Korçë, 2-3 vitet e fundit janë larguar rreth 7 farmacistë të rinj
Vitet e fundit vihet re një tendencë e rinjve që kanë studiuar për farmaci për tu larguar nga vendi, për të punuar drejt vendeve të BE-së. Sipas statistikave prej vitit 2020 ka një ulje të numrit të anëtarësimeve dhe rritje e numrit të personave që duan të largohen për tu punësuar jashtë vendit.
Me këtë fenomen përballet edhe Korça, ku sipas presidentes së Urdhrit të Farmacistëve qarku Korçë, Elda Zavalani, vetëm gjatë 2-3 viteve të fundit janë larguar rreth 7 farmacistë të rinj.
Por shifrat e farmacistëve të ikur janë edhe me të larta, pasi ka nga ata që largohen edhe pa u pajisur me dokumentacionin e duhur nga Urdhri, pasi nuk zgjedhin të bëjnë profesionin e farmacistit në vendin ku largohen, ose nuk e kanë mundësinë të punësohen në këtë sektor.
Nga ana tjetër Zavalani shton se gjatë viteve të fundit ka rënë edhe interesi i të rinjve për të studiuar për farmaci, krahasuar me fillim vitet 2000.
Sipas të dhënave zyrtare nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë për vitin 2020 ka patur 206 anëtarësime të reja dhe 41 vërtetime për jashtë vendit, në vitin 2021, 185 anëtarësime dhe 49 vërtetime dhe në 2022-shin 74 largime dhe 132 anëtarësime të reja. Kjo ngre alarmin se tregu farmaceutik rrezikon të mbetet pa farmacistë.
