborin, si pedagog i ri që isha, rrinim me dy krevatë marinari ngjitur: Unë me Xhemil Simixhiun në njërin dhe Kristaq Rama me Mumtazin në tjetrin. Pak më tej qenë kritikët Razi Brahimi, tejet serioz dhe Adriatik Kallulli, tejet i përzemërt. Po çfarë punonte ky njeri me të gjithë ne, o zot! E ngacmonte Kristaqin dhe ai qeshte nën hundë. Ishin miq të ngushtë. “Meloditë” e atij zbori qenë një tjetër hare e shpengimit tonë.

Talentin për skulpturë e kishte të lindur qysh në fëmijëri dhe eci kësaj udhe viteve të Liceut Artistik. Qysh i ri e formësoi prirjen e brendshme për skulpturën monumentale, çka e ktheu në natyrë të vet qysh nga vitet e studimit për skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura “Rjepin”, në Leningrad (Shën Petërburg), të cilën e përfundoi në vitin 1961. E paçmuar është ndihmesa e tij si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ku punoi vijimisht deri në fillim të viteve 90 dhe nxori breza skulptorësh të njohur. Dhrami i ka të dyja: edhe sasinë e punimeve dhe cilësinë e tyre. Prodhimtarë si ai s’besoj se ka ndonjë skulptor tjetër në harkun e viteve 1960-1990. Por edhe pas këtij viti ai nuk reshti. E shihje përherë tek shkonte në studjon e tij ku kishte qelën, kishën a tempullin e vet, ku gjente paqen, merrte daltë e çekiç, përkëdhelte gurin, i jepte shpirt, një aht…

Ah, kjo ndjesi magjike e Mumtazit! Ishte si një Pigmalion që i falte gurit të ftohtë zemrën e tij të ngrohtë. Një pafundësi portretesh kanë dalë nga duart e tij. Rrinë në muzeume, mjedise sociale, shkolla, varre. Fytyra të mbuluara prej mallëngjimit. Mumtaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri krijuan një qelizë arti. Art i dimensioneve të përjetshme. Këtyre skulptorëve të mrekullueshëm, që koha, fati, situata apo Zoti i bëri bashkë si gishtat në një grusht, populli shqiptar u është përjetë mirënjohës. Dy monumente janë sot lavdia e skulpturës sonë: Monumenti i Pavarësisë (1972, Vlorë, bronz, bashkëpunim), Monumenti Nënë Shqipëri (1972, beton, Tiranë, bashkëpunim). Veç këtyre, para viteve ‘90 Mumtazi ka realizuar mjaft skulptura monumentale vetjake. Te fasada e Kryeministrisë vendet bosh u mbushën me Reliefin e punuar prej tij, ku përtej klasicizmit akademik të kompozimit gjithkush vë re një hijeshi plastike dhe një natyrshmëri të lëvizjes, gjestit, fytyrave (1974, Tiranë, beton, bashkëpunim). La gjurmë në kujtesë Monumenti i luftës së vitit 1920, realizuar më 1978. Pas dy vjetësh ai ofroi një zgjidhje të bukur monumentale me Monumentin e Drashovicës (1980), ku sot njeriu pas hapjes së rrugës së re zemrës së Labërisë, ka qejf ta kundrojë për qejf dhe të bëjë një foto. Sa herë shkon në Durrës nga rruga e vjetër, te kthesa e Pezës ja ku ia beh Monumenti i Konferencës së Pezës, që ka gjithë patosin çlirimtar të kohës, thadruar mbi një masiv shkëmbor që krejt relievin e kthen në një imazh imponues lirie.

Përherë te skulptura e tij mua më ka rrëmbyer fryma epike, portretet e ashpra prej qëndrestarësh dhe burrash që “të marrin gjak në vetull”, tiparet e qarta të fytyrave të gdhendura me daltë të fortë. Ndihet qëndresa, tensioni para diçkaje për jetë a vdekje, një dinamizëm i shfaqshëm në kompozimin figural. Këtë mund ta dallosh me sy të parë në tri monumentet e fundviteve ‘80. Monumenti në gur i Enver Hoxhës (1988, Gjirokastër), ishte vendosur në pikën zotëruese të qytetit. Syri i skulptorit e solli liderin komunist në një qasje psikologjike prej mendimtari, me vështrimin e tretur diku tej, njeriu i përmallshëm ndaj Gjirokastrës ku kishte lindur dhe një vizionari politik. Figura ishte e ulur paqësisht, duke krijuar imazhin e prijësit largpamës. Ky monument me vlera artistike për kohën, u thye nga protestuesit gjatë ndryshimeve politike pas vitit 1991. Në fakt, monumentet e diktatorëve zemërimi popullor përherë i ka rrëzuar nga piedestalet, i ka thyer. Enver Hoxha e meritonte atë zemërim. Por… por… ajo vepër, nëse mendja do të ishte më pak e zjarrmuar, mund të magazinohej diku. Kujtesat historike, kur përthyhen përmes artit dhe kur distanca kohore është krijuar sakaq, e ruajnë atë ku dhe si arti shprehet ne nje kohe të dhënë. Monumenti i Stalinit në Gjeorgji, njeri nga tiranët më të mëdhenj të kohërave, ngrihet si vepër e madhërishme. Eh, punë e ngatërruar kjo! Nuk e di nëse krahasimi është më i pershtatshëm për raportin e artit me historinë dhe bashkëkohësinë, me tutje raportin e brishtë midis vlerës estetike dhe asaj shoqërore, ideologjike, mesazhore. Kërkon kthjelltësinë e vet!

