10.5 C
Tirana
24 / 02 / 2024

Meta: Situata na imponon të dalim me 61 kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh se sot është i gatshëm të mbështesë një kandidat nga PD për bashkinë e Tiranës në rast se ai është përfaqësues i denjë për opozitën.

Në Report TV ai deklaroi se situata i imponon opozitës të dalë me 61 kandidatë të përbashkët për bashkitë e vendit në zgjedhjet lokale ndërsa shtoi se çdo parti mund të realizojë ambiciet e saj në zgjedhje lokale.

“Kam përshtypjen se qëndrimet e mia kanë qenë shumë të qarta dhe shumë solide. Çdo forcë politike në zgjedhjet vendore do e testojë peshën e saj në këshillat bashkiakë që nuk ekzistojnë sot sepse janë monopartiake. PL ka objektivat e saj tepër ambiciozë. Do të ishte shumë normale të kishte edhe dy tre kandidatë. Por ne jemi në kushtet e një regjimi dhe kjo i imponon opozitës së vërtetë që të dalë me një kandidat të përbashkët në çdo bashki. Edhe në Tiranë, në bashkitë kryesore në mënyrë të veçantë. Për të unifikuar votën e popullit shqiptar.

Qëndrimi ka qenë i qartë. Për ne ka rëndësi të jenë 61 kandidatët më të mirë në çdo bashki. Ne jemi të hapur për këtë çështje. Ambiciet tona ne i kemi të realizueshme në këshillat bashkiakë. PD duhet të jetë edhe më e interesuar duke qenë parti më e madhe duhet të ketë edhe përgjegjësinë më të madhe. Kjo është një mundësi që nuk mund të humbet. Rama tani do të bëjë edhe aktorin dhe të paditurin për qytetarët që respektojnë ligjin. Ne jemi shumë të qartë si PL për bashkëpunimin. Mendoj se PD duhet të jetë më e qartë se asnjëherë tjetër. 100% i gatshëm të mbështes një kandidat të PD për Tiranën”, u shpreh Meta.

Ai foli edhe për bashkëpunimin me PD dhe raportin me ish kryeministrin Berisha si aleatë politikë në opozitë.

“Unë isha nisur për një rrugë tjetër. Këta më kthyen. Më kthyen shumë faktorë. Prandaj jam këtu sepse Shqipëria është në një gjendje të tillë ku dalin edhe fëmijët në grevë para kryeministrisë. Çfarë t’u thuash atyre fëmijëve, pse ndodh kjo? Jam i hapur për çdo pozicion aktiv në maxhorancë. Unë dua të mos qajnë ata fëmijët aty në sheshin para kryeministrisë për çmenduritë e Edi Ramës dhe pengmarrjen që e detyron Edi Ramën të marrë çdo lloj vendimi. Gjëja më e rëndësishme është edukimi i fëmijës. Duam të mos ketë më pamje të tilla.

Mendoj se Zoti Berisha ka bërë një sakrificë të madhe që është rikthyer në politikë aktive. Ka marrë drejtimin e PD në mënyrën më demokratike si nga pikëpamja e procedurave. Nuk mendoj se kjo është sakrificë e vogël sepse mund të kishte bërë edhe një zgjidhje personale. Në këtë kuadër i duhet të bëjë edhe çdo sakrificë tjetër për të arritur në triumfin e opozitës. Rama duket sikur është bosi i këtij regjimi por në fakt është peng i këtij regjimi. Ka tutor përfaqësues të krimit të organizuar, ndërkombëtarë, rajonalë. Ata që e urdhërojnë të bëjë veprime. Është nën presionin e borxheve të tij”, deklaroi Meta.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x