Nga Genci Gjikaj
PROLOG
Janë disa ngjarje në historinë e Shqipërisë Komuniste që nuk mund të harrohen.
Të ndodhura në rrethana të pabesueshme ato ngelen si një obelisk “i gjallë” kujtesë për breza të tërë.
Pena.al ka për qëllim të rikthejë në vëmendjen e publikut këto ngjarje, të cilat ndoshta për vitet kur ndodhën ishin shumë vështirë të fliteshin dhe aq më tepër të botoheshin në një faqe gazete. Ngjarje të vërteta që patën impakt në shoqërinë e traumatizuar shqiptare të asaj kohe.
…………………………………………………………………………………………………………………………..
Personazhet e Lirisë – pjesa e dytë (e fundit)
Këta janë disa nga personazhet kinematografikë më të dashur për publikun shqiptar në vitet e izolimit komunist, të interpretuar nga aktorët më të famshëm të kinematografisë botërore. Në atë periudhë emocioni që ata ngjallnin dhe ndikimi tek njerëzit ishte i jashtëzakonshëm, sepse përmes tyre në Shqipërinë e atyre viteve shqiptarët por sidomos rinia perceptonin dhe njihnin një realitet tjetër, ushqeheshin me modele më humane dhe më reale krahasimisht me atë që ofronte shtampa ideologjike. Sot në erën e teknologjisë galopante, që e ka shtuar në limitet e cmendurisë shpejtësinë e informimit, por ka ulur ndjeshëm nivelin e meditimit, kujtimi i atyre viteve është absolutisht “ekzotik”. Pavarësisht kufizimeve të forta, njerëzit sidomos rinia gjente të krisura për të shkuar tek shija artistike bashkëkohore. Kinemaja ka qenë një nga “të krisurat” më tunduese dhe më masive të cilën regjimi nuk mundi ta mbyllte dot. Pesonazhet që sillnin flladin e lirisë ishin të pranishëm edhe në këtë cep të vockël ballkanik në ato vite të errta.
Raxh Kapuri
Në një vështrim kronologjik heroi kinematogarfik që dominoi publikun shqiptar në vitet 60-të ishte Raxh Kapuri. Megjithëse në këtë periudhë publiku ishte i detyruar të bombardohej me filma thelbësisht ideologjik që prodhoheshin në Europën Lindore, por kryesisht në Bashkimin Sovjetik, ata patën mundësinë të shijonin edhe dy filma me personazh kryesor princin e parë të Bollivudit Indian, Raxh Kapur. Janë dy filma klasikë që sot bëjnë pjesë në fondin e artë të trashëgimisë së filmit Indian “Vagabondi” dhe “Zotnia 420”. Këta dy filma lanë mbresa të pashlyeshme tek publiku. Interesi për t’i ndjekur në kinema ishte i jashtëzakonshëm dhe turmat përpara dyerve të tyre ishte një shfaqje e zakonshme. Raxh Kapuri sillte një pesonazh ndryshe për shqiptarët, një individ me vlera të mëdha morale dhe shpirtërore, por edhe me veset e cenet e tij njerëzore, të natyrshme për cilndo. Megjithëse filmat vinin nga një botë e largët dhe panjohur për shqiptarët, nga India, ato i ofruan publikut shqiptar një botë të re, me sentimentalizëm të theksuar, me dramaticitet natyral, të mbushur me dashuri. Kjo botë ishte antipod i asaj që përpiqeshin të sillnin filmat sovjetik të mbushur me ideologji lodhëse, me heroizëm fals dhe me ideale utopike. Sikurse dëshmojnë individë që i kanë ndjekur këta filma në vitet 60-të ata nisnin të shfaqeshin që në orën 9-të të mëngjesit pa ndalim deri në orën 10 të darkës. Kinemaja gjithmonë ishte plot, madje kishte nga ata që pasi e kishin parë filmin nuk dilnin nga salla, por përpiqeshin të fshiheshin për ta parë rishtas. Ishin të shpeshta rastet kur rojet i nxirrnin me forcë.
