Ndërhyrjet në ligj për të larguar nga funksionet publike personat që kanë bashkëpunuar me ish-Sigurimin ka bërë bashkë në një tryezë opozitës dhe mazhorancën. Të përfaqësuar nga krerët e grupeve parlamentare palët diskutuan rreth aksesit në dokumentet historike dhe hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla theksoi se ndonëse në forma dhe teknikalitete të ndryshme, dy propozimet nga PD dhe PS në thelb kanë të njëjtin qëllim, pastrimin e politikës nga ish-bashkëpunëtorët e SHISH.
“Për të siguruar standardin e pastërtisë së figurës kremi propozuar nisma ligjore. Njëra ka të bëjë me garantimin e integritetit dhe tjetra ndryshime në ligj. Hera e parë që jemi në një panel me kryetarin e opozitës për këtë çështje. Edhe nisma që ka ardhur nga opozita është e mirëpritur nga ana jonë. Kanë përdorur model tjetër, synimi është i njëjtë. Ke qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, s’mund të jesh në këtë sallë, as president, as kryeministër apo në institucionet që parashikon Kushtetuta. S’mund të jesh kryetar i një partie politike në Shqipërinë e vitit 2023 nëse ke bashkëpunuar me sigurimin e shtetit”, tha Balla.
Nga ana tjetër, kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj theksoi se propozimi nga grupi i tij parlamentar konsiston në hapjen e pakushtëzuar dhe bërjen publike të dosjeve.
Në të njëjtën kohë ai theksoi se dosjet e ish-Sigurimit janë përdorur politikisht për shantaze dhe e vërteta nuk është zgjidhur kurrë. Alibeaj nënvizoi se gjyqtarët e vërtetë të dosjeve duhet të jenë qytetarët dhe jo politika, në mënyrë që të evitohet abuzimi për luftë politike.