14.5 C
Tirana
19 / 09 / 2024

HISTORI TË PARRËFYERA/ Radioloja “Liqeni i Vajkalit”, pjesa e dytë

Nga Genci Gjikaj

Pjesa e dytë

Radioloja “Liqeni i Vajkalit”

Radiolojërat e organizuara nga shërbimi sekret shqiptar, Sigurimi i Shtetit, me shërbimet sekrete të vendeve të tjera, përfshirë CIA Amerikane, MI 6 Britanike, UDB Jugosllave etj, mbeten edhe sot disa nga ngjarjet më interesante të Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore, të veshuara gjithsesi me një tis misteri.

Radiolojërat janë gjithsej tri, përkatësisht ‘Fronti i Rezistencës’, ‘Buza e Bredhit’ dhe më e rëndësishmja me kohëzgjatjen më të madhe ‘Liqeni Vajkalit’.

Radioloja që zgjati më shumë dhe që u propogandua si më e suksesshmja nga Sigurimi i Shtetit është “Liqeni i Vajkalit”. Një nga protagonistët e kësaj radioloje Pilo Shanto e ka përshkruar gjatë dhe më hollësi organizimin dhe fuknsionimin e saj. Në të gdhirë të 5 gushtit 1952 një aeroplan i huaj ardhur nga përtej detit hyri në hapësirën ajrore shqiptare në sektorin e Lezhës, vazhdoi fluturimin në hapësirën e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut dhe pastaj kaloi në hapësirën greke. Dega e punëve të brendshme të Gramshit tërhiqte vëmendjen se ky aeroplan kishte qarkulluar dy herë mbi malin e Lenies dhe kishte ndezur e shuar dritat e kuqe. Më vonë u gjetën të shpërndara me shumicë fletushka propagandistike me titullin “Shqipëria”. Bazuar në këto të dhëna Dega e IX-të e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit pas një analize të hollësishme mbërrin në përfundimin se misioni i aeroplanit ka qenë furnizimi i ndonjë grupi të panjohur të armatosur, ndërsa fletushkat ishin thjesht për maskim. Forcat e policisë së Gramshit së bashku me forcat vullnetare nisin kërkimet në zonën e malit të Lenies dhe në vendin e quajtur “Varri i Plakës” gjejnë mbeturinat e pesë zjarreve të vendosura në formën e gërmës “T” dhe në afërsi të tyre një parashutë të fshehur mes shkurreve.

Të gjitha këto i jepnin të drejtë përfundimit të Sigurimit të Shtetit, por gjithsesi mbetej enigmë nëse aeroplani kishte bërë thjesht furnizim apo kishte desenatuar persona të tjerë. U zgjerua edhe më shumë diametri i kërkimeve por nuk u gjet asnjë shenjë tjetër, përfshirë edhe atë të drejtimit se nga mund të ishte zhvendosur grupi. Kjo e vështirësonte shumë gjurmimin e tij. Sikurse dëshmon Shanto pas një analize të hollësishme organet e sigurimit mbërritën në përfundimin se ky grup ishte në lëvizje e sipër. Fakti që kërkuan furnizime nga ajri do të thoshte se nuk kishin baza në atë zonë. Versioni më i besueshëm ishte se grupi sapo kishte hyrë në Shqipëri nga Greqia dhe ishte në udhëtim për në zonën e saj të veprimit. Sipas kësaj analize grupi nuk ishte në shërbim të zbulimit grek, jugosllav apo anglez, sepse ata nuk praktikonin desnatimin nga ajri. Ndërkohë meqenëse shërbimi sekret Italian e kishte ndërprerë futjen e agjentëve të saj, grupi duhet të ishte në shërbim të CIA-s dhe po udhëtonte drejt Verilindjes.