Publiku shqiptar u dashurua thellë me dy personazhet Raxhi dhe Rita në të dy filmat “Vagabondi” dhe “Zotnia 420”. Një specifikë e kinemasë indiane, funksionale edhe sot, është prania shumë e shpeshtë e këngës gjatë flimit, aq sa mund të quhet një “musical”. Këngët e interpretuara në film nga Raxhi dhe Rita u bënë hite në ato vite, sidomos për rininë e cili nuk nguronte t’i këndonte kudo. Raxhi dhe Rita, dy njerëz të thjeshtë që vinin nga shtresat e varfëra të Indisë, ishin shumë të ngjashëm me një pjesë të mirë të shqiptarëve që po ashtu në periudhën e komunizmit e përballonin jetesën mes shumë sakrificash. Ndërkohë modeli i flokëve të Raxhit nisi të imitohej masivisht. Këto dy filma u risollën për publikun në fundin e viteve 80-të, pas një pauze shumë të gjatë. Ata rishtas u pritën me interes dhe kuriozitet, por gjithsesi nuk e kishin më dot atë impakt magjik të përpara 30 vjetësh.
Raxhi i vërtetë u nda nga jeta në vitin 1988, por mbetet i paharrueshëm në botën e konemasë, jo vetëm në Indi por edhe te publiku shqiptar. Ai do mbetet i skalitur si djaloshi i varfër me vështrim magjik dhe joshje të parezistueshme, i mbushur me humanitet.
“Herkuli” Steve Reves
Një tjetër aktor i njohur do të kthehej në vitet 70-të në ikonë për publikun shqiptar. Ai ishte aktori Steve Reeves. Aktori i shquar amerikan në rininë e tij kishte qenë një bodybuilder dhe më pas iu fut rrugës së kinematohgrafisë ku pati një sukes të jashtëzakonshëm sidomos me filmat me temë nga lashtësia dhe mitologjia. Falë konstruktit fizik të skalitur dhe fytyrës tejet ekspresive Reves brenda një kohë të shkurtër u bë simboli i heroit të adhuruar. E njëjta atmosferë ndëkombëtare u përcoll edhe tek publiku shqiptar madje edhe më elektrizuese se në vendet perëndimore. Filmat si “Herkuli kundër Romës”, “Trimëritë e Herkulit” etj, u pritën me një interes marramandës. Rradhët nëpër kinema ishin pambarim për të shikuar skenarët e një bote antike, sa të largët aq edhe të afërt, e cila falë interpretimit të Reves përjetohej thellë nga shikuesit. Aq i afërt u bë Reves me heronjtë që interpretoi saqë publiku e njësonte atë me Herkulin dhe Herkulin me të. Fiziku i tij i përsosur u kthye në një obsession për rininë shqiptare e cila përpiqej t’i ngjante. Shumë nga ne i mbajnë mend dejmtë e lagjeve që shkriheshin nëpër paralelet e hekurta dhe të ftohta të oborreve të shkollave me orë të tëra për të përftuar një fizik të bukur. E pra modeli i kësaj bukurie mbetej Reves. Më tej akoma në xhiron legjendare të bulevardit të Tiranës, apo në bregun e gjatë ranor të Durrësit, djemtë e paraleleve, ekspozonin fizikun e tyre në përpjekje t’i ngjasonin Revesit, pothuaj si në një sfilatë të improvizuar. Ndërkohë edhe modeli i tij i flokëve shpejt nisi të imitohej nga rinia shqiptare.
Edhe shumë kohë pasi Reves e kishte mbyllur karrierën e tij, ende mbetej i dashur për publikun shqiptar. Hera herës në kinematë e kryeqytetit, edhe në vitet 80-90 shiheshin afishet e filmave të tij, sidomos në periudhat kur regjimi vendoste censurë të fortë për filmat e huaj bashkëkohorë, që shpinte në një shterpësim të kinemave. Revesi mbetej “asi nën mëngë” për ta mbledhur rishtas publikun dhe pothuajse gjithnjë funksiononte.
