Të gjithë fëmijët nga mosha 7-15 vjeç do të kenë mundësi të trajnohen në fushën e teknologjisë së informacionit, kryesisht në kodim dhe robotikë, kjo falë një programi bashkëpunimi mes bashkisë së Korçës dhe Albanian ICT Academy.
Për këtë është zhvilluar një sesion informues me fëmijët e apasionuar pas teknologjisë, për ti njohur ata me njohuritë që do të mund të përvetësojnë nëse do të zgjedhin të bëhen pjesë e këtyre trajnimeve.
Kryetari i bashkisë Korçë Sotiraq Filo, ka thënë se është shumë e rëndësishme jo vetëm trejnimi it ë rinjve të cilët tashmë janë bërë pjesë e tregut të punës por edhe përgatitja e fëmijëve, të cilët do të jenë nesër një kontigjent për kompanitë që do të operojnë në qytet, në industrinë e teknologjisë.
Për drejtoren ekzekutive të Albanian ICT Academy, hatixhe Bilibashi, nuk është rastësi ardhja në Korçë, pasi edhe më herët ka patur një interes të shtuar jo vetëm nga fëmijët por edhe nga prindërit e tyre.
Përgjatë një muaji do të jenë të hapura aplikimet për të gjithë fëmijët e interesuar për tu bërë pjesë e këtij programi, i cili do të nisë në datën 15 mars.
Kurset e trajnimit do të zgjasin 3 muaj dhe përmes këtij programi do të mbështeten nga ana e bashkisë rreth 140 fëmijë, duke subvencionuar mbi 50% të tarifës së trajnimit dhe duke vënë në dispozicion ambientet e bibliotekës për zhvillimin e tyre.




