29.5 C
Tirana
26 / 08 / 2026

LISTA / 50 përqind të ushqimeve i paguajmë më shtrenjtë se Europa, rekord edhe në rajon

Shqipëria ka një nga peshat më të larta të bujqësisë në ekonomi në Europë, me gati 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kundrejt afërsisht 2% mesatarisht në Bashkimin Europian dhe më pak se 8% në vendet e tjera të rajonit.

Por pesha e lartë e bujqësisë nuk po përkthehet në ushqime më të lira për konsumatorët. Përkundrazi, shqiptarët i paguajnë një pjesë të produkteve bazë më shtrenjtë se mesatarja europiane dhe dukshëm më shtrenjtë se fqinjët. Avantazhi që teorikisht duhet të sillte një bazë e gjerë prodhuese bujqësore nuk po reflektohet në çmimet që paguajnë familjet.

Të dhënat e krahasueshme të nivelit të çmimeve, ku mesatarja e Bashkimit Europian është 100, e vendosin Shqipërinë në indeksin 103.8 për ushqimet dhe pijet joalkoolike për vitin 2025.

Pra, niveli i çmimeve është 3.8% mbi mesataren e BE-së dhe më i larti ndër vendet e rajonit. Serbia, që është vendi i dytë më i shtrenjtë, ka indeksin 97.1, Mali i Zi 86.5, Bosnjë-Hercegovina 85.8 dhe Maqedonia e Veriut vetëm 74.8.

Në krahasim direkt, ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtojnë në Shqipëri rreth 7% më shumë se në Serbi, 20% më shumë se në Malin e Zi, 21% më shumë se në Bosnjë-Hercegovinë dhe gati 39% më shumë se në Maqedoninë e Veriut.

Diferenca mbetet pothuajse e njëjtë edhe nëse nga grupi hiqen pijet dhe krahasohen vetëm ushqimet. Shqipëria ka indeksin 102.9, ose 2.9% mbi mesataren europiane, kundrejt 96.6 në Serbi, 84.6 në Bosnjë-Hercegovinë dhe Malin e Zi dhe 74.3 në Maqedoninë e Veriut.

Ushqimet në Shqipëri rezultojnë rreth 6.5% më të shtrenjta se në Serbi, 22% më të shtrenjta se në Bosnjë dhe Malin e Zi dhe gati 39% më të shtrenjta se në Maqedoninë e Veriut.

50% e grupeve ushqimore (ndër më të domosdoshmet) janë më të shtrenjta se në BE

Nga 12 grupe të detajuara që raporton Eurostat, për 6 prej tyre, apo gjysmën, çmimet janë më të lartat sesa mesatarja europiane. Këtu futen produkte bazë, si qumështi e nënproduktet, vajrat dhe yndyrnat, ndërsa dhe mishi e peshku janë shumë afër niveleve të BE-së.

Diferenca më e fortë për produktet bazë është te qumështi, produktet e bulmetit dhe vezët. Shqipëria ka indeksin 135.6, ose 35.6% mbi mesataren e BE-së.

Në Serbi indeksi është 107.1, në Malin e Zi 95, në Bosnjë-Hercegovinë 92 dhe në Maqedoninë e Veriut 89.6. Shqiptarët i paguajnë këto produkte rreth 27% më shtrenjtë se serbët, 43% më shtrenjtë se malazezët dhe mbi 50% më shtrenjtë se konsumatorët në Maqedoninë e Veriut.

Edhe ushqimet e gatshme dhe produktet e tjera ushqimore janë dukshëm më të shtrenjta. Indeksi për Shqipërinë arrin në 128.2, ose 28.2% mbi mesataren e BE-së. Serbia është në 111.2, Mali i Zi 108, Bosnja 95.5 dhe Maqedonia e Veriut 80.9. Shqipëria është rreth 15% më e shtrenjtë se Serbia dhe afro 59% më e shtrenjtë se Maqedonia e Veriut.

Për sheqerin, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë, çmimet në Shqipëri janë 23.1% mbi mesataren e BE-së, me indeks 123.1. Në këtë kategori Serbia është pak më e shtrenjtë, me 125.3, ndërsa Mali i Zi ka indeksin 120.5. Bosnja është në 104.2 dhe Maqedonia e Veriut në 92.5.

