Kur Princi Harry dhe Meghan Markle u larguan nga detyrat zyrtare të familjes mbretërore në vitin 2020 dhe u zhvendosën në Kaliforni, ata morën me vete diçka që Hollywood-i nuk mund ta prodhojë: titullin dhe famën mbretërore.
Çifti u vendos në Montecito, një nga zonat më ekskluzive të Kalifornisë, ku fqinjë kanë figura të njohura si Oprah Winfrey, Gwyneth Paltrow dhe Rob Lowe. Marrëveshje milionëshe me Netflix dhe Spotify pasuan largimin e tyre nga Mbretëria e Bashkuar.
Por disa vite më vonë, rikthimi i tyre drejt Britanisë duket se po shoqërohet me shumë më pak bujë në Kaliforni. Eksperienca e Sussex-ëve në Hollywood tregon edhe një realitet të vjetër të industrisë së argëtimit: fama mund të të hapë dyert, por nuk garanton qëndrueshmëri.
Nga familja mbretërore te Hollywood-i
Kur Harry dhe Meghan u larguan nga detyrat si anëtarë aktivë të familjes mbretërore, ata deklaruan se synonin pavarësi financiare dhe një jetë më të lirë.
Në intervistën e bujshme me Oprah Winfrey në vitin 2021, Meghan e përshkroi mundësinë për të marrë vetë vendimet për jetën e saj si “çliruese”.
Harry, nga ana tjetër, ka thënë se SHBA-ja i ofronte familjes së tij privatësi dhe liri që, sipas tij, nuk do t’i kishte në të njëjtën mënyrë në Britani. Ai ka deklaruar gjithashtu se besonte se kjo ishte jeta që nëna e tij, Princesha Diana, do të kishte dashur për të.
Vendosja në Kaliforni u pasua nga marrëveshje të mëdha komerciale. Çifti siguroi kontrata shumë milionëshe me Netflix dhe Spotify, duke u shndërruar në një prej emrave më të kërkuar të Hollywood-it.
“Emrat e tyre tërhiqnin menjëherë vëmendjen dhe kompanitë ishin të gatshme të investonin shumë”, shpjegon Stacy Jones, drejtore ekzekutive e agjencisë së marketingut dhe marrëdhënieve me publikun Hollywood Branded.
Por, sipas saj, në Hollywood ekzistojnë pafundësisht evente, festa dhe mundësi për të famshmit, por shumë shpejt kupton se pothuajse çdo gjë ka për qëllim të promovojë diçka që duhet shitur. Dhe Harry e Meghan kishin shumë për të shitur.
Marrëveshjet milionëshe nuk zgjatën përgjithmonë
Marrëveshja e tyre me Spotify, e raportuar me vlerë deri në 25 milionë dollarë, solli podcastin e Meghan, “Archetypes”, i cili pati të ftuara emra të njohur si Serena Williams dhe Mariah Carey.
Megjithatë, në vitin 2023, Spotify dhe Archewell Audio njoftuan se kishin vendosur të ndaheshin me marrëveshje të përbashkët.
Edhe kontrata pesëvjeçare me Netflix, e raportuar në atë kohë me një vlerë prej 60 deri në 100 milionë dollarësh, prodhoi disa projekte. Por marrëveshja më vonë u zëvendësua nga një bashkëpunim më pak fitimprurës, në një kohë kur e gjithë industria amerikane e argëtimit po përballet me vështirësi, shkurtime dhe ristrukturime.
Seriali dokumentar “Harry & Meghan” mbetet padyshim projekti që gjeneroi vëmendjen më të madhe, ndërsa disa prej projekteve të tjera të çiftit nuk arritën të krijonin të njëjtin impakt.
Harry pati sukses kur foli për jetën e tij
Harry rezultoi veçanërisht i suksesshëm kur produkti ishte vetë historia e tij.
Autobiografia “Spare” u shndërrua në një fenomen botëror të botimeve. Libri, për të cilin raportohet se Harry mori një paradhënie prej rreth 20 milionë dollarësh, shiti më shumë se gjashtë milionë kopje në mbarë botën.
Ai gjithashtu u përfshi në projekte që lidhen me shëndetin mendor, veteranët dhe sportin.
Dokumentari “Heart of Invictus” u fokusua te veteranët e plagosur dhe të dëmtuar që përgatiteshin për Lojërat Invictus, të themeluara nga Harry. Ndërsa projekti “Polo” u përqendrua te një tjetër prej pasioneve të tij.
Megjithatë, asnjë prej tyre nuk arriti vëmendjen e dokumentarit “Harry & Meghan” apo të autobiografisë “Spare”.
