Nga Enver Robelli
Forumi Ekonomik Botëror i Davosit mori fund. Donald Trumpi mbajti këtë javë një fjalim të gjatë në të cilin e shpotiti dhe ofendoi pamëshirshëm edhe Zvicrën dhe sidomos ish-presidenten e saj, e cila është ministre e Financave. Qeveria e Zvicrës fillimisht heshti, por pas disa orësh ministri i Jashtëm tha se “ishte e papranueshme të trajtoheshim kështu”.
Sikur tirada e Trumpit të mos mjaftonte, ministri i Financave i SHBA-së Scott Bessent në një intervistë për portalin amerikan “Politico” tha: “Pas disa ditësh me kuzhinë zvicerano-gjermane, unë ndoshta do të haja edhe insekte”. Nuk dihet se çfarë i kanë servuar në tavolinë politikanit amerikan, por këto fjalë të tij hasën në reagime të ashpra të lexuesve të mediave zvicerane. Shumica e komenteve të tyre janë të pacitueshme.
Ndërkohë një valë zemërimi ka përfshirë Britaninë e Madhe dhe Poloninë pasi Trump ofendoi ushtarët e këtyre dy vendeve duke thënë se “s’kemi pasur kurrë nevojë për ta në Afganistan” dhe duke aluduar se ata kanë qëndruar larg vijave të frontit. Kryeministri britanik Keir Starmer i quajti fjalët e Trumpit “fyese” dhe “të tmerrshme”. Ai i bëri thirrje Trumpit t’u kërkojë falje familjeve të ushtarëve. Britania e Madhe pati dërguar mbi 150 mijë ushtarë në Afganistan për të mbështetur SHBA-në në luftimin e terrorizmit. 457 ushtarë britanikë kanë humbur jetën në Afganistan.
Fjalët e Trumpit u kundërshtuan edhe në Poloni. Ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se sakrifica e ushtarëve nuk do të harrohet kurrë dhe nuk guxon të poshtërohet. Gjenerali polak Roman Polko përkujtoi në televizioin TVN24 se në Afganistan humbën jetën 43 ushtarë polakë. Polko tha se Trumpi nuk do t’ia dalë ta falsifikojë historinë: “Të dashur veteranë, mos lejoni t’ju ofendojë një njeri që i është shmangur shërbimit ushtarak për shkak të një të mete në thembër”. Polko aludoi se me këtë arsyetim Trump iu shmang luftës së Vietnamit. Kundër deklaratave të Trumpit kanë reaguar edhe kryeministr polak Donald Tusk dhe ministri i Jashtëm Radosław Sikorski.