Luftar Hysa, biznesmeni shqipatar që prej vitesh jeton në Meksikë dhe ku ka biznese të lojërave të fatit por dhe restorante, ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në emsionin “Opinion” në Tv Klan. Gjatë intervistës së tij, Hysa ka treguar dhe arsyen që fshihet pas disa fotove të publikuara më parë, ku shihet duke dalë nga zyra e Kryeministrit të vendit, Edi Ramës së bashku me një deputet gjerman.
Blendi Fevziu: Është publikuar një foto e juaja duke dalë nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama së bashku me një deputet gjerman. Për çfarë e keni takuar Edi Ramën?
Luftar Hysa: Kam dashur ta takoj Edi Ramën për një gjë shumë të bukur. Kam një mik timin që jeton në Londër dhe e ka emrin Max Miligam. Maxi bën libra dhe është fotograf. Dhe ky njeri ka qenë i interesuar që të bënte libër për Shqipërinë. Unë duke kërkuar, duke parë që Rama është dhe artist, thashë që e vetmja që mund të bëj është t’i prezantoj këtë projekt. Ramën e gjeta nga një deputet i Bundestagut Gjerman.
Hysa ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë i akuzuar dhe as i dënuar teksa ka shtuar se është një njeri i bizneseve që lëviz nëpër botë, kudo ku tregjet hapen që biznesi i tij të jetë ligjor.
Luftar Hysa: Unë nuk shes byreqe, unë jam njeri i bizneseve që bredh nëpër botë. Gjej hapësira ligjore. Unë jam për bizneset e lojërave të fatit. Kudo që tregjet hapen, shkoj dhe prezantoj veten time nëse ligji ma lejon. Ne kudo që shkojmë për të bërë biznese, që të marrësh një licencë duhet të kalosh nga të gjitha kanalat nga Interpoli. Unë as që kam qenë as i gjykuar, as i dënuar dhe as i akuzuar. Me gjërat e tjera nuk merret. Zyrtarisht zero, as unë dhe as vëllezërit e mi dhe as punëtorët e mi.
Në mbyllje të intervistës, i pyetur nga Blendi Fevziu se a ka në plan të kthehet në Shqipëri, biznesmeni Luftar Hysa është shprehur se nuk do të kthehet më.
Luftar Hysa ditëve të fundit është vënë në qendër të akuzave nga një media meksikane se po investon në Shqipëri paratë e kartelit të drogës Sinaloa.