11.5 C
Tirana
13 / 10 / 2025

Ivanka Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff në Tel Aviv: Kjo paqe nuk është dobësi

Në sheshin e pengjeve në zemër të Tel Avivit, ku prej dy vitesh familjarët e të rrëmbyerve nga Gaza mblidhen çdo të shtunë për të kërkuar drejtësi dhe shpresë, u zhvillua mbrëmë një ceremoni që simbolizon një kthesë të re në procesin e paqes mes Izraelit dhe Palestinës.

Në mesin e turmës prej mbi 400 mijë personash, sipas organizatorëve, u shfaqën dy figura të njohura amerikane, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilëve iu bashkua edhe Ivanka Trump.

Sipas Corriere della Sera, ata u pritën me entuziazëm nga të pranishmit, me flamuj izraelitë e amerikanë që valëviteshin krah për krah dhe me ovacione të ngrohta për përpjekjet e tyre në arritjen e marrëveshjes që ka mundësuar lirimin e një grupi prej njëzet pengjesh.

Në fjalën e tij, Steve Witkoff theksoi se momenti i arritur ishte fryt i guximit dhe i qëndrueshmërisë njerëzore, jo i politikës.

“Është e mrekullueshme t’iu shoh të gjithëve bashkë. Zemrat tona rrahin si një e vetme. Kjo paqe nuk është dobësi, është forma më e lartë e forcës”, deklaroi Witkoff, duke iu drejtuar familjeve që ende vuajnë mungesën e të dashurve të tyre.

Ndërkohë, Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, foli për procesin e ndërlikuar të negociatave që solli këtë marrëveshje.

“Sa herë që përplasnim kokën në mur, gjenim një plan të ri. Kjo është ajo që do të thotë të mos dorëzohesh”, u shpreh ai, duke bërë edhe shaka mbi vështirësitë e bisedimeve.

Kushner nuk harroi të përmendte “vuajtjen e popullsisë së Gazës, të pafajshme për situatën e tmerrshme ku ndodhet”, një deklaratë që u prit me heshtje reflektuese në shesh.

Në mëngjesin e të njëjtës ditë, Witkoff, në shoqërinë e shefit të shtabit izraelit Eyal Zamir dhe të gjeneralit amerikan Brad Cooper, vizitoi veriun e Gazës, zonën ku nisi ofensiva izraelite në tetor të vitit 2023. Sipas New York Times, pikërisht në Floridë, javën e kaluar, Witkoff dhe Kushner kishin vendosur t’i jepnin një “shtysë vendimtare” negociatave, me logjikën e biznesit që i karakterizon “së pari po marrim po-në, detajet i zgjidhim më vonë.”

Gjenerali Cooper, që drejton Komandën Qendrore Amerikane, ndodhet në Izrael për të koordinuar ngritjen e një baze me 200 ushtarë amerikanë, të cilët do të monitorojnë fazën e dytë të planit të paqes të njohur tashmë si “Plani Trump”. Ai ka konfirmuar se trupat amerikane nuk do të hyjnë në Rripin e Gazës, por do të mbështesin procesin nga jashtë zonës së konfliktit.

Në horizont, Tel Avivi ndriçohej nga dritat e mijëra qirinjve në kujtim të të rrëmbyerve, ndërsa në atmosferën e mbushur me emocion e shpresë, fjalia e Witkoff-it u bë mantra e mbrëmjes “Paqja nuk është dobësi. Është forca më e madhe që kemi.”

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x