12.5 C
Tirana
23 / 01 / 2026

Leonor e Spanjës, mbretëresha që po kalitet nën uniformë/ Paralajmërimi i një ere të re në monarkitë e Evropës

Epoka e monarkëve të salloneve, të mondanitetit të rremë dhe të ceremonive të zbrazura nga përmbajtja, duket se ka perënduar. Ajo që po lind është një koncept i ri i pushtetit simbolik: jo më thjesht i trashëguar, por i fituar përmes disiplinës, sakrificës dhe përgatitjes reale.

Bukuria, finesa, sharmi dhe eleganca nuk janë më të kufizuara në vello kadifeje, kurora me diamante dhe galancë pallatesh. Ato rrezatojnë po aq, ndoshta edhe më fuqishëm, kur vishen me uniformë, me çizme ushtarake, me barrën e përgjegjësisë dhe me heshtjen e stërvitjes së përditshme.

Vajza në foto është Leonor e Spanjës.

Mbretëresha e ardhshme që po kalitet nën uniformë.

Ky nuk është skenari i një filmi, as një manipulim nga inteligjenca artificiale, as një trill për klikime sensacionale. Është realitet i zhveshur nga romantizmi i oborreve.

Ajo është vetëm 19 vjeçe.

Princesha Leonor de Borbón y Ortiz, pasardhësja e drejtpërdrejtë e fronit spanjoll.

Në këtë fazë të jetës së saj, ajo nuk jeton në një pallat mbretëror. Nuk shijon privilegje aristokratike. Nuk rrethohet nga kortezhe ceremonialë. Ajo jeton si kadete: marshon, stërvitet, bindet urdhrave, gabon, lodhet dhe ngrihet sërish.

Spanja kërkon që monarku i saj i ardhshëm të shërbejë në ushtri, në marinë dhe në forcën ajrore. Jo si formalitet, por si kusht kushtetues. Leonor po bën pikërisht këtë. Jo për imazh. Jo për marketing. Por sepse ligji dhe përgjegjësia historike e kërkojnë.

Në Akademinë e Përgjithshme Ushtarake të Zaragozës, ajo njihet thjesht si Kadetja Borbón.

Zgjohet në agim. Mban mbi shpinë pajisje të rënda. Fle në fjetore të përbashkëta. Kalon stërvitje rraskapitëse në baltë, shi dhe male, njësoj si çdo bashkëmoshatar i saj.

Nëse ajo do të ngjitet në fron, Leonor do të bëhet mbretëresha e parë mbretëruese e Spanjës pas më shumë se 150 vjetësh. Jo mbretëreshë përmes martesës, por mbretëreshë me të drejtë gjaku dhe ligji. Që nga koha e Isabelës II në shekullin XIX, Spanja nuk ka pasur një grua në krye të shtetit si Komandante e Përgjithshme e Forcave të Armatosura.

Për Leonorën, ende nuk ka kurorë.

Nuk ka shkurtore.

Ka vetëm përgatitje.

Ajo po mëson se udhëheqja nuk lind nga lartësia e fronit, por nga kuptimi i sakrificës së atyre që një ditë do të udhëheqë.

Historia zakonisht i ka pikturuar mbretërit dhe mbretëreshat të veshur me ar, kadife dhe simbole madhështie.

Në rastin e saj, historia po e takon me disiplinë të hekurt, baltë nën çizme dhe ndjenjë të lartë detyre.

Kjo nuk është një përjashtim, por pjesë e një transformimi më të gjerë në monarkitë moderne evropiane.

Përgatitja e trashëgimtareve të reja shënon fillimin e asaj që mund të quhet pa hezitim “Epoka e Mbretëreshave”. Për herë të parë në histori, disa nga monarkitë më të vjetra të kontinentit pritet të udhëhiqen pothuajse njëkohësisht nga gra.

Ky brez i ri nuk po trajnohet si figura thjesht ceremoniale, por si udhëheqëse shteti, me formim rigoroz ushtarak, akademik dhe diplomatik.

Princesha Elisabeth e Belgjikës është pionierja e këtij modeli. Ajo hapi rrugën e stërvitjes ushtarake intensive për trashëgimtaret femra. Ka përfunduar Akademinë Mbretërore Ushtarake të Belgjikës, ka kaluar kampe stërvitore, ka mësuar qitjen, leximin e hartave dhe mbijetesën në kushte ekstreme. Më pas ka studiuar Histori dhe Politikë në Universitetin e Oksfordit. Falë ndryshimit të ligjit të trashëgimisë në vitin 1991, ajo do të jetë mbretëresha e parë mbretëruese e Belgjikës.

Princesha Victoria e Suedisë, tashmë një figurë me autoritet të konsoliduar, ka kaluar trajnime në marinë dhe forcat tokësore. Në vitin 2024 nisi përgatitjen për t’u bërë oficere karriere, duke dëshmuar se përgatitja nuk ka fund. Ka punuar në OKB dhe në Ambasadën Suedeze në SHBA, duke u angazhuar në çështje paqeje dhe klime. Ajo u bë trashëgimtare vetëm pasi Suedia ndryshoi kushtetutën në vitin 1980 për t’i dhënë përparësi fëmijës së parë, pavarësisht gjinisë.

Princesha Amalia e Holandës përfaqëson një qasje më moderne dhe më njerëzore. Edhe pse nuk ka ndjekur një akademi ushtarake afatgjatë, ajo ka kryer vizita stërvitore në njësitë ajrore dhe detare. Ajo u përball hapur me kërcënimet ndaj sigurisë së saj dhe me sfidat e shëndetit mendor, duke zgjedhur transparencën në vend të mitit. Hoqi dorë vullnetarisht nga paga vjetore prej 1.6 milionë eurosh deri në marrjen e detyrave mbretërore, për të qenë më pranë realitetit të qytetarëve.

Pse ushtria është kaq e rëndësishme?

Në shumicën e këtyre vendeve, Mbreti ose Mbretëresha mban titullin e Kryekomandantit të Forcave të Armatosura. Duke veshur uniformën, këto gra po ndërtojnë legjitimitet real. Ato fitojnë respektin e ushtrisë duke kaluar të njëjtat vështirësi. Po thyejnë njëherë e përgjithmonë stereotipin se mbrojtja e vendit është “punë burrash”.

Ushtria, në monarkitë kushtetuese, shihet si institucioni që qëndron mbi partitë politike, ashtu siç duhet të qëndrojë edhe vetë monarku.

Leonor e Spanjës nuk po përgatitet për të sunduar, por për të shërbyer.

Jo për të komanduar nga distanca, por për të kuptuar nga brenda peshën e përgjegjësisë.

Në një Evropë që kërkon figura të besueshme, jo thjesht simbolike, këto mbretëresha të ardhshme po rimodelojnë vetë idenë e pushtetit. Ato nuk po trashëgojnë vetëm një kurorë, por po fitojnë të drejtën morale për ta mbajtur atë.

Ndoshta historia do t’i kujtojë jo për shkëlqimin e stolive, por për heshtjen e stërvitjeve, për baltën në çizme dhe për vendimin e qartë se autoriteti nuk imponohet – ai ndërtohet.

Dhe në këtë kuptim, Leonor nuk është thjesht mbretëresha e ardhshme e Spanjës.

Ajo është shenja e një kohe të re, ku fuqia vjen nga përgatitja, dhe madhështia nga përgjegjësia.

Përgatiti: Albert Vataj

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x