19.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Mandati në krye të SPAK dhe marrëdhëniet me SHBA/Arben Kraja tregon kur shkojnë në gjykatë dosjet e politikës

Pas pak ditësh Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të hapë garën për kreun e ri të SPAK-ut. Mandati i Arben Krajës në këtë funksion përfundon në dhjetor, pas 3 vjetësh drejtimi të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por për zotin Kraja kjo është një çështje procedure, që nuk i ndikon në punë. 

“Unë nuk dua të flas për mandatin e drejtuesit, sepse nuk është çështje e imja personale. Është çështje e ligjit dhe e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Detyra ime është të vazhdoj punën me të njëjtin intensitet dhe grupi të ruajë frymën e bashkëpunimit që kemi.” – thotë ai. 

Duke u mbështetur në një përvojë mbi 25 vjeçare si prokuror, kreu i SPAK-ut u tregua i kujdesshëm për të mos artikuluar asnjëherë afate kohore në lidhje me dosjet më të bujshme të SPAK-ut, atë të incineratorëve, të ish kryeministrit Berisha apo ish presidentit Metaj. Për numrin 1 të institucionit të akuzës rëndësi ka mbledhja e pakundërshtueshme e provave, që dosja të pranohet pa u kthyer nga gjykata. “Dosjet do të përfundojnë kur të vijë koha për t’u përfunduar. Nuk mund të them tani, pas një muaji apo pas dy muajsh.” – thotë kreu i SPAK. Ky është një standard i panegociueshëm për Arben Krajën deri në ditën e fundit që do të drejtojë SPAK-un. Deri atëherë dhe marrëdhëniet me partnerët, veçanërisht me SHBA, do të vazhdojnë të mbeten prioritet kryesor, gjë të cilën e tregoi edhe vizita pak kohë më parë e një delegacioni nga SPAK në SHBA. 

“Ishte një vizitë për të prezantuar çfarë kemi bërë deri tani, sepse SHBA janë një nga autorët kryesorë në reformën në drejtësi, që bashkë me BE, kanë financuar dhe mbështetur fort ngritjen e strukturës. Në këto kushte, ne jemi partnerë dhe shkëmbejmë me njëri-tjetrin opinione dhe informacione. Vizita shërbeu edhe për të vendosur piketat për të ardhmen. Për mua është e rëndësishme arritja e objektivit personal në raport me drejtimin e institucionit: 1. Ngritja e institucionit 2. Ngritja e BKH 3. Rritja e reputacionit në raport me partnerët e huaj, besueshmëria. 4. Rezultate konkrete të provuara nga gjykata – u shpreh drejtuesi i SPAK Arben Kraja për emisionin “Pa Censurë”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x