19.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Korça: 380 studentë të regjistruar në UNIKO/ Mbyllet raundi i parë i regjistrimeve në universitet

Është mbyllur raundi i parë i regjistrime në universitete. Deri në këto momente pranë universitetit “Fan Stiljan Noli” të Korçës janë regjistruar rreth 380 studentë në programet bachelor dhe në programet 2 vjeçare.

Artur Prifti, drejtor i kurrikulave dhe vlerësimit institucional thotë se është i njëjti trend në kërkesa për të studiuar në universitetin e Korçës, ashtu si vitin e kaluar. Ajo që vihet re është ulja e numrit të studentëve në programet dy vjeçare dhe rritja e interesit për programet bachelor. Kjo sipas Priftit tregon se ka ndikuar ulja e mesatares tek degët e mësuesisë, për ata studentë që nuk do të vazhdojnë master në mësuesi, të cilët këtë vit kanë zgjedhur të studiojnë në programet bachelor.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë rreth 15 studentë më shumë të regjistruar për këtë vit akademik,” shprehet Prifti.

Programet më të preferuara mbeten po të njëjtat, teksa këtë vit është rritur interesi për programin e studimit për arsimin parashkollor.

“Më të preferuarat mbeten sportet, programi i infermierisë, financë-kontabilitet dhe gjuhë angleze. Këtë vit i preferuar ka qënë edhe programi “Mësuesi në arsimin parashkollor”, edhe pse vitin e kaluar kishte një numër të ulët regjistrimesh. Kjo edhe për faktin se ky program studimi nuk ka nevojë për ndjekjen e nivelit të dytë të studimeve për të dalë edukator në profesion,” shton më tej Prifti.

Edhe këtë vit, numrin më të ulët të regjistrimeve e kanë programet e mësuesisë, të cilat kanë vite që nuk preferohen nga maturantët për shkak të mesatares.

“Programet që kanë një numër të ulët të studentëve janë ato të mësuesisë, si histori-gjeografi, gjuhë-letërsi, gjuhë kulturë frënge, e cila ka vite që nuk preferohet nga maturantët. Sivjet janë edhe programet e studimit matematikë-fizikë, matematikë-informatikë, si dhe biologji-kimi, të cilat kanë numër të ulët regjistrimesh,” shprehet drejtor i kurrikulave dhe vlerësimit institucional.

Sipas Priftit është ende herët për të thënë se cilat prej programeve rrezikojnë të mbyllen në këtë vit akademik. Bëhet fjalë për programe që nuk përmbushin nevojat e tregut, por nga ana tjetër kjo situatë sjell hapjen e programeve të reja. Ulja e mesatares pritet ti japë frymëmarrje programeve bachelor, duke mos rrezikuar mbylljen e programeve me traditë në universitetin e Korçës.

“Do duhet të shohim ecurinë e regjistrimeve edhe në dy fazat e tjera për të përcaktuar se çfarë do të ndodhë me këto programe studimi dhe sesi do të procedohet,” përfundon Prifti.

Ndërkohë raundi i dytë i aplikimit të maturantëve do të nisë në datën 22 dhe zgjat deri në 24 shtator, ndërsa raundi i tretë zhvillohet në datat 19 tetor deri në 21 tetor 2022. Viti i ri akademik 2022-2023 pritet të nisë më 17 tetor.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x