Në datën 15 maj 1952 një bari informonte si kishte takuar në zonën e Martaneshit dy persona të veshur me rroba ushtarake dhe të armatosur me automatikë gjermanë. Pasi nuk patën mundësi t’i fshiheshin bariut i thanë se ishin ushtarë të mbrojtjes. Gënjeshtra ishte e qartë sepse repartet e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit nuk kishin qenë ato ditë në atë zonë. Ky fakt e përforconte versionin se ata ishin pjesë e grupit të armatosur që kishte udhëtuar drejt Verilindjes. Për të zbuluar se cili ishte ky grup i armatosur, Sigurimi i Shtetit vendosi nën survejim të rreptë personat që bënin lëvizje të pamotivuara në këtë zonë, lidhjet farefisnore mes tyre madje dhe ato miqësore e familjare, kudo që ndodheshin, por në mënyrë të veçantë ata që ndodheshin në Bulqizë dhë në fshatrat përreth. Rezultoi se ata që bënin lëvizje të pamotivuara ishin farefis me njëri tjetrin, por njiheshin si njerëz me sjellje korrekte, megjithëse në të shkuarën kishin qenë përkrahës të Legalitetit. Një i afërt i tyre Zenel Shehu, kishte qenë oficer shërbimi me gradën kapiten në Pallatin e mbretit Zog dhe ishte larguar jashtë shtetit bashkë me Familjen Mbretërore në prill të vitit 1939.

Përmes agjentëve të infiltruar mes kundërshtarëve të pushtetit, Sigurimi i Shtetit u informua se ishte pikërisht Zenel Shehu drejtues i grupit. Ai ishte nisur në Shqipëri me një mision të rëndësishëm nga mbreti Zog nën kujdesin e shërbimit sekret amerikan. Pas këtij informacioni u arrit të identifikoheshin të gjithë agjentët në përbërje të grupit, lidhjet me agjentët e tjerë si edhe baza kryesore ku strehoheshin.

Sipas Pilo Shantos Dega e IX-të e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit duke menduar se nga përpunimi i mëtejshëm i grupit nuk do të arrihej ndonjë rezultat me rëndësi i propozoi Kadri Hazbiut, në atë kohë zëvendësministër i Punëve të Brendshme për Organet e Sigurimit të Shtetit arrestimin e dy agjentëve, por ai nuk e pranoi propozimin dhe këshilloi të shihej me kujdes nëse ishin mundësitë, ose a mund të krijoheshin, për të arritur më shumë sesa arrestimi, ndoshta duke filluar një radiolojë me zbulimin që i kishte dërguar. Duke rivlersuar situatën u mbërrit në përfundimin se mund të synohej një radiolojë me Qendrën që i kishte dërguar agjentët, duke shfrytëzuar edhe përvojën me radiolojën “Buza e Bredhit”. E gjitha kjo kërkonte kujdes maksimal sepse gjithçka rrezikohej nga nxitimi më i vogël, sidomos nga ana e agjentëve të sigurimit të infiltruar që duhet të siguronin besimin dhe vlerësimin e kreut të grupit Zenel Shehu.

Në mbrëmjen e 29 qershorit 1952 katër punëtorë operativë të Sigurimit të Grupit Special që u ngarkuan me arrestimin e dy agjentëve u vendosën në vendin e paracaktuar ku do të kryhej arrestimi. Ata ishin porositur që gjatë arrestimit të kishin kujdes të mos shkaktonin dëmtime fizike sidomos ndaj radistit, sepse nëse ai do të thyente dorën e djathtë nuk do mund të lidhej dot me Qendrën, si edhe të mos dëmtohej aparati i radios transmetuese të cilën ai e mbante gjithnjë me vete. Operacioni del me sukses dhe të dy agjentët Zenel Shehu, kreu i grupit dhe radisti Tahir Preçi bien në duart e Sigurimit të Shtetit. Për fillimin e radiolojës ngrihet një grup i posaçëm me katër punëtorë operativë ku secili do të kishte një detyrë të veçantë, përkatësisht: Pilo Shanto do të merrej me mashtrimin e qendrës së huaj me të cilën do të luhej, Fejzo Kasimati me kontrollin e punës së agjentit radist për të mos i dhënë mundësinë që gjatë procesit të ndërlidhjes me CIA të njoftonte se transmetonte i komanduar nga zbulimi shqiptar, Banush Goxha do të ndiqte reagimin e lidhjeve që kishin krjuar dy agjentët në zonën e Bulqizës pas shkëputjes së kontakteve me ta, t’i qetësonte dhe të justifikonte pamundësinë e takimeve të drejtpërdrejta, Asim Aliko do të merrej me sigurinë e agjentëve sidomos me sigurimin e agjentit radist. I gjithë grupi do të drejtohej nga Kadri Hazbiu. Radiolojës iu vu emri i koduar “Liqeni i Vajkalit”.