Edhe filmat e mëpasëm me të njëjtën tematikë si “Heronjtë e Neferit”, ku spikat interpretimi brilant i Giuliano Geme-s në rolin e Ksandrosit, qenë shumë të pëlqyer për shikuesin në Shqipëri.
“Western Spagheti”
Seriali i papërsëritshëm i filmave Western të regjizorit Sergio Leone, në bashkëpunim me mikun e tij, kompozitorin virtuoz të kolonave zanore Ennio Morricone dhe me aktorin e shquar amerikn Clint Eastëood, mbetet nga më të shikuarit dhe më të pëlqyerit për publikun shqiptar. Kjo treshe e papërsëritshme krijoi në vitet 60-të disa nga filmat emblemë të gjinisë ëestern ende edhe sot model i cilësisë artistike, i një gërshetimi unik të kurimit regjisorial të çdo detaji, me kolonën zanore si nje përsonazh i pazëvëndësueshem në film dhe me një lojë aktoriale plot natyrshmëri. Filma si “Për ca dollar më shumë”, “Na ishte njëherë perëndimi”, “I miri, i keqi dhe i shëmtuari”, janë shembuj të realizimit artistik. Përveç Eastëood që ishte i pranishëm thuajse në të tërë filmat, në to morën pjesë edhe aktorë të tjerë të talentuar në rang botëror si Lee Van Kleef (dhelpra), apo Jean Maria Volonte. Këto filma publiku shqiptar i shikonte përmes televizionit, sidomos përmes kanaleve italiane, valët e të cilave gjatë muajve të verës, me përpjekje të shumta, mund të mbërrinin deri në Shqipëri. Reklamat paraprake në Rai, Rete 4, Italia 1, apo Canale 5, se një nga këta filma do të shfaqej në darkë, bënte që rrugët dhe sheshet e mëhallëve të zbrazeshin. Të gjithë nguleshin përpara ekranit gjithnjë me frikën se mos ikte sinjali. Heronjë e këtyre filmave por sidomos personazhet e interpretuara nga Eastëood, imitoheshin rëndom nga fëmijët, duke sajuar pistoleta dhe pushkë druri, në rastin më të mirë ndonjë pistoletë të plastikës së Durrësit. Nejse asgjë s’kishte rëndësi përpara kënaqësisë së fëmijëve që duke u bërë “kaubojsa” poshtë shesheve të pallatave ndiheshin njësh me heronjtë, gjatë imitimit të skenave të filmit.
Pikërisht nga këta filma rinia shiptare nisi ti modelojë pantallonat sipas stilit “kaubojs”, të ngushta lart dhe gjera poshtë, të cilat qepeshin fshehurazi. Madje në zhargonin e përditshëm urban emërtimi “kaubojs” u kthye në sinonim të individit të hedhur dhe të zotë. Në kafenetë e qyteteve, shpesh herë këta filma ishin objekt bisedave veçanërisht mes të rinjve.
Kolonat zanore të Morricon-es, që mbeten hite, u bënë shumë shpejt sinjale vërshëllimash mes gupeve të shokëve. Ishte një rutinë e shpeshtë që natën dhe ditën të dëgjoje në formë vërshëllime këto melodi.
Në këtë linjë duhen përmendur edhe filmat e dyshes legjendare Bud Spencer, Terenc Hill, që ishin dhe mbeten shumë të dashur për publikun shqiptar. Përveç filmave ëestern, ata u pëlqyen shumë sidomos për filmat komik.
Në vitet 80-90, veçanërisht gjatë gjysmës së dytë, kur pas vdekjes së Hoxhës, kishte nisur të frynte disi një frymë lirie, publiku mundi të shikonte një pjesë të mirë të filmave komedi të dyshes së famshme, së bashku me serialet e personazhit francez tepër simpatik Krusho, interpretuar nga Lui de Fune. Interesimi ishte shumë i madh dhe gjithnjë sallat e kinemave ishin të mbushura.
Ndikimi kinez
Kina dhe Shqipëria i vendosën marrëdhëniet diplomatike pothuajse 65 vjet më parë, në vitin 1949. Ne ate kohe që u vendosën marrëdhënie diplomatike me Kinën, Shqiperia ishte një vend shumë miqësor per ata. Kjo gje u vu re dhe rrafshin kulturor. Këngë të njohura, si ajo “Pekin-Tiranë”, apo filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” kanë ndikuar mbi breza te tere ne Kine.
