29.4 C
Tirana
09 / 09 / 2026

Kremlini zbardh detajet e telefonatës njëorëshe Trump-Putin: Bisedë konstruktive, Rusia nuk ka plane agresive ndaj Europës!

Ndërsa vendet që mbështesin Kievin po shtojnë ndihmat e tyre ushtarake, Moska flet për një afrim të mundshëm me SHBA-në pas një bisede telefonike mes Putinit dhe Trumpit.

Presidenti rus Putini i garantoi Trumpit se Rusia nuk ka “plane agresive” ndaj Evropës, deklaroi këshilltari i tij për politikën e jashtme, Juri Ushakov, para gazetarëve. Kjo deklaratë vjen vetëm pak javë pas sulmit hibrid ndaj aeroportit Leipzig-Halle, për të cilin qeveria gjermane fajëson Rusinë.

Kremlini: Biseda Putin-Trump ishte “konstruktive”

Juri Ushakov, këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin për çështjet e politikës së jashtme, tha se biseda telefonike njëorëshe mes Putinit dhe Donald Trumpit ishte “konstruktive dhe mjaft e sinqertë”.

Sipas Ushakovit kreu i Kremlinit i paraqiti gjithashtu Trumpit një “analizë objektive dhe të detajuar të zhvillimeve në fushën e betejës”. Putini i shpjegoi Trumpit edhe se “çfarë mund të bëjnë amerikanët për t’u dhënë fund sa më shpejt luftimeve”. Hollësi të mëtejshme këshilltari rus nuk dha.

Ushakov tha se Moska e vlerëson pozitivisht vizitën e të dërguarve specialë amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët zhvilluan bisedime ndërmjetësuese në Rusi fundjavën e kaluar. Megjithatë pas kësaj vizite nuk u njoftuan përparime të rëndësishme.

Sipas Ushakovit, presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se, nëse lufta përfundon, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mund të rikthehen plotësisht si më parë. Gjatë bisedës u diskutua edhe për shkëmbime të tjera të të burgosurve.

Zelenski: Ide me vlerë nga të dërguarit amerikanë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski deklaroi ndërkohë se të dërguarit amerikanë që vizituan Kiyvin paraqitën disa ide “shumë të mira dhe me vlerë” për t’i dhënë fund luftës katër e gjysmë vjeçare të Rusisë. Ai shtoi se shpreson të takohet me Trumpin brenda dy javëve të ardhshme.

Nga ana tjetër zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia mbetet e vendosur të arrijë objektivat e saj ushtarake dhe beson se është pranë fitores. Megjithatë vëzhgues ukrainas dhe perëndimorë vlerësojnë se Moska nuk ka arritur të bëjë ndonjë përparim të rëndësishëm në vijën e frontit.

Deri tani presidenti amerikan Trump nuk ka bërë asnjë deklaratë publike lidhur me këtë telefonatë. /DW/

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x