Portrete, figura dhe kompozime të shumta e shoqërojnë rrugëtimin e Mumtazit nëpër vite e zgripe: para dhe pas vitit 1990. Nuk duhet shumë kohë t’i japësh një emër skulpturës së tij, e cila, paçka se kohët ndryshuan dhe liria e krijimit kishte bujtur, stili, marka dhe fytyra e artit mbeti po ajo, një sundim i imazhit epiko-heroik i tipologjisë estetike të socrealizmit, por edhe me qasje lirike e një poezi humane si te portreti i Liri Geros. Ti dallon aty një plotësi elementësh formalë dhe tematikë. Të shumtë janë portretet e gdhendura në gur, dru e allçi, duke sjellë portrete shqiptarësh të vrazhdë sa dhe të një tipologjie e shprehjeje etnologjike përfaqësuese. Tipike për skulpturën e tij në të dy periudhat është sidomos struktura e plotë vëllimore, me një minimizim konstant të hollësive plastike, për t’i lënë vendin pamjes monumentale. Gjithashtu në krijimtarinë e Mumtazit të bën përshtypje prirja e dukshme për gjetjen kompozicionale, shpesh befasuese dhe me një simbolikë të lexueshme, ç’ka bie në sy në disa nga veprat e tij më të rëndësishme. Të shumtat kanë natyrë optimiste, luftarake, të dhëna në çaste frymëzimi.

Krijimtaria e M. Dhramit është një shkollë. Afërmendsh edhe skulptura, si gjithë artet, lëvizin në kohë, shije, shpërfaqje, pëlqime. “Mobiliteti” i saj nuk e mohon, as e përçmon traditën e krijuar nga njerëzit e shquar. Mumtazi konsiderohet si një ndër klasikët tanë, nga mjeshtrit e pakët mbetur gjallë, më përfaqësuesit e skulpturës shqiptare të asaj kohe. Pas vitit 90 skulptori nuk u hutua nga “magjistricat” e modës dhe lavdive te ofruara nga modernizmi dhe postmodernizmi. Jo. Ai ndjehej rehat në strehëzën e vet, s’kishte fort qejf për të provuar e ndryshuar stilin dhe statusin e tij artistik. Ai mbeti po aty, në sinorët e vet që i njihte për bukuri. Krijimet e pas vitit 1990 u modifikuan në formë, por respektuan rrjedhën e ngjashme me të parat. U krye vetëm ai operacion i domosdoshëm dhe i shumëpritur në kushtet e mungesës së lirisë: shmangia e ngarkesës ideologjike dhe heroizmit “bërtitës”. Përfundimisht ai i iku gjesteve teatrale, kinse heroike; i iku fryrjes, i iku simbolikave “trimërore” dhe u bë i paqëm me vetveten. Por, ama, nuk i iku madhështisë, frymës epike, të trajtur përmes kodeve estetike bashkëkohore dhe një gjuhe të moderuar, gjithmonë realiste, paçka se edhe “akademike”. Kjo bie në sy te Monumenti i Ali Pashë Tepelenës (2003). Sa herë shkoj në Tepelenë, figura e pashait të njohur, edhe pse nuk dua ta përfshij në kalendarin e burrave të shquar që u vetëflijuan për dheun dhe popullin e tyre apo që u bënë prijës kombëtarë, është i zhveshur nga petku turkoshak, nga mizoritë dhe egërsia e tij e njohur. Syri im e kontoton përherë këtë Ali Pashë të Mumtaz Dhramit si një prototip lab, shqiptar, burrë i rëndë e zakoni, me një barrë autoriteti, në një pozicion gjysmë të shtrirë. Edhe pse i shtrirë e në çlodhje, është hijerëndë, vullnetmadh, madje i pushtetshëm por, ama, jo i dhunshëm, përkundrazi rri aty mes një gjesti të shpenguar e të natyrshëm. Edhe Monumenti i Kongresit të Lushnjës (2000) është një zgjidhje kompozicionale dinamike dhe me kuptimësi historike të rrokshme lehtësisht, brenda asaj paradigme skulpturore që artisti ka ndjekur tërë jetën. Ndërsa Monumenti i Adem Jasharit (Tiranë, 2001), në ecje dhe këqyrje, ku qetësia e jashtme në tiparet e fytyrës dhe gjestit prej komandanti, dëshmon vendosmërinë e tij si luftëtar i sprovuar. Tek shkoj në barkafenë e hotel “Koloseut”, përherë më ngacmon figura e kësaj legjende vetmohimi të pashembullt. Sigurisht është dhe ngacmimi im emocional dhe i çdo shqiptari që ai ta jep, sikurse dhe imagjinata që na rrëmben. Por ja… shkëputem një çast dhe kridhem në soditje. Shiheni! Komandanti e zotëron bukur mirë gjendjen përreth. Ai e di se çfarë po bën dhe ku po shkon. Është një misionar “apostolik” i kombit dhe vendit të tij. Vetëflijimin e pritshëm e ka në sy si kapedan i madh i shqiptarëve. Gjithë qenia e tij e shpreh këtë si një vendim të pakthyeshëm, çka i jep vetëbesim dhe siguri. Imazhi, edhe pse jo i kahut dinamik, na imponohet me madhështinë, aspak “bërtitëse”. Sakaq, M. Dhrami është marrë edhe me gjini e teknika të tjera të skulpturës. Është skulptori që ka më shumë punime në fondin e Galerisë së Artit me rreth 60 të tilla. Mjaft të tjera ndodhen nëpër galeri dhe koleksione jashtë vendit. Është dhe mbetet një shenjë e respektuar e historisë së artit shqiptar.

Ja mjeshtër, bëra mirë që e shkrepa një foto me ty. Edhe ca fjale i thashë. Ndjehem i nderuar!…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x