Gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu i ka dhënë fund karrierës 20-vjeçare në sistemin e drejtësisë, duke dhënë dorëheqjen. Zonja Fetahu pretendon se është sëmurë pasi Komisioni i Vetingut e ka njoftuar për t’u paraqitur në datën 15 nëntor 2022, në seancë dëgjimore, për t’u njohur me rezultatet e hetimit gati dyvjeçar. Procesi i Vetingut për gjyqtaren e Elbasanit ka nisur që në dhjetor të vitit 2020.
Komisioni i Vetingut e kishte ftuar për t’u paraqitur ditën e djeshme në seancë dëgjimore. Gjyqtarja Pajtime Fetahu nuk ishte e pranishme, por përfaqësohej nga avokatja Regleta Panajoti. Kjo e fundit ka qenë gjyqtare, por është përjashtuar përt15 vite nga drejtësia me vendim të KPA-së, pasi dha dorëheqjen nga sistemi.
Regleta Panajoti kërkoi dje nga Komisioni i Vetingut për të ndërprerë procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Pajtime Fetahu, pasi kishte dhënë dorëheqjen nga funksioni i gjyqtares. Dorëheqjen Pajtime Fetahu e ka motivuar me një gjendje jo të mirë shëndetësore si dhe me daljen në pension të parakohshëm.