Nga Irena Beqiraj
Para se të shpikej shtypshkronja, librat ishin të papërballueshëm. Prodhimi i tyre bëhej i mundur vetëm prej subvencionimeve të Kishës Katolike, e cila ruante kështu monopolin mbi dijen. Shtypshkronja jo vetëm i bëri librat e përballueshëm për klasën e tregetareve në mesjetë, por mundësoi që bibla të botohej në gjuhë të tjera përvec latinishtes.
Por shtypshkronja nuk ndryshoi vetëm gjuhën e librave, ajo po ashtu transformoi edhe stilin dhe tendencën e debatit. Debatet skolastike të mesjetës te cilat ishin te ashpra por të edukuara u zëvendesuan nga debate teologjike të mbushura me zhargon dhe që padyshim ishin më teatrale. Reagimi i institucionit katolik ndaj kësaj epoke të re ishte i shumëanshem, por vlen te përmendet krijimi i Indeksit i Librave të Ndaluar. Brenda këtij indeksi u përfshinë shumë nga veprat e rëndësishme të kulturës perëndimore, nga Niccolò Machiavelli dhe René Descartes te Galileo Galilei dhe Immanuel Kant.
Thonë që kur historia harrohet ajo përsëritet. Në 15 vitet e fundit një ndryshim i madh u shfaq ngadalë: shoqëria politika, ekonomia, por mbi të gjitha mendja njerëzore po riformëzohet nën pushtetin transformues të mediave sociale.
Edhe pse mediat sociale kanë revolucionarizuar mënyrën se si ne ndërveprojmë me njeri tjetrin, për të manaxhuar efektet negative të saj, po kthehemi tek “indeksi” por kësaj here i mediave sociale të ndaluara!
Të mbyllim tik tok-un, edhe të lejojmë Instagram- in? Të mbyllim Instagram-in dhe të lejojmë Facebook-un? Të mbyllim Facebook-un dhe të lejojme vetëm kanalet televizive, ku dhuna verbale e fizike, ekzibicionizmi seksual, vulgariteti ekstrem i të folurit dhe humoristët që rrallë ngrihen mbi humorin e rrugës, janë bërë të zakonshme? Apo të mbyllim televizionet por të lejojmë podcastin e Kryeministrit ku intervistohen shumë nga krijuesit e kësaj oferte irracionale masive?
Nëse teknologjia ndihmon ose jo qytetarët e zakonshëm, nuk varet vetëm nga natyra e teknologjisë, por nga mënyra sesi përdoret kjo teknologji në shoqëri. Nëse pesëmbëdhjetë vitet e fundit, nuk keni jetuar nën një shkëmb e keni kuptuar se sistemet e te gjitha mediave sociale shpërblejnë si financiarisht edhe psikologjikisht, vetem veprimet që tërheqin vëmendjen e përdoruesve të tjerë.
Ekonomia e vëmendjes ose “grushti i shtetit” i marketingut të shekullit 21, është në kërkim te vazhdueshëm të videos apo imazhit viral të rradhës. Njerëzit qajnë, qeshin , dashurojnë, tradhëtojnë, martohen, mbeten shtatzënë, ndahen, urrehen, shahen pse jo edhe vriten për pak më shumë vëmendje.
Edhe pse komodifikimi dhe normalizimi i dhunës, injorancës dhe vulgaritetit është algoritmi bazë i promovimit në media sociale, per fatin tonë të keq ky trend nuk filloi dhe nuk është i kufizuar vetëm tek mediat sociale.
Përshembull, televizioni në prime time shfaq dhunë çdo natë. Psikopatët dhe vrasësit serialë shpesh portretizohen si protagonistë. Ndërsa gratë janë shpesh objektivi i kësaj dhunë të sëmurë.
Formatet televizive që kanë pushtuar ekranet tona janë te mbushura me përtacë funksional qe kërkojne të pasurohen nëpermjet vëmendjes ndërsa inkurajojne cektësinë dhe materializmin. Për të gjithë këtë ofertë kaq racionalisht irrituese, ka një kërkesë te madhe emocionalisht të pranueshme. Natyra njerëzore magjepset nga shkeljet e normalitetit pasi ato janë hipnotike për t’u parë e ndjekur.
E pra, media në terësi është lejuar të lulëzojë si një treg që mund të plotesojë nevojat më të dobëta e më të errta të natyrës njerëzore, si një treg që shpërblen vulgaritetin, mashtrimin dhe injorancën, duke i siguruar krijuesve të kësaj oferte shumë para e famë, madje ne vende si Shqipëria edhe një intervistë në podcastin e Kryeministrit.
Teknologjia na ka paisur të gjithëve me mundësinë për t’u shprehur, për të treguar kush jemi dhe çfarë vlerësojmë. Me anë të saj ne kemi mundur të zgjerojmë komunitetin të cilit i përkasim. Nëse shtypshkronja theu monopolin e kishes mbi dijen, mediat sociale thyen oligopolin komod të shtypit dhe transmetimit mbi informacionin. Sot për shkak po të teknologjisë, ne mund të aksesojmë në cdo kohë podcaste e blogje interesante nga të cilat gjithë shoqëria mund të mësojmë shumë .
E pra problemi nuk janë mediat sociale, por moskuptimi masiv dhe keqpërdorimi i hershëm i marrëdhënies reciproke midis mbrojtjes së shoqerisë nga mediat dhe fuqizimit të saj po prej tyre.
- Çfarë thuhet në njoftimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për vendimmarrjen e çështjes Balluku - 06/02/2026
- Vendimi 4-4 në Kushtetuese për Ballukun, cilët gjyqtarë votuan pro dhe kundër - 06/02/2026
- Kushtetuesja nuk merr dot vendim për padinë e Ramës, ngelet në fuqi pezullimi i Ballukut nga detyra - 06/02/2026