Nga Enver Robelli
Ndërsa Europa fle, Donald Trump kujdeset që, kur njerëzit në kontinentin e vjetër të zgjohen nga gjumi, të kenë çfarë të lexojnë. Pas kthimit nga Davosi, ku mbajti një seri fjalimesh vetëlavdëruese, Trump goditi Kanadanë, shtet fqinj, miqësor, partneri i dytë ekonomik i SHBA-së. E njoftoi kryeministrin e Kanadasë Mark Carney se “Bordi i Paqes” dhe shefi i tij i përjetshëm (!) Donald Trump kanë tërhequr ftesën që Kanadaja të bëhet pjesë e “Bordit të Paqes”. Trump informoi rreth kësaj përmes një postimi të shkurtër në platformën e tij online, Truth Social, pa dhënë një arsye specifike. Interesant është se Trump flet në emër të “Bordit të Paqes”, pra në emër të shteteve që i janë bashkuar shout të tij. Ai thotë se bordi po e tërheq ftesën. Kjo i bie se edhe Kosova e Shqipëria, si pjesë e bordit, natyrisht pa i pyetur askush, nuk e pranojnë Kanadanë në “Bordin e Paqes”.
Këso komedish do përjetojmë pandërprerë në vitet e ardhshme. Së paku deri në shkurt të vitit 2029. Atëherë skadon afati i anëtarësimit pa para në klubin e Trumpit. Aty e tutje kush ka qejf të vazhdojë shoqërimin me presidentin e pensionuar amerikan, duhet të paguajë 1 miliardë dollarë anëtarësim. Atëherë Kosova e Shqipëria do tërhiqen në mënyrë diskrete dhe s’përjashtohet mundësia që të shpotiten nga Trumpi në media (a)sociale. Deri atëherë do dëgjojmë përralla shqiptare për “liderin e botës së lirë”, i cili ia tregon gishtin e mesëm Kanadasë dhe i duartroket një demokrati të pastër si loti si puna e diktatorit të Azerbajxhanit.
Nuk ka qenë çdo gjë mirë në të kaluarën, por disa gjëra po, siç tregojnë këto fjalë të presidentit amerikan John F. Kennedy, thënë në parlamentin kanadez më 17 maj 1961: “Gjeografia na bëri fqinjë. Historia na bëri miq. Ekonomia na bëri partnerë. Dhe nevoja na bëri aleatë. Ata që natyra i ka bashkuar kështu, asnjë njeri mos t’i ndajë.”
PS. Ndonëse nuk përmend arsye, Trump duket i mllefosur me një fjalim të kryeministrit të Kanadasë në Davos.