-0.5 C
Tirana
22 / 12 / 2024

GRAFIKU/ Dollari arrin nivelin më të lartë në 5 vjet në tregun shqiptar…

Dollari amerikan arriti nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit në kursin e këmbimit me lekun.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Dollari u këmbye me 118.81 Lekë, niveli më i lartë prej vitit 2017. Që prej fundit të muajit gusht, kur kaloi pikën e paritetit ne Euron në tregjet ndërkombëtare, Dollari po qëndron në vlera më të larta se monedha Europiane edhe kundrejt Lekut.

Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, USD-LEK, në ndryshim nga ai EUR-LEK, nuk ndikohet shumë nga zhvillimet e tregut të brendshëm dhe është vetëm reflektim i kursit USD-EUR në tregjet ndërkombëtare. Duke qenë se Euro ngelet monedha e referencës për ekonominë dhe sektorin financiar shqiptar, kursi i këmbimit të të gjitha valutave të tjera përcaktohet nga raportet e tyre me Euron. Në javët e fundit, Euro po qëndron poshtë nivelit të 1 Dollari amerikan. Mesditën e të mërkurës, Euro këmbehej me 0.99 USD.

Dominimi i Dollarit në tregjet valutore në këtë periudhë po mbëshetet njëkohësisht nga rritja e fortë e normave të interesit të Rezervës Federale, por edhe nga ecuria e mirë e ekonomisë amerikane. Në veçanti, treguesit e punësimit nuk po e vuajnë shumë inflacionin e lartë dhe shtrëngimin e shpejtë monetar të FED. Shëndeti i mirë i tregut të punës vlerësohet si një nga indikatorët më të rëndësishëm të performancës ekonomike. Ekspertët besojnë se tashmë goditja inflacioniste mund ta ketë arritur pikun e vet dhe mund të lëvizë drejt një rënieje të ngadaltë gjatë muajve të ardhshëm. Rezistenca e tregut të punës kanë forcuar pritshmëritë se Rezerva Federale nuk do të hezitojë të rrisë më tej normat e interesit, duke favorizuar një forcim të mëtejshëm të Dollarit, citon Monitor.

Për ekonominë shqiptare, kursi i Dollarit ka një ndikim më të vogël krahasuar me atë të Euros, por sidoqoftë një Dollar i fortë ushtron presione rritëse në çmimet e karburanteve dhe lëndëve të para, që importohen kryesisht në monedhën amerikane.

Ndërkohë, kursi i këmbimit Euro-Lek e ka nisur javën me një ecuri të qëndrueshme. Të mërkurën, Euro u këmbye me 117.73 Lekë, 0.08 Lekë më pak krahasuar me fundin e javës së kaluar. Pasi preku nivelet më të ulëta historike në sezonin veror, kursi i Euros ka shënuar një korrektim të lehtë në rritje në pjesën e fundit të gushtit dhe javën e parë të shtatorit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x