Te pijet joalkoolike, Shqipëria rikthehet si vendi më i shtrenjtë i rajonit, me indeks 114.3, ose 14.3% mbi mesataren europiane. Mali i Zi është në 105.9, Serbia 103.2, Bosnja 97.7 dhe Maqedonia e Veriut 79.9. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, pijet joalkoolike kushtojnë rreth 43% më shumë në Shqipëri.

Edhe vajrat dhe yndyrnat janë mbi mesataren e BE-së, me indeks 112.5. Në këtë kategori Shqipëria nuk është më e shtrenjta në rajon: Serbia ka indeks 128.4 dhe Mali i Zi 119.4. Bosnja është pranë mesatares europiane me 99.2, ndërsa Maqedonia e Veriut në 95.

Te mishi dhe produktet e kafshëve të therura, Shqipëria ka indeksin 98, pra pak më poshtë mesatares së BE-së. Por në raport me rajonin mbetet vendi më i shtrenjtë. Serbia ka indeks 86.1, Bosnja 83, Maqedonia e Veriut 77.6 dhe Mali i Zi vetëm 71.

Ndonëse Shqipëria është një vend me shumë burime ujore, ajo është e dyta më e shtrenjtë në rajon, duke lënë pas vetëm Serbinë, pa det. Te peshku dhe produktet e detit, Shqipëria ka indeksin 96.5. Serbia është më e shtrenjtë, me 106.7, ndërsa Mali i Zi ka 90.2, Bosnja 88.3 dhe Maqedonia e Veriut 80.5.

Paradoksi i një vendi me peshë të lartë të bujqësisë është i dukshëm edhe te produktet që prodhohen gjerësisht në vend.

Për frutat dhe arrat, Shqipëria ka indeksin 92.1, nën mesataren europiane, por shumë mbi shumicën e rajonit. Serbia është pak më e shtrenjtë, me 95.9, ndërsa Mali i Zi ka 77.9, Bosnja 71.2 dhe Maqedonia e Veriut vetëm 52.4. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, niveli i çmimeve në Shqipëri është rreth 76% më i lartë.

Për perimet, zhardhokët, bananet e gatimit dhe bishtajoret, Shqipëria ka indeksin 91.2, praktikisht të njëjtin nivel me Serbinë, 91. Por është rreth 20% më e shtrenjtë se Bosnja, 22% më e shtrenjtë se Mali i Zi dhe 27% më e shtrenjtë se Maqedonia e Veriut.

Edhe te drithërat dhe produktet e drithërave, ku indeksi shqiptar është 84, çmimet janë më të larta se në Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Vetëm Serbia, me indeks 87.3, është më e shtrenjtë.

Produkti më i shtrenjtë në Shqipëri janë pijet alkoolike. Shqipëria ka indeksin 159, ose plot 59% mbi mesataren e Bashkimit Europian. Asnjë vend tjetër i rajonit nuk afrohet me këtë nivel. Mali i Zi ka indeks 128.8, Serbia 116.3, Maqedonia e Veriut 99 dhe Bosnjë-Hercegovina 92.6.

Në kategorinë më të gjerë “pije alkoolike, duhan dhe narkotikë”, Shqipëria ka indeksin 81.7. Ndonëse nën mesataren e BE-së, është sërish niveli më i lartë në rajon, përpara Serbisë me 72.5, Malit të Zi me 69.7, Bosnjës me 63.6 dhe Maqedonisë së Veriut me 58.5.

Të dhënat nxjerrin në pah një kontrast të fortë për ekonominë shqiptare: bujqësia zë rreth 15% të PBB-së, një peshë shumëfish më të lartë se në Bashkimin Europian, por konsumatori shqiptar përballet me çmime ushqimore që në shumë kategori janë jo vetëm më të lartat në rajon, por edhe mbi mesataren europiane.

Avantazhi që teorikisht duhet të sillte një bazë e gjerë prodhuese bujqësore nuk po reflektohet në çmimet që paguajnë familjet. Produkti më i lirë në Shqipëri është duhani, që normalisht është i dëmshëm për shëndetin! /Monitor.al/

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x