8.5 C
Tirana
30 / 01 / 2026

LIVE- Tym i bardhë apo i zi? Zgjedhja e Papës së ri, 133 kardinalët futen në konklavën në Vatikan! Parolini më i preferuari, ja kur bëhet votimi i parë

133 kardinalët zgjedhës, nga e gjithë bota, janë futur ditën e sotme në Kapelën Sistinë për të zgjedhur Papën e ri. Rezultati i votimit të parë pritet rreth orës 19, por nuk pritet tym i bardhë

16 ditë nga humbja e Papa Françeskut, Vatikani është gati për të nisur një epokë të re. Në Selinë e Shenjtë 133 kardinalët elektorë janë futur në konklavë për t’i dhënë botës katolike dhe jo vetëm Papën e 267 në histori.

Në orën 10:00 u mbajt Mesha Pro eligendo pontifice, e cila përfundoi në orën 11:23. Në Bazilikën e Shën Pjetrit ishin të pranishëm mbi pesë mijë besimtarë, të kryesuar nga Kardinali Giovanni Battista Re, i cili tha se këto zgjedhje do të jenë ato të ruajtjes së unitetit.

Le të lutemi që Zoti t’i dhurojë Kishës Papën që di më së miri si të zgjojë ndërgjegjen e të gjithëve dhe energjitë morale e shpirtërore në shoqërinë e sotme, të karakterizuar nga përparimi i madh teknologjik, por që tenton ta harrojë Zotin”, tha Kardinali Giovanni Battista Re.

Tymi i parë, i bardhë apo i zi? Për të qenë i bardhë 89 kardinalë do të duhet të kenë votuar pro një emri për Papën e ri, një konsensus i cili duket i vështirë të arrihet në votimet e para. Proceset e votimit më pas do të vazhdojnë nesër, 2 paradite e 2 pasdite, deri sa shumica prej 2/3 të gjendet.

Mediat italiane shkruajnë se Kardinali Parolin, aktualisht Sekretari i Shtetit të Vatikanit, hyn në Konklavë si favorit për të qenë pasuesi i Papa Françeskut.  Sipas La Repubblica filipinasi Tagle ka humbur terren, ndërsa shanset e Kryepeshkopit të Marsejës Aveline janë rritur. Në Kapelën Sistine, parashikimet mund të shemben, por dy javë kongregacione të përgjithshme kanë përvijuar disa tendenca që janë rezultat i llogaritjeve dhe ndjesive, sinjaleve të pagabueshme dhe trazirave më të fshehura.

Konklava do të drejtohet nga kardinali Pietro Parolin, në mungesë të dekanit, Kardinal Re, i cili është 91 vjeç. Ndërsa sa i takon parashikimeve për kohëzgjatjen parashikimet janë të vështira, ndërkohë që dy konklavat e fundit në 2005 dhe 2013 kanë zgjedhur papën e ri në ditën e dytë të tyre. Kushtetuta apostolike parashikon dy votime paradite dhe dy votime pasdite, deri sa në çatinë e Kapelës Sistinë të dalë tymi i bardhë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x