Drejtuesi i grupit Zenel Shehu pranon të bashkëpunojë me organet e sigurimit dhe prej tij ata mësojnë se zanafilla e dërgimit të grupit në Shqipëri lidhej me një vizitë që kishte kryer Mbreti Zog në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vjeshtën e vitit 1951. Atje ai ishte kontaktuar nga drejtues të CIA-s të cilët i kishin kërkuar t’u rekomandonte kandidatura të afta dhe me ndikim për ti dërguar me mision në Shqipëri. Mes të tjerëve ai u rekomandoi edhe Zenel Shehun si ish oficer i gardës së tij. Sipas depunimeve të Zenel Shehut, Mbreti Zog pasi kthehet nga SHBA në Egjipt e thërret dhe i thotë se do të shkojë me mision në Shqipëri nën drejtimin dhe sipas udhëzimeve të CIA-s. Misioni që iu ngarkua ishte organizimi i një kryengritjeje të armatosur në zonën verilindore të Shqipërisë aty ku edhe qëndresa ndaj komunizmit ishte më e fortë. Më pas grupi stërvitet për rreth një muaj në Qendrën e CIA-s në Athinë. Duke u gdhirë 1 maji i vitit 1952 grupi arrin të kalojë kufirin në zonën e malit të Gramozit, por një prej pjesëtarëve sëmuret rrugës dhe kthehet, kështë që mbeten vetëm tre veta. Ndërkohë sipas dëshimisë së  Zenel Shehut gjendja në Shqipëri ishte shumë e vështirë për ta dhe një pjesë e mirë e miqve dhe e afërmve nga frika e pushtetit nuk pranonin ta ndihmonin.

Pasi agjentët pranojnë të bashkëpunojnë me Sigurimin e Shtetit çështja më delikate mbetej mënyra e rivendosjes së kontakve te qendrën pas një mungesë relativsht të gjatë si edhe formulimi i radiogramit të parë. Siç dëshmon Pilo Shanto u mendua që në seancën e parë të ndërlidhjes të mos transmetohej ndonjë informacion por vetëm të vendosej lidhja, por kjo mund të sillte dyshimin e Qendrës pas një shkëputjeje disa ditore. Atëherë u vendos që të dërgohej një radiogram për të treguar se çdo gjë vazhdonte normalisht dhe se vonesat kishin arsyet e tyre objektive. Radiogrami i parë i radiolojës “Liqeni i Vajkalit” ishte:

66-13 Maria

“Datën 25 qarkulloi aeroplan. Janë vu në lëvizje forca policie dhe populli.”

“Hala nuk dihet kur kanë me u largu. Anulloni D.Z. – D. Z. deri në njoftim të dytë”.

ËËË. (DZ do të thotë zbarkim me aeroplan)

Ndërkohë Qendra kërkon informacion për gjendjen në zonën e Matit, me sa duket për ta krahasuar me të dhënat që kishte nga burimet e tjera. Në radiogramin e dytë thuhej:

64-14 Maria

“Në Mat punohet me ndërtu nje hidrocentral. Punojnë ma se 300 persona vullnetarë dhe me rrogë, shumica janë nga Burreli”.

