7.5 C
Tirana
16 / 02 / 2026

Luan Rama: 15-vjet pavarësi, Kënga e Jak Gjin Tuçit prej Mirdite, si këngë e çdo shqiptari për Kosovën

Sot, në ngjarjen më të madhe të historisë tonë kombëtare pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1913, në 15 vjetorin e shpalles së pavarësisë së Kosovës, që legjitimoi luftën e drejtë dhe patriotike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i doli zot popullit shqiptar të Kosovës përballë barbarisë kriminale të regjimit të Beogradit, kam zgjedhur të sjell për të gjithë ju si homazh, si nderim dhe si kujtesë këngën e njërit prej rapsodëve të njohur të Mirditës, Jak Gjin Tucit.

Poema rapsodike “Moj Kosovë moj legjendare” është shkruar fill pas demonstratave të mars – prillit të vitit 1981, kur studentët dhe populli që i mbështeti ata mbushën sheshet dhe rrugët e Prishtinës nën thirrjet “Kosova Republikë!”, përkundës asaj që trumbetonin burokratët jugosllavë shqipfolës si Sinan Hasani, që rrekeshin të përgënjeshtronin realitetin patriotik nën moton “Kosova, të vërteta dhe mashtrime”, duke u bërë kësisoj zëdhënës të interesave të Beogradit.

E shkruar me pathosin e ndjeshmërisë shqiptare si përjetim me të njejtën frekuencë edhe në Shqipëri për çfarë po ndodhte në Kosovë, rapsodia e Jak Gjin Tucit e ndërtuar mbi tetërrokëshin tradicional të këngës mirditore dhe duke patur në bazë antitezën, ndërtuar përmes një antonimie elegante dhe me shumë domethënie, ç’ka në fakt është një veçanti e krijimtarisë së tij, edhe sot kur kanë kaluar mbi 40 vjet prej kur është shkruar, edhe pse mund të duket që ka humbur koherencën e vet, është gjithaq një dëshmi e forcës së madhe të artit në të qenit dëshmitari dhe kronikani më i besueshëm i ngjarjeve të mëdha kombëtare.

Duke revokuar historinë tonë kombëtare në disa prej kulmeve të veta dhe me protagonistët më të shquar të saj, Jak Gjin Tuci gjen mjeshtërisht shtratin e natyrshëm ku e vendos këngën e vet, si një këngë e natyrshme e çdo shqiptari për Kosovën tonë, që sa “kanë shekujt vite e mote, ke qënë bija e kësaj toke”.

Unë e kam recituar këtë rapsodi në 40 vjet me rradhë që në njëvjetorin e demontratave në mars të vitit 1982 ( punuar artistikisht me regjisorin Zef Nikolla të cilin gjej rastin ta falenderoj publikisht ) e tëhu në shumë skena dhe auditore në gjithë Shqipërinë. Edhe në Kosovë, edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe në Luginë të Preshevës, edhe në Zvicër, në Gjermani përgjatë periudhës janar – maj 1999 ndër tubime ku mblidheshin shqiptarët që përcillnin bijtë e tyre për në vendlindje, për t’iu bashkuar UÇK-së, duke ndjerë magjinë e emocionit që krijon arti me forcën e tij të madhe frymëzuese.

Sot në 15 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, këtë rapsodi po e risjell edhe si urimin tim të zemrës për Kosovën, “gjakun tim që nuk falet” siç shprehej poeti Ali Podrimja.

Gëzuar 15 – vjetorin e Pavarësisë Kosovë!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x