Sali Berisha ka komentuar dorëheqjen e sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Jola Hysa, nga Partia Demokratike. Në bashkëbisedimin që zhvilloi me qytetarët në Facebook, Berisha e trajtoi dorëheqjen e Hysës si një akt normal të saj, çka la të kuptohet se as nuk i kishte lexuar shqetësimet që kishte ngritur ish-bashkëpunëtorja e tij për mënyrën se si funksionon partia.
Kreu i PD tha se Hysa i kishte dërguar një mesazh ku njoftonte se do të largohej, ndërsa ai e kishte falënderuar për kontributin e saj.
“Jola Hysa më ka dërguar dje një mesazh në të cilin më falënderon për bashkëpunimin, por më njofton që do të japë dorëheqjen, dhe unë e respektoj dhe e falënderoj për kontributin që ka bërë dhe e respektoj plotësisht vendimin e saj”, tha Berisha.
Kryedemokrati më tej shtoi se “dorëheqjet janë akt normal në një parti demokratike dhe në një shoqëri të lirë”.
Në fakt, se sa e lirë është Partia Demokratike e tregon edhe rasti i fundit i dorëheqjes së bashkëpunëtores së radhës së Berishës, Jola Hysa, e cila pas dy dekadash kuptoi se në atë parti nuk funksionojnë shumë gjëra, të cilat i renditi në statusin e saj të gjatë në Facebook.
Ajo ndër të tjera shkruante se posti që mbante në PD ishte zbrazur nga kompetencat reale. Përfaqësimi në këshillat bashkiakë, thotë ajo, nuk u dha njerëzve me kontribut, ndërsa listat për qarkun e Durrësit u hartuan në një mënyrë që la jashtë figura që kishin punuar për vite në terren.
Në statusin e saj, Hysa kritikon edhe mënyrën si opozita menaxhoi procesin për Avokatin e Popullit, duke e quajtur një gabim politik dhe institucional. Problemi, sipas saj, është më i thellë: një parti që vendimet i merr në një rreth të ngushtë dhe ku edhe anëtarët e Kryesisë i mësojnë nga mediat.
- Gara për “fronin fetar” ndez përplasje brenda regjimit iranian, kush do të jetë udhëheqësi i ri? - 07/03/2026
- Jola Hysa u largua nga PD me kritika të forta, vjen reagimi i Sali Berishës - 07/03/2026
- Rama habitet nga fjalët e biznesmenes: Do të kujdesem personalisht që ta marrësh lejen bashkë me medaljen - 07/03/2026