Ose psh ne ate kohe shfaqja “Detashmenti i kuq i grave” u dha në gjuhën kineze dhe gjuhën shqipe, nje shfaqje e përbashkët e ansamblit artistik amator të Tiranës, ose “Në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën” e cila u realizua ne bashkepunim mes trupës së teatrit të baletit të Kinës dhe asaj shqiptare.
Por ata qe ndikuan me shume ne jeten kulturore dhe te Kines ishin filmat shqiptare qe shfaqeshin atje.
Filmat artistikë shqiptarë, sidomos ata të viteve ’60-’70 ishin si filmat e Hollivudit sot në Kinën e athershme, për shembull “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Plagë të vjetra” (1969), “I teti në Bronx” (1970). Gjatë asaj periudhe, afro 40 për qind të këtyre filmave ishin dubluar dhe shfaqur në të njëjtin vit në Kinë. Siç dihet në tërë kete periudhë, qoftë xhirimi, qoftë dublimi i filmave ishin veprime shtetërore. Të dyja institucionet shtetërore kinematografike monopolizuan prodhimet e filmave, ashtu edhe distribucionin dhe dublimin e tyre. Se cilët filma mund të prodhoheshin dhe dubloheshin, sa mund të shfaqeshin, kjo varej nga të dyja shtetet, jo nga tregu, as nga popujt.
Gjatë gjithë kohës nëpërmjet bashkëpunimit të të dyja palëve, filmat shqiptarë ishin njohur dhe ishin pëlqyer hap pas hapi nga kinezët deri në një shkallë të paimagjinueshme. Përveç elementeve politike dhe ideologjike, nuk mund të mos përfshihen cilësia artistike e këtyre filmave, përpjekjet që bënë krijuesit shqiptarë për t’iu shmangur skematizmit, politizimeve shprehëse dhe efekti i tyre ekzotik të cilët ishin edhe shkaqe të rëndësishme që filmat shqiptarë morën sukses në Kinën e atëkohshme.
Prodhuesit e filmave të të dy vendeve kanë dhënë kontribut të veçantë historik për nxitjen e miqësisë midis dy popujve. Gjatë viteve ’60 – ’70 të shekullit të kaluar, shkëmbimet politike dhe kulturore midis dy vendeve ishin shumë të ngushta. Ish-kryeministri kinez Çu En Lai bëri tri vizita në Shqipëri, madje një herë ai e kremtoi Vitin e Ri në Shqipëri. Pikërisht në bazë të kushteve të njëjta historike, filmat shqiptare me temën e luftës antifashiste, si “Ngjadhnjim mbi vdekjen”, “I teti në bronz” etj., që tregojnë shpirtin e papërkulur të popullit shqiptar, dhe filmat kinezë “Vajza me flokë të bardhë”, “Basketbollistja me numër 5” etj., që pasqyrojnë ndryshimet kohore dhe frymën e luftës këmbëngulëse, ishin shumë të mirëpritur në Kinë dhe në Shqipëri dhe u bene kujtimi i përbashkët i një brezi te tere të kinezëve dhe të shqiptarëve.
Filmat shqiptarë ishin një dritare mbi botën për miliona kinezë që shikonin filma, në kohën kur Shqipëria ishte një nga miqtë e pakët që kishte Kina në ato vite.
Ironikisht, ndërsa kinezët sot mund t’i shohin këto filma lirshëm, Shqipëria debaton mbi ndalimin e tyre!
Ikonat e kinemasë franceze
Ka gjetur adhurim tek publiku shqiptar edhe një pjesë e mirë e knematografisë franceze, duke nisur që me Jean Marais në filmat “Misteret e Parisit”, “Konti i Montekristos” etj. Marais ishte një pauses i denjë i Zherar Filip, aktori i famshëm francez, që u nda nga jeta në një moshë shumë të re, i mirënjohur për interpretimin e rolit emblem “Fan Fan Tulipan”. Marais paraqitet në traditën kinematografike franceze si një figurë e roleve të forta heroike dhe aventureske. I tillë ishte edhe për publikun shqiptar i cili menjëherë e pëlqeu dhe e ndoqi me passion interpretimin e tij.
