Që më 4 shkurt 2014, violina shqiptare humbi një nga virtuozët e saj. Muzika, arti i magjishëm i harmonisë së tingujve, lejoi t’i këputej një nga telat e violinës, të ndalte Ibrahim Madhin, fluturimin etern të një vibratoje që fshikulloi ndjenjat tona dhe shastisi me elegancën e tingullit dhe mrekullinë e lojës.
Vitet ikin shpejt, por ka ikje që nuk zbehen; përkundrazi, mungesa e tyre i thërret kujtesës me jehonë përjetësie. Janë ato mungesa që e mbajnë gjallë praninë përmes kujtimit, dhe sot, ne që e njohëm, ata që e vlerësuan dhe e duartrokitën, kthehemi me përulësi e mirënjohje te figurat e tilla, duke mos lejuar që harresa të zërë vendin e lënë bosh nga ikja e tij.
Që prej vitit 2014, Ibrahim Madhi mungon fizikisht mes artistëve, violinistëve, studentëve, miqve. Më së shumti mungon familjes dhe të afërmve. Por ai mbetet i pranishëm në atë hapësirë të padukshme ku arti bëhet kujtesë dhe kujtesa bëhet frymëzim. Boshllëku që la pas mund të mbushet vetëm me rikthimin e atyre kujtimeve që, herë pas here, e sjellin sërish në skenë, jo për të luajtur, por për të dëshmuar një shembull.
Rrugëtimi i tij artistik u shënjua nga pjesëmarrja në institucionet më të rëndësishme muzikore të vendit: Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, Teatri i Operës dhe Baletit, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve, si dhe Instituti i Lartë i Arteve. Në secilin prej këtyre institucioneve, emri i Ibrahim Madhit është një mbamendje e pashlyeshme, si virtuoz që rrëmbeu ovacione dhe afrinë e publikut shqiptar e të huaj, por edhe si ambasador i vlerave shpirtërore shqiptare në skenat e Turqisë, Rumanisë, Kinës, Greqisë, Italisë, Austrisë, Francës, Gjermanisë, Zvicrës e më gjerë.
Për meritat e tij, u nderua me titujt “Artist i Merituar” (1976) dhe “Artist i Popullit” (1990), një kurorëzim që nuk ishte thjesht institucional, por një njohje e gjerë e autoritetit të tij artistik dhe etik.
Ibrahim Madhi lindi më 25 nëntor 1945, në Tiranë. Ai është një nga figurat kyçe të muzikës dhe artit interpretativ shqiptar. I formuar me rigorozitet dhe i pajisur me një muzikalitet të rrallë, ai dha një kontribut vendimtar në formatimin e shkollës kombëtare të interpretimit violinistik. Emri i tij lidhet jo vetëm me solistin brilant, por edhe me dirigjimin e grupeve të muzikës së dhomës dhe orkestrës së harqeve, duke qenë një figurë qendrore në konsolidimin e këtyre formacioneve.
Pas përfundimit të ciklit të plotë të studimeve në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1963), u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve (1968) me rezultate të shkëlqyera dhe, në vitin 1973, i kompletoi studimet me një specializim pasuniversitar në Konservatorin “San Pietro a Maiella” në Napoli. Që në moshë të re u dallua për prirje solistike; por interpretimi i Koncertit për violinë të Mendelssohn-it në moshën 16-vjeçare, me Orkestrën Simfonike të RTV-së Shqiptare nën drejtimin e Mustafa Krantjës, shënoi hyrjen e tij të vërtetë në skenën e madhe.
Më pas, një repertor i gjerë e themelor violinistik mori jetë përmes interpretimit të tij, në bashkëpunim me orkestrat kryesore shqiptare dhe pianistë të shquar. Tingulli i tij i bukur, elegant, i përmbajtur dhe thellësisht shprehës, u bë një firmë e dallueshme, një gjuhë që komunikonte përtej notave.
Pedagogjia ishte një tjetër shtyllë e jetës së tij. Që prej vitit 1962, fillimisht në Liceun Artistik e më pas në Institutin e Lartë të Arteve, ai përgatiti për më shumë se katër dekada breza të tërë violinistësh e muzikantësh, duke i pajisur jo vetëm me teknikë, por me etikë profesionale, disiplinë artistike dhe dashuri për muzikën. Ai ishte themelues dhe anëtar i Trio-s së I.L.Arteve dhe i Orkestrës së Harqeve, duke ndërtuar një traditë interpretimi që vazhdon të frymojë.
Regjistrimet e tij të shumta me Radio Tiranën, Televizionin Shqiptar, Radio Prishtinën, Radion e Pekinit dhe Radion e Gracit mbeten dëshmi e gjallë e një trashëgimie që vazhdon të transmetohet, jo vetëm si tingull, por si standard.
Sot, në përvjetorin e lamtumirës, kujtesa për Ibrahim Madhin nuk është thjesht homazh. Është një akt mirënjohjeje ndaj një jete të shkrirë në art; ndaj një mjeshtri që e ngriti violinën në një formë dialogu me shpirtin; ndaj një njeriu që e la pas vetes jo vetëm muzikë, por shkollë, vlerë dhe shembull. Dhe për sa kohë këto mbeten të gjalla, Ibrahim Madhi nuk mungon, ai vazhdon të luajë në ndërgjegjen tonë kulturore.