Të gjitha radiogramet që i transmetoheshin qendrës formuloheshin sipas të folmes karakteristike të Zenel Shehut por edhe sipas modelit të radiogrameve të mëparshme që ata kishin dërguar ende pa rënë në duart e Sigurimit të Shtetit. Edhe vendi prej nga transmetoheshin zgjidhej në përkim me zonën ku duhet të vepronte grupi. Siç dëshmon Shanto radioloja kishte vështirësi të shumta dhe rreziku se mund të dështonte ishte shumë i madh aq më tepër kur kishin të bënin me një shërbim sekret shumë të aftë, por e gjitha u lehtësua dhe u mundësua prej bashkëpunimit të plotë të të dy agjentëve.

Për pasojë zbarkimet me furnizime nga ajri bëheshin sipas udhëzimeve të Sigurimit të Shtetit që i transmetoheshin Qendrës, duke arritur shmangien e dyshimeve, por problemi kryesor ishte zhdukja e kreut të grupit Zenel Shehu dhe mungesa e takimeve fizike mes tij dhe bashkëpunëtorëve të tjerë. Tashmë kishin nisur dyshimet dhe pëshpëritjet e para mbi zhdukjen e kreut të grupit dhe radistit. Nisur nga kjo situatë grupi operativ, përmes një agjenti të infiltruar në rradhët e kundërshtarëve, shpërndan disa dhurata në emër të Zenel Shehut për disa nga miqtë e tij më të afërt. Përmes informacioneve që jep vetë Zeneli, dhuratat kishin të bënin me kërkesa shumë personale të cilat i dinte vetëm ai dhe miqtë, ndaj përmbushja e tyre di t’i fashiste dyshimet. Mes tyre ishte edhe një thikë automatike, të cilën njëri prej miqve të tij ia kishte parë Zenelit, i kishte pëlqyer shumë dhe i kishte kërkuar një për vete. Përmbushja e dëshirës e qetësoi të shqetësuarin se këtë kërkesë e dinte vetëm ai dhe Zeneli. Në datën 4 gusht 1952 pas këmbënguljes së Qendrës, megjithë refuzimet e Zenelit sipas udhëzimeve të Sigurimit të Shtetit, desantohet agjenti Halil Branica, i cili arrestohet menjëherë sapo zbret në tokë. Branica nuk pranon të bashkëpunojë me Sigurimin dhe nuk i jep parrullat-provë duke u justifikuar se nuk dinte gjë, apo nuk mbante mend. Megjithë përpjekjet e mëdha të Sigurimit Branica nuk e tregoi parrullën përmes së cilës do të informonte Qendrën se kishte mbërritur shëndosh e mirë dhe se ishte bashkuar me grupin. Siç rrëfen Shanto në këtë situata u mendua që gjithsesi Qendra të njoftohej me një radiogram se Branica mbërriti mirë dhe të pritej reagimi. Në këtë seancë ndërlidhjeje Qendra nuk jep radiogram. Kuptohet se në radiogramin e saj do të ishte edhe parrulla provë. Meqenëse Branica rishtas refuzoi të bashkëpunonte Qendrës i kërkohet të përsërisë radiogramin me synimin për të kuptuar diçka më shumë, por radiogrami i nisur prej saj fillonte me pyetjen: “A doni pushkë?”, një tjetër parrullë-provë. Përmes përgjigjesh të kujdesshme ku ndër të tjera kërkohej që të informohej Mbreti Zog për gjendjen në Mat, për të theksuar se të dy agjentët ishin njërëz shumë të afërt me Zogun dhe s’mund të bashkëpunonin me zbulimin shqiptar u arrit që dyshimet të zbeheshin disi megjithëse nuk u zhdukën plotësisht. Gjithsesi radioloja “Liqeni i Vajkalit” dukej se vazhdonte normalisht por pikërisht në këtë situatë delikate ndodh një ngjarje që e rrezikoi atë seriozisht.

VIJON…

Pena.al

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x