Ndërkohë një emër shumë i njohur i kinemasë franceze Jean Paul Belmondo, nisi të bëhej njohur edhe për shikuesin në Shqipëri. Belmondo me rolet e e tij të paharrueshme si në filmin “Kartushi”, por sidomos me “Zhos Profesionisti” u bë shumë i dashur për publikun. I njëkohshëm me të është edhe figura fine, simbol i heroit tragjik mashkullor Allan Delon. Në mesin e viteve 80-të në kinematë e Tiranës e më pas në të gjithë vendin u shfaqën filmat “Vrasës me dorashka” dhe “Dy njerëz të nbjë qyteti”. Rinia shqiptare pa tek Alain Delon mishërimin e elegancës mashkullore dhe njëkohësisht karakterin e fortë dhe të paepur, i cili nuk stepej përpara vështirësive. Personazhi i Xhino Strabixhit, me fundin e tij tragjik, u kthye në një dhimbje kolektive për rininë që rendte dyerve të kinemave në kërkim të emocionave të forta. Te personazhi i Strabixhit rinia shihte “gangsterin human”, modern, dhe jo rrugaçin ordiner. Delon u kthye në një hero të adhuruar edhe falë sharmit të tij unik, sidomos për rininë femërore. Jo rastësisht Delon ende edhe sot cilësohet si një prej yjeve të sharmit mashkullor në kinemanë europiane. Megjithëse këta filma përmbanin në vetvete cilësitë etike dhe edukative, gjithsesi publiku ishte i prirur të shihte tek personazhet e tyre thyerjen e tabuve. Ndërkohë modeli i flokëve të Delonit, pantallonat gjysmë kauboj, dhe xhaketat e shkurtëra me lëkurë të zeze, u bënë moda e të rinjve. Një fotografi e Delonit e sigurua me shumë vështirësi në atë “perde hekuri” të komunizmit, vlerësohej si një xhevahir i rrallë.
Tema e mafies “Oktapodi”
Një vëmendje të posaçme pati në mjedisin shqiptar, filmi “Oktapodi” i cili edhe sot mbetet një nga produksionet më të dashura dhe më të paharruar. Seriali “ Oktapodi”, një bashkëpunim shumë i suksesshëm italo-francez, i cili nisi në vitin 1984 me regjinë e Damiano Damianit, skaliti disa nga personazhet më të spikatura të kinemanë italiane të interpretuara nga aktorë virtuozë. Shumë syresh ende janë të gjallë në memorien tonë: komisar Katani, Tano Karridi, avokat Terazini, bosi i bosëve Puparo, killeri Santuçio etj. Interpretimi i Michele Placidos në rolin e komisar Katanit dhe Remo Girone-s në rolin Tano Karridit do të mbeten ikona të kinemasë italiane të viteve 80-të.
Publiku shqiptar pati mundësinë t’i shihte serialët e “Oktapodit” në televizionin shtetëror. Personazhet e filmit ishin të pranishëm dhe të diksutueshëm në çdo familje shqiptare. Seritë pasardhëse prteshin me një interes të jashtëzakonshëm. Komisar Katani, apo Tano Karridi, u bënë aq popullor saqë emrat e tyre nisën të përdoreshin si nofka për njerëz të ndryshëm. Fundi tragjik i Katanit, u përjetua vërtet si një “humbje e madhe kolektive”. Keqardhja ishte vërtetë e thellë sepse ai ishte bërë shumë i dashur për njerëzit pothuaj në të gjitha moshat.
