Kori “Lyra” koncert jubilar
Këngë të zgjedhura të repertorit në 100 vite histori
Kori “Lira” është formuar rreth viteve 1917 – 1922 si vazhdimësi e formacioneve instrumentale – korale dhe e grupeve të asaj kohe “Djelmëria Korçare”, “Kori i ushtrisë”. Koncertin e parë ky grup koral e dha bashkë me bandën “Vatra” më 22 tetor 1922, datë e cila u quajt nga populli korçar si dita e themelimit të këtij grupi.
Pjesa më e madhe e teksteve të këngëve të grupit Lira janë shkruar nga emra të njohur si: Mihal Grameno, Thoma Nasi, Spiridon Ilo, Koli Rodhe, Mihal Ballkameni dhe shumë të tjerë të cilët kanë mbetur anonimë.
Gjatë një shekulli, grupi ka arritur të mbetet një nga ikonat e muzikës patriotike dhe jo vetëm në vendin tonë. Sipas drejtuesit artistik të Korit Lira, Pandi Bello, në repertorin e këtij grupi janë me qindra këngë të gjinive të ndryshme muzikore. Këngë të cilat edhe sot tërheqin artdashës të shumtë në skena të ndryshme të vendit.
Me rastin e 100 vjetorit të krijimit të korit Lira, mbrëmjen e djeshme në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” është dhënë një koncert jubilar me këngët më të mira përgjatë një shekulli ekzistence të Korit Lira, “Nderi i Kombit”.
Kori Lira ka pasur koncerte të përbashkëta me artistë shumë të njohur të muzikës shqiptare që nga Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Jorgjica Filce, Gaqo Çako si dhe me pianistet e njohura Lola Gjoka dhe Karmen Nako.
Ky grup, në formacionin e tij, ka rreth 120 këngë të vjetra, të karakterit patriotik, lirik, satirik, qytetar dhe popullor. Prurja e eksperiencave të huaja në fillesat e tij pati një ndikim pozitiv në formacionet orkestrale të kohës dhe ato korale.
Më pas, formacioni konsolidoi një profil të vetin, duke u bërë pjesë identifikuese e kulturës qytetare korçare. Repertori ka ruajtur të njëjtën linjë edhe sot, duke u bërë simbol i këngës qytetare korçare.