Televizionet në Shqipëri realizuan të ardhura totale prej 5.7 miliardë lekësh [afërsisht 48 milionë euro] gjatë vitit të kaluar, me një rritje prej 1.3 miliardë lekësh ose 29.7% në krahasim me vitin 2020, bëhet e ditur nga bilancet e kompanive të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. BIRN analizoi të dhënat e dhjetë televizioneve më të mëdha të vendit: TV Klan, Top Channel, News 24, A2CNN, Media Vizion, Euronews Albania, Report TV, ABC News, Ora News dhe Scan. Tre nga dhjetë televizionet rezultuan me humbje gjatë vitit të kaluar, ndërsa tre televizone pësuan rënie në të ardhura në krahasim me vitin 2020.
Rritja e të ardhurave gjatë vitit të kaluar duket se lidhet pjesërisht me zgjedhjet parlamentare të prillit, kur partitë politike zbrazën xhepat për më shumë reklama apo transmetime live.
Televizioni Klan rezultoi televizioni më i madh në vend sa i përket të ardhurave duke marrë 35.6% të tregut, pasuar nga Top Channel me 27.7%.
Katër televizionet më të mëdha në vend, Klan, Top Channel, News 24 dhe A2CNN kontrollojnë së bashku 77% të tregut. Shkalla e dominimit të tregut nga katër të mëdhenjtë është rritur në krahasim me vitin e kaluar.
TV Klan shënoi 2 miliardë lekë të ardhura, me rritje 74% në krahasim me vitin e mëparshëm, ndërsa Top Channel arkëtoi afro 1.6 miliardë lekë të ardhura me rritje 16%.
Focus Media News, kompania që operon kanalin News 24, shënoi të ardhura prej 396 milionë lekësh me rritje 33%, duke u renditur në vend të tretë për nga niveli i të ardhurave. A2CNN, televizioni relativisht i ri nën pronësinë e ndërtuesit Bashkim Ulaj, u rendit në vend të katërt me të ardhura në masën 392 milionë lekë dhe me rritje prej 25% në krahasim me një vit më parë.
Media Vizion, kompania që operon kanalin Vizion Plus, pësoi rënie të ardhurash në masën 15% duke u renditur në vend të pestë me 362 milionë lekë të ardhura. Televizioni tjetër i ri, Euronews, u rendit në vend të gjashtë me 285 milionë lekë të ardhura. Të ardhurat e këtij televizioni u rritën me 33%, por sërish viti 2021 u mbyll me humbje të konsiderueshme në masën 26.6 milionë lekë. Humbjet e akumuluara të këtij televizioni kanë bërë që kapitali aksioner të jetë në kuotën minus 86.6 milionë lekë.