Kjo ka bërë që Harry të mbetet veçanërisht i kërkuar kur tema lidhet me të, familjen mbretërore apo kauzat me të cilat është identifikuar prej vitesh.
Meghan kërkoi një identitet të ri
Meghan, e njohur më parë për rolin e saj në serialin “Suits”, u përpoq të ndërtonte një profil të ri në fushën e lifestyle-it.
Në Netflix ajo prezantoi serialin “With Love, Meghan”, ku shfaqte gatime, ide për stilin e jetesës dhe një version të kuruar të jetës së saj në Kaliforni.
Pamjet e shtëpisë, kopshtit, pulave të shpëtuara dhe produkteve të përgatitura në shtëpi krijuan një imazh të një jete ideale pranë maleve Santa Ynez.
Seriali u anulua pas dy sezoneve, megjithëse mori një nominim për Emmy në kategorinë e programeve të lifestyle-it.
Edhe marka e saj e produkteve, As Ever, hasi në vështirësi në raport me Netflix.
“Netflix prodhon filma. Netflix nuk prodhon reçel”, është shprehur me humor ekspertja e branding-ut Stacy Jones.
Kritikat nuk munguan
Jeta e kuruar që Meghan shfaqte në ekran u kritikua nga disa komentues, të cilët e konsideruan të shkëputur nga realiteti.
Megjithatë, ekspertët e marketingut theksojnë se edhe publiciteti negativ mund të ketë vlerë nëse e mban një person vazhdimisht në qendër të vëmendjes.
Në këtë kuptim, projektet e Meghan i kanë siguruar asaj jo vetëm produkte për t’u promovuar, por edhe një mënyrë për të ruajtur praninë në media.
Pse po kthehen në Britani?
Rikthimi i Harry dhe Meghan në Britani ka ngjallur pyetje të shumta mbi arsyet e këtij vendimi.
Disa komentues mbretërorë besojnë se çifti mund të jetë duke kërkuar sërish afërsinë me familjen mbretërore dhe simbolikën që ajo mbart.
“Duket sikur po vazhdojnë të kërkojnë afërsinë me familjen mbretërore për të legjitimuar veten ose, në disa raste, për ta shndërruar atë në vlerë komerciale”, është shprehur Kinsey Schofield, e cila drejton një podcast kushtuar familjes mbretërore.
Megjithatë, Harry dhe Meghan kanë ende projekte në zhvillim. Ata kanë publikuar së fundmi një dokumentar mbi Girl Scouts dhe kanë në përgatitje edhe një serial me skenar që zhvillohet në botën ekskluzive të ekipeve të polo-s.
Hollywood-i nuk është më ai i vitit 2020
Eksperienca e Sussex-ëve në SHBA pasqyron edhe një problem më të gjerë të Hollywood-it.
Industria amerikane e argëtimit po kalon një periudhë të vështirë, me pushime nga puna, ristrukturime të vazhdueshme dhe ndryshime të mëdha në modelet e biznesit.
Sipas ekspertëve, edhe një figurë me famë botërore e ka të vështirë të ndërtojë një kompani të qëndrueshme në këtë klimë.
Fama e Harry dhe Meghan ishte padyshim një avantazh i jashtëzakonshëm në momentin e mbërritjes së tyre në SHBA. Por me kalimin e kohës, u bë e qartë se titulli mbretëror nuk garanton automatikisht sukses afatgjatë në Hollywood.
Dhe nëse çifti po largohet nga Kalifornia, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të zhduket nga vëmendja publike.
“Askund në botë ata nuk mund të bëhen njerëz privatë”, vlerëson Stacy Jones. “Ata nuk janë njerëz që mund të kalojnë në sfond. Janë yjet e shfaqjes së tyre ose të shfaqjes së dikujt tjetër.”
Me pak fjalë: Harry dhe Meghan mund të largohen nga Hollywood-i, por duket se Hollywood-i dhe familja mbretërore nuk do të mund të largohen lehtë prej tyre.
- Kujt ka gjasa t’ia japin votën 1.9 milionë banorët e rritur, pavarësisht ndryshimit të kufijve bashkiakë - 21/08/2026
- Marrëveshje milionëshe dhe projekte të dështuara, çfarë ndodhi me “ëndrrën amerikane” të Harry dhe Meghan - 21/08/2026
- Mbi një vit punë pa lejen e sigurisë/ Shtëpia e Bardhë përballet me pikëpyetje për ndihmësen e Trump, ish-zyrtari: Është tronditëse që… - 21/08/2026