23.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Iku koha e fjalëve

Nga Av. Ledio Alite

Shpesh në Shqipëri, gjatë viteve të tranzicionit dhe deri sot, vërehet një paragjykim nga shumë syresh mbi mënyrën sesi popujt perëndimorë, italianët, nordikët apo amerikanët sillen në një marrëdhënie kontraktore për mbrojtjen e interesave të tyre. Si psh., “këta italianët nuk të falin as presjen”, “këta nordikët si popull i ftohtë, pa ndjenja” apo “me amerikanët të duhet patjetër Avokat”. Mirëpo, në të njëjtën kohë, nuk kemi dëgjuar vëllezër nordikë të konfliktohen rëndë për çështje pronësie, italianë të humbin paratë e tyre për shkaqe pakujdesie, apo amerikanë të ngrenë pretendime të kota. 

Duke qenë se këto vende kanë jetuar që herët në një sistem kapitalist, ku karta e të drejtave dhe lirive përkthehet patjetër në interesa që mbrohen nga ligji ose nga kontrata, është e pamundur të mbijetohet ndryshe midis një lukunie njerëzish nëse nuk je i qartë dhe i vetëdijshëm për të drejtat dhe interesat e tua. Pas tridhjetë e tre vitesh, kjo gjë po ndjehet edhe në Shqipëri, ku kujdesi ndaj të drejtave dhe detyrimeve të personit po vendoset çdo ditë e më shumë në lupën e kujtdo që do të mbrojë interesat e tij, për arsyen e thjeshtë se tregu është egërsuar, jeta është bërë më e shtrenjtë, dhe ky sistem e venit të drejtën zakonore apo thënë shkurt, “fjalën e dhënë”. 

Çdo ditë e më shumë njerëzit po ndërgjegjësohen të forcojnë pozitat e tyre kontraktore qoftë në kontratat klasike të shitjes, qirasë, porosisë, sipërmarrjes, shërbimit, furnizimit, qoftë në marrëveshje të tjera me natyrë parakontraktore apo hibride dhe më inovatore. Megjithatë, ky ndryshim nuk ka mbërritur ende në pjesën dërrmuese të popullsisë, ku shumë syresh ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë e detajeve në një dokument ligjor, neglizhojnë të konsultohen apo e konsiderojnë të mirëqënë faktin se marrëdhënia e ka objektin e përcaktuar dhe nuk ka vend për ujëra. Kjo në fakt nuk është e vërtetë, një kontratë apo marrëveshje që konsiderohet ligj mes palëve, sa më shumë parashikime të përmbajë, aq më pak vend për ambiguitet apo interpretim le në rastin e një mosmarrëveshjeje të paraqitur përpara gjykatës.

Në të drejtën kontraktore amerikane, të konsoliduar tashmë që prej më shumë së njëqind e kusur vitesh, edhe sjelljet si premtimi, që mund të jetë dhe vetëm me një korrespondencë me shkrim pa u formalizuar, konsiderohen si parime të ligjit dhe janë të ekzekutueshme nga pala tjetër, mbi arsyetimin se pala që ka marrë këtë premtim ka varur sjelljet dhe veprimet e tij mbi bazën e këtij premtimi. Pra, kaq e hollë bëhet çështja e detyrimit ligjor. Në rastin konkret që mbetet për një diskutim mes juristëve, instituti i premtimit është një nga shembujt më interesant që praktika kontraktore shqiptare duhet të aplikojë, në mënyrë që t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë përdorimit të disa kontratave apo “shpikjeve” që nga ligji janë përcaktuar për tjetër marrëdhënie juridike, e ndërkohë tregu i përdor si praktikë në punën e përditshme pa asnjë problem.

Thënë këto, në botën perëndimore e cila shpesh targetohej nga opinioni jonë i brendshëm si shumë e egër dhe e ftohtë, në fakt ky kujdes aplikohet për arsye domosdoshmërie, pasi çdo gjë është në majë të gjilpërës sa i përket nevojës për mbrojtjen e interesave, kështu që para se të hyjë në një marrëdhënie juridike, çdokush duhet të qartësohet mbi të gjitha pasojat ligjore, të drejtat e tij/saj, dhe boshllëqet për interpretim që mund të lërë një akt juridik i nënshkrur me neglizhencë. 

Ashtu sikurse dikur shtëpitë i mobilonim sipas stilit tonë amator e tashmë kontaktojmë një arkitekt, dhe për mbrojtjen e interesave ligjor, në aktualitetin e një sistemi dhe fryme të re drejtësie që na afron me perëndimin, është vendi që të gjithë të kujdesen pak më shumë duke kryer konsultime paraprake me një profesionist të ligjit përpara se të hyjnë në një marrëdhënie juridike që mund të përkufizojë në vijim ngritjen apo tatëpjetën e jetës së tyre. 

Tek e fundit, dhe ne, si bota perëndimore ku fjalët i merr era, çdo ditë e më shumë duke u integruar në atë sistem, të mirë apo të keq, e kemi çdo gjë në majë të gjilpërës…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x