1.5 C
Tirana
03 / 12 / 2024

Lëvizja e Gylenit, ja kush është organizata që qeveria turke e quan terroriste dhe përse akuzohet nga Erdogan

Turqia ka kohë që u është vënë pas mbështetësve të lëvizjes Hizmet (nga turqishtja – shërbim) të klerikut Fethullah Gylen, rivalit kryesor të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Kleriku Gylen fitoi famë në vitet 60, si predikues fetar në lutjet e së premtes në Turqi.

Ai proklamon se përqafon islamin e moderuar dhe tolerant dhe mbështetësit e tij thonë se kjo lëvizje promovon altruizmin, punën dhe edukimin. Megjithatë, disa qeveri e shohin lëvizjen e tij si kërcënim për shkak të rrjetit që ka në mesin e biznesmenëve të pasur dhe ndikimit që ushtron përmes qendrave arsimore. Erdogan thotë se Gyleni qëndron prapa grusht-shtetit të dështuar më 15 korrik të vitit 2016 në Turqi. Dhjetëra mijëra persona janë arrestuar dhe shumë t ë tjerë janë larguar nga puna, pas dyshimeve se janë “gylenistë”, apo ndjekës të klerikut Gylen. Në mesin e të akuzuarve si gylenistë janë shumë profesorë, aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë dhe zyrtarë të administratës turke. Rivaliteti në mes të Erdoganit dhe Gylenit nuk ka ekzistuar gjithmonë. Në fakt, lëvizja e Gylenit ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Erdoganit.

Gylen, përmes mediave që e kanë mbështetur atë dhe lëvizjen e tij, ka ndihmuar që partia e presidentit turk, Partia për Zhvillim dhe Drejtësi, të vijë në pushtet më 2002. Megjithatë, marrëdhëniet mes Erdoganit dhe Gylenit u prishën, për shkak të, siç është thënë, dallimeve në çështjen e ndarjes së pushtetit dhe për stilin autoritar të udhëheqjes së presidentit turk. Në maj të vitit 2016, Turqia zyrtarisht e ka njohur lëvizjen e klerikut Gylen, si grup terrorist. Erdogan për një kohë të gjatë ka akuzuar Gylenin dhe mbështetësit e tij, se dëshirojnë të bëjnë grusht-shtet. “Ne nuk do t’i lëmë ata që përçajnë kombin”, kishte deklaruar Erdogan, në ditën kur zyrtarisht organizata e Gylenit u shpall si grup terrorist në Turqi, shtet në të cilin njihet me akronimin FETO. Akuza për grusht shtet ndaj gylenistëve, Erdogan kishte bërë pas një skandali të korrupsionit më 2013, ku ishin përfshirë disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Skandali kishte të bënte me akuzat ndaj zyrtarëve shtetërorë që ishin pasuruar duke përdorur fondet shtetërore për të blerë ari nga Irani, dhe për të ndihmuar Teheranin që të shmangë sanksionet ndërkombëtare mbi programin e tij bërthamor. Turqia vazhdimisht ka kërkuar ekstradimin e Gylenit nga SHBA-ja. Pas tentim puçit më 2016, Ankaraja ka shtuar kërkesat për një ekstradim të tillë, por Uashingtoni zyrtar ka kërkuar prova që dëshmojnë për përfshirjen e Gylenit në puç.

Ky i fundit, vazhdimisht ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e njohin si organizatë terroriste Lëvizjen Hizmet, veprim që ka acaruar marrëdhëniet dikur të afërta mes Amerikës dhe Turqisë, duke i sjellë ato në pikën e tyre më të ulët në dekadat e fundit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x