Ish-kandidati për kreun e PD-së, Fatbardh Kadilli në një bisedë në studion e “Radarit Informativ” në ABC, me gazetaren Juli Xhokaxhi foli për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe kandidatët e opozitës.
Sipas tij, të dyja palët e opozitës kanë interes që të mbrojnë pushtetin e tyre dhe jo të përballen me pushtetin aktual.
Kadilli: Edhe projekti që kam shpallur, me ambicien për të kandiduar për Tiranën ka qenë me këtë qëllim, për të bërë më mirë për demokracinë. Të gjitha palët kanë më tepër interes për të mbrojtur pushtetin e tyre mbi një copë të opozitës, se sa të përballen me pushtetin. Qartazi ne po shkojmë të ndarë. Projekti im ishte që t’i shërbeja bashkimit, një projekt që do t’i shërbente të gjithë opozitarëve. Fakti që kishte një lojë nga të dy palët me qëllimin e vetëm kujt do t’i mbetet fatura pse nuk u bashkuam, e pamundëson projektin tim.
Zoti Kadilli u shpreh se të dy grupimet përpiqen të kontrollojnë sa më shumë pjesë të opozitës dhe nuk krijojnë aksion politik. Sipas tij, forca politike ka nevojë të ndjeje qytetarin dhe t’i japë përgjigje qytetarit dhe ai nuk e shikon këtë te asnjë nga të dy grupimet e PD-së. Në gjykimin e tij, gjuha politike e opozitës sot janë vetëm dy protesta dhe akuza.