6.5 C
Tirana
22 / 12 / 2024

Kërkohet me çdo kusht një i vdekur!

Nga Dritan Hila

Në protestën e radhës, opozita PD&PL kanë premtuar që do t’i shkojnë kryeministrit Rama në shtëpinë e tij në Surrel.

Në historinë botërore nuk njihet sulmi ndaj shtëpive private të shefave të qeverive, as në raste revolucionesh. I vetmi që njohin kohët moderne është sulmi i bandave të drogës në Haiti mbi shtëpinë e presidentit, duke e vrarë atë.

Mirëpo dihet që Haiti është një shtet i dështuar, dhe ngjashmëria me ne ka vetëm në vitin ‘97 kur shefi i vendit Berisha, e çoi Shqipërinë në kaos, ku Berisha që përfaqësonte në ato kohë shtetin, kontrollonte vetëm godinën e presidencës. Duhet theksuar që edhe ne po dështojmë vazhdimisht të bëjmë shtet në këto 112 vite, duke çuar shpesh vendin në prag shpërbërjeje.

Justifikimet për një sulm mbi shtëpinë private të Ramës janë të sforcuara për të fshehur thelbin: PD-së i duhet një kauzë dhe ky është mirë të jetë i vdekur. Nëse protestuesit e PD&PL shkojnë tek shtëpia e Ramës, do tentojnë pushtimin e saj, çka nuk mund të lejohet nga garda. Dhe në këtë rast nuk është çudi që situata të dalë jashtë kontrollit dhe opozita të marrë të vdekurin që i duhet. Mund ta bëjnë fare mirë duke marrë kryeministrinë, si në kohët e arta të Nanos ku çdo gjashtë muaj plaçkitnin katin e parë. Mirëpo nuk kanë numrat që ta bëjnë këtë. Një shtëpi është më kollaj.

Në të kundërtën, të rrisin presionin psikologjik mbi kryeministrin për të bërë qeveri teknike që praktikisht do të thotë dorëzim pushteti.

Kjo në fakt tregon dëshpërimin e opozitës. E ndodhur përballë rënies së numrit të protestuesve që po i afrohen numrit të grupit parlamentar, e vetëdijshme se djegiet e karrigeve dhe bllokimet e rrugëve nuk janë strategji që të jep fitore tek kutitë e votimit, kërkon të precipitojë situatën në prag lufte civile duke e çuar në ekstrem siç do të ishte sulmi mbi shtëpinë e kryeministrit.

Dhe ku ka më mirë se një i vdekur për të ripërsëritur 14 shtatorin e ‘97-ës. Pas kësaj shpresojnë që ndërkombëtarët t’i njohin si palë, Rama të dorëzojë pushtetin, Berisha të nusërojë për herë të tretë. Dhe pastaj thonë pse ikin shqiptarët. A mund të ndodhë kjo?

Fatkeqësisht për Berishën dhe fatmirësisht për vendin, jemi anëtarë të NATO-s. Askush nuk ka për të lejuar destabilizim të prapavijave të aleancës. E vetmja çudi që mund të ndodhë është një përshkallëzim i pozicionit juridik dhe arrestimi i Berishës. Por të jetë i sigurtë që ky nuk do të jetë as urdhri e as faji i Ramës, sikurse njëzet e ca vite më parë nuk ishte as dëshirë e as urdhër i Metës për ndalimin e tij. (Dritare.net)

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x