14.5 C
Tirana
03 / 11 / 2026

“Kontrolle gjatë gjithë vitit”- Spahiu: Nga 1 janari 2027, rrjetëzim i pikave të kimioterapisë në spitalet rajonale me qendrat shëndetësore!

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu deklaroi sot se shërbimet onkologjike në spitalet rajonale do të lidhen me qendrat shëndetësore, me synim garantimin e ndjekjes së vazhdueshme dhe kujdesit të koordinuar për pacientët me sëmundje tumorale.

Gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Vlorës, një prej pesë spitaleve rajonale ku prej 1 nëntorit shërbimi i hemodializës ka kaluar në administrimin e strukturave shtetërore, Spahiu u ndal te masat për forcimin e shërbimeve shëndetësore dhe zgjerimin e kujdesit pranë vendbanimit të pacientëve.

Spahiu bëri të ditur se, nga 1 janari 2027, me vënien në funksion të Institutit Kombëtar të Onkologjisë, do të mundësohet rrjetëzimi i pikave të kimioterapisë të spitaleve rajonale me qendrat shëndetësore.

Sipas saj, kjo do të ndihmojë në përmirësimin e komunikimit mes mjekëve onkologë dhe mjekëve të familjes, në mënyrë që pacientët të ndiqen në vazhdimësi dhe të marrin shërbimet sipas nevojave të tyre.

Spahiu theksoi se vëmendje e veçantë do t’u kushtohet pacientëve që jetojnë në zona të largëta, të moshuarve dhe personave që kanë vështirësi në lëvizje, për të lehtësuar aksesin e tyre në shërbimet shëndetësore.

Gjatë takimit me stafit mjekësor në Spitalin Rajonal të Vlorës, u bë e ditur se në ambientet e mamografisë në këtë spital janë kryer 342 ekzaminime gjatë muajit tetor. Spahiu nënvizoi se kontrollet parandaluese duhet të vijojnë gjatë gjithë vitit dhe jo të përqendrohen vetëm gjatë muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x