Nga Albatros Rexhaj
Në Shqipëri një qytetar mund të presë vite që gjykata t’i japë të drejtë. Gjykata Administrative e Apelit e mbylli vitin 2024 me 23,862 çështje në pritje. Pas atij numri ka prona, vende pune, pensione, detyrime të administratës dhe vite jete të ngrira në një dosje. Shpjegimi është gjithmonë i njëjti: dosje shumë, gjyqtarë pak.
Pastaj erdhi paga e gjyqtarëve. Padia u depozitua më 11 shtator. Masa e sigurimit u dha po atë ditë. Koha u gjet.
Qytetari pret vite. Ata pritën një ditë. Dhe pikërisht këtu vonesa e Kuvendit bëri një shërbim që askush nuk e kishte planifikuar. Sikur ligji të ishte miratuar në kohë, ndoshta nuk do ta kishim parë kurrë deri ku shkon instinkti i këtij sistemi kur vjen puna te vetja.
Erion Braçe tha se Kuvendi duhej të kishte vendosur brenda 31 korrikut, dhe e tha si faj. Nuk është faj. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm kur vdes një ligj; kur mblidhet Kuvendi e vendos Kuvendi. Askush nuk e urdhëron dot parlamentin të votojë; kur vonon, e ndëshkojnë votuesit, jo prokurori. Për pagat Gjykata tha një gjë të vetme: caktohen me ligj. Ligjin e bën Kuvendi. Kuvendi vonoi. Kompetenca nuk kaloi automatikisht te dikush tjetër, dhe vonesa nuk e bëri KLGJ-në Kuvend.
KLGJ-ja nuk priti. Më 26 gusht e ngriti vetë pagën referuese nga 156,825 në 222,425 lekë, plus 14,000 për kualifikim. Urdhëroi edhe rillogaritjen e efektit financiar që nga prilli 2023. Qeveria i përllogarit këto prapambetje në rreth 12 miliardë lekë. Kur Thesari refuzoi, magjistratët nuk pritën as aty. Shkuan te prokurori. Kallëzuan ministrin e Financave, sekretarin e përgjithshëm dhe drejtuesit e degëve të Thesarit. Pastaj paga e tyre shkoi në gjykatë, dhe gjykata vendosi brenda ditës. Gjyqtarët e paktë, arsyeja që na jepet për çdo vonesë, nuk zgjedhin dosje.
Kur gjykata vonon, zyrtari nuk ka frikë. Kur zyrtari nuk ka frikë, qytetari kërkon mik. Kur miku nuk mjafton, hyn ndërmjetësi. Pastaj hyn leku, jo vetëm për të blerë vendimin, edhe për të hyrë në radhë. Kështu vonesa e gjykatës bëhet mënyra si funksionon shteti. Gjykata është institucioni që duhet t’i ndreqë të gjithë të tjerët. Politikanin, nëpunësin, pronarin. Kur nuk punon ajo, të gjithë të tjerët mësojnë se mund të mos punojnë. Prandaj, kur kërkoj arsyen pse besimi te institucionet publike në Shqipëri është kaq i ulët, unë magjistraturën e vë të parën. Politikës i vjen radha pas saj. E di që tani është bërë modë: Rama në burg, Berisha në burg, përgjegjësi kërkohet vetëm nga politika dhe kush e kërkon quhet i pavarur. Por kjo histori na çon te gjeneza e problemeve të këtij vendi: gjykata dhe prokurori që zvarrisin, që e bëjnë qytetarin të kërkojë mik e ndërmjetës, dhe që tani duan edhe paga si në filma. Politikani i keq duhet të ketë frikë nga gjykata, dhe sot ka. Problemi i Shqipërisë është se gjykatësi që nuk gjykon nuk ka pasur kurrë frikë nga askush.
Ata jetojnë mbi këtë sistem. Koston e tij e paguajnë të tjerët, me vite nga jeta. Dhe tani kërkojnë të paguhen për të më shumë se të gjithë, më shumë se Presidenti i Republikës. Prandaj po: llupës.
Rama këtë e dinte, dhe nuk e kam fjalën vetëm për pagat. Për vite politika u ul në bankën e të akuzuarit dhe magjistratura në karrigen që jep verdiktin: politikanët duheshin hetuar dhe arrestuar, drejtësia duhej financuar dhe lënë e qetë. Një ndarje e rehatshme, deri ditën kur magjistratët duhej të tregonin si sillen kur interesi është i tyre. Nuk mund ta provoj çfarë mendonte Rama, por mund të shoh çfarë kishte përpara. Më 30 korrik, një ditë para skadimit të afatit, dy deputetë socialistë, Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli, kishin një zgjidhje mbi tavolinë: koeficientin nga 0.36 në 0.38. Kuvendi nuk e votoi. Pastaj ndodhi gjithçka që lexuat më lart, dhe Rama doli me shifrat. Me tabelat, me kursin e Bankës së Shqipërisë të datës 11 shtator, me datën e seancës. Kush zihet në befasi nuk i ka të gjitha këto gati brenda fundjavës. Rama ishte përgatitur të luftonte këtë betejë. Magjistratët thjesht ia dhanë materialin.
Më 10 shtator Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve paralajmëroi se konflikti mund të çohej te Komisioni Europian dhe te përfaqësitë diplomatike të huaja. Paralajmëroi edhe kufizimin e punës së gjykatave vetëm në çështjet urgjente. Një pushtet i Republikës, në konflikt me dy pushtetet e tjera të Republikës, rendit ambasadat si adresë. Kur politika ua kundërshton interesin, arbitrin e kërkojnë jashtë shtetit shqiptar. “Kushtetuta nuk negociohet”, thanë. Pajtohem. Nuk negociohet as në ambasada.
Kryeministri ka të drejtë për thesarin. Ka të drejtë edhe për sirtarët. Dhe po, unë do ta shtyja ligjin edhe një seancë, që Kuvendi t’u kujtojë të gjithëve se është Kuvend, dhe se datën nuk ia caktojnë as Këshillat, as prokurori, as ambasadat. Pastaj le ta votojë, dhe le ta votojë pa kërkuar falje. Këto javë magjistratura nuk ndryshoi; vetëm u zbulua. Pa atë vonesë nuk do ta kishim parë kaq qartë se çfarë ndodh kur njerëzit që na mbajnë ne në radhë, për një herë, duhet të presin vetë.