9.5 C
Tirana
21 / 12 / 2024

Gëzuar ditëlindjen Dhimitër Anagnosti!

Dhimitër Anagnosti është një nga regjisorët më të shquar dhe më rëndësishëm të kinematografisë shqiptare.

Ai është autori i më shumë se 20 filmave shqiptar ku “xhevahirët” e tij “Lulëkuqe mbi mure” dhe “Përrallë nga e kaluara” i kanë dhënë me të drejtë çmimin “Nderi i Kombit”.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes (Vuno) dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.

Më pas filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti është i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.

Veprat artistike:

Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961)

Redaksia e “Pena.al” i uron shëndet e jetë të gjatë regjisorit të madh Dhimitër Anagnosti.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x