8.5 C
Tirana
14 / 10 / 2025

 Kosova voton, mbahen sot zgjedhjet lokale. Kurti dhe Osmani thirrje qytetarëve të dalin në votime, akuza Serbisë për ndërhyrje në proces

Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale.

Të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme.

Për zgjedhjet lokale janë certifikuar 5.626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvendet komunale.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në garë janë 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Votuesit duhet të plotësojnë dy fletëvotime në kabinën e votimit: një për kryetarin e komunës dhe një tjetër për kandidatin për kuvendin komunal, duke shënuar numrin e kandidatit dhe subjektin politik me të cilin ai garon.

10:50

Zgjedhjet lokale, Millosh Vuçeviç u bën thirrje serbëve në Kosovë të dalin në votime

Ish-kryeministri i Serbisë dhe kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Millosh Vuçeviç, deklaroi se pret pjesëmarrje të lartë të serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke vlerësuar se ky veprim “nuk është thjesht votim për ndonjë opsion politik, por çështje e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.

Duke folur për televizionin serb Prva, Vuçeviç tha se, për shkak të rrethanave specifike, disa parti politike janë bashkuar nën Listën Serbe, dhe për këtë arsye Partia Përparimtare Serbe dhe të tjerat nuk veprojnë ndaras në Kosovë.

Ai shtoi se periudha gjatë së cilës serbët qëndruan jashtë institucioneve në Kosovë, ka qenë e vështirë dhe se populli nuk ka marrë mbështetjen e duhur nga bashkësia ndërkombëtare.

10:26

Akuzat për ndërhyrje nga Serbia në zgjedhjet lokale, Osmani: Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e fortë demokracia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, votoi pak pas orës 10:00 në Fakultetin Teknik në Prishtinë. Pas hedhjes së votës, ajo e cilësoi këtë ditë si të rëndësishme për demokracinë e vendit.

“Sa më e madhe pjesëmarrja dhe sa më i rregullt procesi, aq më e fortë është demokracia jonë. Pres që ky të jetë një proces me rezultate në të mirë të qytetarëve tanë”, tha Osmani, duke ftuar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.

Osmani, po ashtu, theksoi se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka për të garantuar të drejtën e votës për të gjithë qytetarët, duke përsëritur se Serbia ka tentuar vazhdimisht të ndërhyjë në proceset zgjedhore në Kosovë.

10:01

Siguria dhe garantimi i votës së lirë në Kosovë, 100 prokurorë dhe zyrtarë të drejtësisë “zbarkojnë” në terren

Për zgjedhjet lokale që po mbahen sot, Prokuroria e Shtetit tha se ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë prokurorialë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në një njoftim nga Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës bëhet e ditur se prokurorët janë në zyrat e prokurorive ose stacionet policore, duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të parandaluar çdo parregullsi.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, mbikëqyr zbatimin e detyrave të prokurorëve dhe fton qytetarët, subjektet politike dhe institucionet të raportojnë çdo rast dyshimi për manipulim të votës, thuhet, mes tjerash, në njoftim.

09:31

Zgjedhjet lokale, Kurti fton qytetarët të dalin për të votuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, votoi rreth orës 9:00 në një qendër votimi në Prishtinë.

Pas hedhjes së votës, ai iu drejtua gazetarëve duke ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim, që të përfshihen aktivisht në vendimet për komunat e tyre.

“Votojmë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm në komunat tona. Përveçse qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, tha ai.

08:22

Zgjedhjet lokale në Kosovë/ Qytetarët e komunitetit serb grumbullohen jashtë qendrave të votimit, prihen nga Lista Serbe

Në Mitrovicën e Veriut, komunë me shumicë serbe, qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami raporton se Lista Serbe u prin qytetarëve serbë drejt qendrave të votimit, në shkollën teknike në Veri të Mitrovicës.

Edhe pse votimi i organizuar është jo i ligjshëm, pakica serbe siç duket ka zgjedhur të grumbullohet dhe të votojë.

08:00

Korrespondentja e Top Channel në Kosovë, Leonita Bajrami, bën me dije se në shkollën teknike në Veri të Mitrovicës ka nisur procesi i votimit. Qendra e votimit është hapur me kohë derisa janë pritur edhe votuesit e parë.

Mitrovica e Veriut është komunë e banuar me shumicë serbe. Po ashtu ka nisur grumbullimi i qytetarëve të komunitetit serb para votimit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x