18.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Lufta e Tretë Botërore

Roger Cohen

– Mami, të lutem ma trego edhe një herë, si nisi Lufta e Parë Botërore?
– Zemër, ta kam thënë një herë. Ka kaluar kohë që atëherë. Një shekull nuk është
pak.
– Mami, të lutem!
– Po mirë, është e komplikuar në fakt. Je i sigurt që do ta dish?
– Po mami.
– Është një histori e trishtuar. Bota ishte e organizuar në një rend të caktuar, i cili u
shemb, duke shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve.
-Uau! Si ishte organizuar bota?
-Atëherë ekzistonin perandoritë, të cilat kontrollonin territore të tëra me njerëz të
ndryshëm, disa prej të cilëve donin të vetëqeveriseshin. Një nga perandoritë më të
fuqishme ishte ajo Austro-Hungareze. Vjena, kryeqyteti i perandorisë, kishte
pallate pa fund, ku njerëzit argëtoheshin duke kërcyer nëpër ballo. Kjo perandori
qeveriste edhe pjesë të një cepi të varfër europian, i quajtur Ballkan. Një ditë në
vitin 1914, trashëgimtari i fronit austro-hungarez dhe e shoqja u vranë në një qytet
ballkanik të quajtur Sarajevë nga një serbo-boshnjak, i cili donte çlirimin e sllavëve
të jugut nga pushteti perandorak.
-Sa e trishtë! Në Vjenë pushoi muzika besoj! Po çfarë ndodhi më pas?
– Familja perandorake u tërbua. I bëri Serbisë një mal me kërkesa, ndryshe do të
përballej me luftën. Vjena ndihej e sigurt, pasi kishte një mik të ngushtë të
pushtetshëm, që quhej Gjermani. Serbia, nga ana tjetër, kishte gjithashtu një shok
të mirë: Rusinë. Megjithatë, Serbia u përdrodh nga pak, si ti me detyrat e shtëpisë.
Kështu që Austro-Hungaria nisi luftën.
– Pastaj?
– Pastaj Gjermania i shpalli luftë Rusisë, që ishte e lidhur ngushtë me Francën. Kjo
e fundit nuk e shihte dot me sy Gjermaninë për arsye nga më të ndryshmet. Shumë
shpejt, Gjermania, përmes Belgjikës, nisi sulmet ndaj Francës. Në këtë situatë u
përfshi Britania, që hyri në luftë kundër Gjermanisë. Një perandori tjetër, e quajtur
Perandoria Osmane, doli krah Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. Më vonë, Shtetet
e Bashkuara, një fuqi në rritje, iu bashkua skuadrës së Britanisë dhe Francës. Disa
vite më vonë, më shumë se 16 milionë njerëz humbën jetën dhe të gjitha
perandoritë u shembën.
-E gjithë kjo për shkak të vrasjes së një çifti? E çuditshme!
– Diçka e vogël në dukje bëhet më e madhe se ç’duhet dhe njerëzit humbin
durimin. Mjafton një shkëndijë dhe plas rrëmuja.
– Mami, kjo nuk mund të ndodhë më, apo jo?

– Jo.
-Ka sot perandori?
-Disa njerëz quajnë Amerikën perandori, edhe pse nuk ka një perandor. Është
vendi më i fuqishëm në botë, me forca ushtarake të shpërndara në të gjithë planetin
dhe njerëz të racave të ndryshme që mbështeten në të për udhëheqje dhe mbrojtje.
Por Amerika po dobësohet.
-Atëherë i bie të jetë ashtu siç the më parë, që bota është e organizuar në një rend,
që ndryshon për një tjetër dhe gjatë këtij procesi njerëz të pafajshëm vdesin.
– Jo tamam. Ku po vdesin njerëz?
– Në Siri. Mami, çfarë është Siria?
– Është një vend i vogël me njerëz dhe besime të ndryshme.
– Pse po luftojnë njerëzit atje?
– Është e komplikuar. Je i sigurt që do ta dish?
– Po mami.
– Mirë pra. Në fillim ishte një tiran që sillej si perandor, ndaj disa njerëz në Siri u
ngritën kundër tij. Tirani nisi t’i gjuante. Amerika, Britania dhe Franca, mes
vendeve të tjera, nuk e donin një gjë të tillë dhe dolën në krah të rebelëve. Të
paktën kështu thanë, se nuk bënë gjë.
– Pse?
– Sepse ta thashë që Amerika po dobësohet.
– Mirë, po pastaj?
– Tirani kishte një mik për kokë, të quajtur Rusi. Edhe Irani i doli mik i mirë. Të
dy e mbështetën.
– D.m.th., ai fitoi?
– Jo tamam! Shumë njerëz që donin ta hiqnin qafe tiranin ishin myslimanë sunitë.
Ata mbështeteshin nga Arabia Saudite, që e urren Iranin. Turqia, pasardhësja e
Perandorisë Osmane, e urren tiranin sirian dhe u hodh në anën e rebelëve. Por më
shumë sesa tiranin sirian, Turqia urren një grup njerëzish në Siri të quajtur kurdë.
Urrejtja ndaj tyre shkon kaq larg, sa në mënyrë tinëzare, ka ndihmuar një grup të
krisurish sunitë që presin koka njerëzish, vrasin kurdë dhe gjuajnë njerëz në qytete
perëndimore.
– Mami, u bëra konfuz.
– Siria është thyer, ashtu si Perandoria Osmane dikur. Rusia bombardon armiqtë e
tiranit sirian. Amerika bombardon prerësit e kokave. Po ashtu edhe Franca. Kurdët
duan shtetin që nuk e morën dot 100 vjet më parë. Arabia Saudite lufton Iranin.
Lufta është më e ashpër është në Siri, ku qindra, mijëra njerëz kanë vdekur.
– Dhe e gjithë kjo sepse ca burra donin të hiqnin qafe një burrë tjetër?
– Ndonjëherë, diçka e vogël në dukje bëhet më e madhe se ç’duhet dhe njerëzit
humbin durimin. Mjafton një shkëndijë dhe plas rrëmuja.
– Mami, si mund të jetë Lufta e Tretë Botërore?

– Mos u shqetëso, gjithçka është ndryshe tani.
– Vërtet?….


Përktheu: Elona Qose

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x