Lionel Messi është shumë pranë ëndrrës së tij më të madhe, fitimit të Kupës së Botës. Argjentina e tij ka kaluar në finalen e Katar 2022. Një ndër lojtarët më të mirë të ekipit “albiceleste” është edhe portieri Emiliano Martinez. Ai ka lënë të kuptohet se Messi mund të rikthehet për Kupën e Botës pasi ylli argjentinas është në gjendje të “luajë deri 50 vjeç”.
“Për mua, ai mund të luajë deri në moshën 50-vjeçare. Duket shumë në formë. Ai bën që çdo gjë të duket e lehtë”, u shpreh portieri.
“Të luash krah tij më ka bërë futbollist më të mirë me siguri. Ishte e drejtë për Messi-n që të fitonte Kupën e Amerikës. Ai përfaqëson vendin si hero. Njerëzit respektojnë Messi-n më shumë se Presidentin. Ata do të qëndronin në shtëpi 24 orë nëse Messi do ua kërkonte. Ai është numri 1, shumë punëtor dhe inspirim për të gjithë”, shtoi më tej Martinez.
Portieri ka folur edhe për debatin e përjetshëm se cili është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, Messi apo Cristiano Ronaldo. Për Martinez nuk ka dyshime se është Messi. “Ai është një magjistar i lindur”, tha portieri argjentinas./