Megjithatë vazhdimi i serialit duke patur në qendër personazhin e Davide Likatës, gjyqtaren Silvia Konti, familjen e baronit Linori, do të ndiqej me të njëjtin ineteresim sikurse serialet e parë. Tema e mafies ishte trajtuar edhe më parë në kinamotografinë italiane, të cilën shikuesi ynë kish mundur ta ndiqte, por “Oktapodi” ishte një prodhim unik. Duke e trajtuar këtë temë në historinë dhe bashkëkohësinë e saj, me një vërtetësi si asnjëherë më parë me një kalibër regjisorial të pazakontë dhe duke përfshirë një gamë aktorësh të talentuar shumë të zgjeruar, “Oktapodi” ngjalli emocione të rralla. Ai zbulonte aty një botë të panjohur, një realitet sa intrigues, po aq heroik dhe tragjik, joshës dhe të rrezikshëm, por gjithsesi të vërtetë dhe njerëzor, me dashuri, krim, vese dhe virtute, shumë i ndryshëm nga steriliteti që mbizotëronte në Shqipërinë atyre viteve.
Tema e mafies, shqetësim i vazhdueshëm për shoqërinë italiane edhe sot, përpara “Otapodit” kishte njohur disa realizime kinematogtrafike monumentale, ku duhet veçuar filmi “Gruajë më e bukur” me regji të Damiano Damianit. Ky film u tranmetua edhe në Shqipëri dhe publiku e ndoqi me shumë interes fatin e dy personazheve kryesorë Francesca Cimarosa dhe Vito Juvara, të interpretuara mjeshtërisht nga Ornela Muti dhe Alessio Orano. Ky është filmi ku Muti debuton në kinemanë italiane, në një moshë shumë të re, debutim që do t’i hapë rrugë një karriere të gjatë dhe të suksesshme.
Edhe këta personazhe u dashuruan nga shikuesi, Franceska për krenarinë, këmbënguljen, por edhe për pafajësinë dhe dlirësinë, ndërsa nga ana tjetër “gangsteri” Juvara, i cili megjithëse i tillë rrefleton ndjenja humaniteti, por edhe integritet në karakter. Pamja e Vito Juvarës, sidomos qëndrimi i tij i shpenguar u kthyen në model për rininë shqiptare, e cila shpeshherë e imitonte në rrugët dhe kafenetë e kryeqytetit.
Klasikët Italianë
Filma të tjerë që kanë mbetur dhe vazhdojnë të mbeten në memorien e publikut shqiptar lidhen me interpretimin e aktoreve me famë botërore, që tashmë i përkasin fondit të artë, si Sofia Loren, Xhina Lorobroxhida, Klaudia Kardinal, Aida Vali etj. Këto aktore me intepretimin e tyre të mrekullueshëm u ndoqën me mjaft interes, duke u çmuar si modele të papërsëritshme të sharmit femëror. Mund të përmenden filma si “Cocarja”, “E dashur ime Libera”, “Katedralja e Parisit”, “Mama Lucia” etj, që tashmë janë pjesë e traditës së vyer të kinemasë europiane dhe botërore.
Po kështu, shumë të dashur mbeten aktorët komikë klasikë italiane si Toto, Alberto Sordi etj. Filmat komedi të tyre të viteve 50-60-të, u ndoqën më vonë nga publiku shqiptar por kjo nuk pengoi simpatinë që përcollën tek shikuesi. Karakteret e ndryshme në filmat e tyre, sidomos të italianëve të jugut, përmes një interpretimi krej të natyrshëm, rrjedhojë e realizmit dhe neorealizmit të famshëm italian, përcollën emocione të shumta tek publiku ynë, i cili gjente atje edhe grimca të realitetit shqiptar.
