1.5 C
Tirana
03 / 12 / 2024

Mirazhet në Shkretëtirën e Premtimeve Klimatike dhe COP 29 në Azerbajxhan

Nga Ornela Çuçi

Nëse ky fundvit 2024 do të ishte një roman, titulli i tij mund të ishte “Viti që sokëlliti planeti”.  Pamë Dubain të përmbytet. Shohim shkretëtirën e Saharasë ta mbulojë dëbora. Dhe reshjet e një viti bien dhe përmbytin brenda një dite Spanjën. Përgjatë gjithë këtij viti, zjarret shkretuan pyje, përmbytjet i kthyen qytetet në liqene dhe stuhitë shkatërruan ekonomitë, duke lënë miliona të zhvendosur dhe qindra e mijëra të vdekur.

Por, teksa qeveritë e të gjitha vendeve, mes protestave kalojnë nëpër këto rrënoja, përgjigja globale është së tepërmi e vakët, e reduktuar në tituj dhe hashtags, si një teatër premtimesh të rreme, sisteme të fragmentuara dhe një besim tinëzar se paqartësitë mund të frenojnë baticat në rritje.

Viti i shkuar ishte më i nxehti i regjistruar dhe një nga më të prirurit ndaj fatkeqësive. Pothuaj 12 mijë jetë u shuan nga katastrofat e lidhura me klimën, që është 30% më shumë se një vit më parë. Dëmet materiale ishin të përbindshme. Vetëm në SHBA arritën në triliona dollarë.

Në Itali, një stuhi e vetme shkaktoi shkatërrime të papara në një shekull. Ndërsa, kombet afrikane si Somalia dhe Kenia luftuan me përmbytjet që shpërngulën miliona. Ironia? Ata që janë më pak përgjegjës për këtë krizë mbajnë barrën më të rëndë të pasojave të saj. Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, 90% e vdekjeve dhe 60% e humbjeve ekonomike nga goditjet klimatike ndodhin në vendet në zhvillim.

Këto statistika nuk janë vetëm shifra, por njëlloj aktakuze, me të cilën paditen të gjithë ata që vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë një sistemi që akoma i jep prioritet projekteve zbutëse, si↑ janë panelet diellore dhe makinat elektrike, ndërkohë që i lë të pafinancuara përpjekjet për përshtatje.

Premtimi i thyer i financimit të klimës

Angazhimi global për financimin e klimës – 100 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2020 – ka qenë një dështim i jashtëzakonshëm. Në vitin 2021, vetëm 89.6 miliardë dollarë u mobilizuan, dhe vetëm 28% prej tyre qenë ndarë për përshtatje me ndryshimet klimatike. Krahasuar me 212 miliardë dollarët që nevojiten çdo vit nga vendet në zhvillim, deri në vitin 2030, shifrat e mësipërme krejt të pamjaftueshme.

Afrika, kontinenti më i shkatërruar nga ndryshimet klimatike, mori vetëm 20% të fondeve të përshtatjes, ndërsa Azia Lindore dhe Paqësori morën 45% të atyre fondeve. Akoma më qesharake është përqindja që ka marrë Ballkani, që njëherësh është rajoni më i cenueshëm i Evropës. Më pak se 1%.

Pse anashkalohet përshtatja nga klimës?

Ndoshta kjo është për shkak se përshtatjes i mungon magjia e mediatizimit të veprimeve që bëhen për zbutjen e këtyre efekteve. Nuk krijon dot hashtags nëse parandalon një përmbytje, por sigurisht që shfaqesh si hero nëse kompeson dëmet në prag zgejdhjesh. Kjo vlen për çdo qeveri, në çdo vend në zhvillim. Në vend të kësaj, bëhet fjalë për ndërtimin e mureve të detit, rregullimin e sistemeve të kullimit dhe mbjelljen e kulturave rezistente ndaj klimës—praktike, joglamoroze dhe absolutisht thelbësore. Ndërtimi i infrastrukturës të digave ose forcimi i sistemeve bujqësore nuk bën tituj për faqe të parë lajm, por shpëton jetë.

Rrugë e gjatë drejt suksesit

Adresimi i krizës së përshtatjes kërkon një ndryshim thelbësor në mënyrën se si vendet i qasen financimit të klimës, duke e bërë atë më efikas, të barabartë dhe me ndikim. Një hap kyç është konsolidimi i fondeve të fragmentuara të përshtatjes në një njësi të unifikuar, të mbështetur nga qendrat rajonale, për të thjeshtuar aksesin dhe për të reduktuar pengesat burokratike. Ndërsa analizon sot fondet globale të mjedisit, sheh se sa shumë fonde shpenzohen administrativisht, pa prodhuar asnjë sukses të prekshëm. Prandaj, presidenti amerikan Donald Trump nuk i ka të padrejta plotësisht ato që thotë, paçka që qasjen e ka si të doktor Adhamullit.

Në këtë kontekst, angazhimi i sektorit privat është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Njëkohësisht, stimujt financiarë si subvencionet, lehtësimet tatimore dhe garancitë mund të tërheqin investime private në projektet e përshtatjes, duke shfrytëzuar inovacionin dhe burimet e tyre për ndikim më të gjerë. Rajonet si Afrika, që mbajnë peshën kryesore të ndikimeve klimatike, duhet të kenë përparësi ndaj kombeve më të pasura me fuqi më të fortë lobuese. Ballkani gjithashtu do të duhet të zgjohet, të kërkojë, të punojë e të ngrejë kapacitete që mund t’i bëjnë të gjitha këto. Do t’i duhet t’i bëjë këto, me hir a me pahir.

Është po ashtu shumë me rëndësi që të kemi matje të qarta për matjen e suksesit të projekteve të përshtatjes. Pa të dhëna të standardizuara, progresi mbetet spekulativ dhe bota nuk mund të përballojë pasiguri përballë kësaj krize urgjente.

Përshtatja ndaj klimës është drejtësi

Në thelb, përshtatja është natyrë e njeriut dhe e krejt shoqërisë njerëzore madje. Por, përtej kësaj, përshtatja ndaj klimës na vjen si nevojë dhe si domosodshmëri, madje. Kjo vlen veçanërisht për kombet dhe korporatat që kanë përfituar nga industrializimi i pakontrollua. Detyrimi i tyre për të shtyrë përpara përshtatjen ndaj klimës është akoma më i madh, sepse barrën e tyre e kanë bartur të tjerët.

Përpjeket e tyre në këtë drejtim, çfarëdo qofshin ato, nuk duhen parë si bamërisë, por si drejtësi, ndonëse e vonuar. Dhe si e tillë me pasoja të konsiderueshme. Për këtë arsye, është e rëndësishme të theksohet që, nëse vazhdohet me nënfinancim të projekteve për  përshtatjen, kostoja nuk do të jetë vetëm financiare, por do të matet në jetë të humbura, komunitete të zhvendosura dhe të ardhme të shkatërruara.

Krejt këto katastrofa mjedisore që shpeshtohen përvit janë thirrje e planetit për veprim. Koha është tani. Nesër mund të jetë shumë vonë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x