Serialët e famshëm
Një vend të rëndësishëm për publikun shqiptar kanë patur edhe serialët televiziv. Janë ende në memorjen tonë serialët e famshëm si “David Koperfild”, “Dombi e biri”, dhe më vonë “Izaura”, apo “Bashkë me erën”. Fati i personazheve kryesore ndiqej me kërshëri javë pas jave. Ndërkohë të paharruar do të mbeten serialët televiziv hollivudianë me emblemën “Dinastia”, dhe më vonë “Santa Barbara”. Këto seriale që nisën të transmetoheshin në kanalet jugosllave dhe italiane nga mesi i viteve 80-të, do të bëheshin kryefjala e diskutimeve në familjet e kryeqytetit. Mes të tjerash aty mund të mësojë detaje nga një tjetër botë, e cila deri më atëherë ishte virtuale për shqiptarët. Luksi i çmendur familjeve të mëdha, pasuria, intrigat, dashuria dhe urrejtja, hakmarrja kishin një përmasë krejt të ndryshme nga realiteti shqiptar. Mënyra sesi visheshin personazhet, të cilët siç thuhej atëherë “ndërroheshin katër herë në 40 minuta”, mobilimi i shtëpive, përbënin një tjetër kërshëri për publikun i cili gjithnjë e më shpesh brenda mundësive kërkonte t’i imitonte. Këtu duhet përmendur edhe loja aktoriale mjeshtërore e protagonistëve që kishin bërë histori në kinemanë hollivudiane si Xhoan Kollins. Por ndjekja e këtyre serialëve ishte rishtas sagë me vetë në vitet e izolimit komunist. Ato u bënë të mundura teleshikuesin, falë një paisjeje me tranzistorë, asokohe e quajtur “grup”, e cili mundësonte sjelljen e sinjalit në TV sidomos të kanaleve jugosllave. Të gjithë qytetarët në ato vite, kush më herët e kush më vonë, e patën mundësinë që fshehurazi dhe duke rrezikuar, ta siguronin kundrejt pagesës një paisje të tillë dhe në orët e vona të ndiqnin kanalet e huaja. Ndjekja e televizionit në orët e vona bëhej gjithnjë me dritat fikur dhe me perdet e mbyllura, për t’i shpëtuar “vigjilencës revolucionare”.
Kinemaja shqiptare
Kinematografia shqiptare për një periudhë të gjatë kohore mbeti peng i censurës, kontrollit të plotë në aspektin politik, duke qenë më shumë një makinë propagandistike sesa një art i vërtetë. Megjithatë nuk mungonin edhe filmat e realizuara me sukses nga regjisorët dhe aktorët e talentuar që gjithsesi mundnin ta thyenin disi patetikën e heroizimit të lavdishëm në shekuj, duke sjellë figura më pranë realitetit dhe më njerëzore.
Sidomos në vitet 80-90-të kur nisën të trajtoheshin tema nga përditshmëria shqiptare me problematikën e saj kinematografia u bë më e ngrohtë për spektatorin. Megjithëse është shumë e vështirë të vendosësh në ato vite ndonjë paralele mes personazheve kryesorë të kinematografisë së huaj dhe asaj shqiptare, disa personzhe u bënë shumë të dashur për publikun tonë. Filma si përshembull “Dora e ngrohtë”, apo “Flutura në kabinën time”, sollën disa heronj kontraverse krahasimisht me traditën e kinemasë shqiptare. Besoja, Spahiu dhe Braushi te “Dora e ngrohtë”, interpretuar mjeshtërisht nga Artur Gorishti, Bujar Lako dhe Mirush Kabashi ishin personazhe atipikë me traditën, por shumë më të pranueshëm për publikun dhe shumë më të natyrshëm krahasimisht me”heroin pozitiv” që nuk gabon kurrë. Batuta të tilla si “bisht qeni do të mbetesh”, janë të gjalla edhe sot e kësaj dite. Po kështu Toma në filmin “Flutura në kabinën time” interpretuar nga Ndriçim Xhepa, sillte një personazh rrebel, që e kishte qejf alkolin, por me karakter dhe shpirt human. E pra këto personazhe u bënë shumë të afërt për njerëzit. Shfaqjet e këtyre filmave në kinema priteshin me shumë interes, ku rradhët nuk mungonin asnjëherë.
- Sot seancë plenare në Kuvend, projekt-buxheti 2026 do të shqyrtohet tek “Ekonomia” - 06/11/2025
- Demokrati Zohran Mamdani zgjidhet kryebashkiak i Nju Jorkut, i pari mysliman në histori - 05/11/2025
- Progres raporti i KE, Rama ndan deklaratën e Marta Kos: Do të bëjmë gjithçka për t’u ulur si të barabartë në tryezën e BE - 04/11/2025